Kryeministri Zaev, që ta mbulojë turpin dhe shqetësimin e madh, shprehu para mbarë publikut, se drejtësia lëngon rëndë nga kancer i korrupsionit, apo siç i themi popullorçe – ryshfetit. Pasi deri më tani, këto dy pushtete bashkëjetonin me një marrëveshje të heshtur, të pranuar mes tyre si një pakt shejtanësh
Nga Shaqir ISLAMI
Aq sa dihet për njeriun, siç pohon antropologu i shquar, Iv Kopan, (ma merr mendja se ky duhet të jetë): “të gjithë dijen për njeriun, mund ta fusim në një strajcë”, pra, është shumë e varfër, ose akoma shumë pak dihet për njeriun! Pra, ky, që është njeriu i sodit, është arritur me shumë mund, gjak, djersë, durim dhe kohë. Kështu që, njeriu duke e zhvilluar veten, duke i plotësuar nevojat e veta … së pari e ka shpik rrotën, … dhe i ka shpik demokracinë dhe drejtësinë.
Që të dy nocionet, kanë një moshë dy mijë e pesëqind vjeçare; dhe rrënjët i kanë bash në rajonin tonë; i ka pjell nevoja dhe halli i njerëzimit. Dy konceptet janë të gërshetuara, të ndërthurura dhe të ndërlidhura, në atë shkallë sa që nuk mund të hamendësohet njëra pa tjetrën. Janë zhvilluar dhe kanë ngec bashkë; kanë dhënë dhe marrë nga njëra-tjetra; dhe kanë plotësuar shoqi-shoqin. Çdo cenim i njërës, e ngec tjetrën. Kur njëra mbisundon ndaj tjetrës, shkaktohet havaria në shoqëri. Dhe shoqëria sëmuret; siç sëmuret individi, nga infektimi, nga dobësimi i imunitetit mbrojtës…
Shoqëria jonë është me imunitet të dobët demokratik; për shkak se është e ushqyer me ushqime helmuese shpirtërore dhe mendore. Ndonëse, ryshfeti është epidemia e demokracisë sonë; kam frikë se tashmë është bërë endemike dhe patologjike. Për shembull, retorika si vegla themelore e komunikimit politik, është pjellë e drejtësisë. Retorika si mjet për të bindur, ka lindur si nevojë për ta zëvendësuar, drejtësinë e atëhershme “vendetta” ose thënë në shqipen tonë, hakmarrja ose gjakmarrja. Pra, hakmarrja personale zëvendësohet me hakmarrjen kolektive. Retorika është zhvilluar në kornizën e drejtësisë, ku akuza dhe mbrojtja janë munduar ta bindin gjykatësin dhe jurinë e qytetarëve me argumentet e tyre. Kjo është loja e thjeshtë e drejtësisë.
Retorika pasi është treguar si vegël e zojë për të bindur individin, grupin, turmën ose publikun, politikanët kanë nisur ta përsosin dhe ta zhvillojnë për qëllimet politike. Dhe, akoma sot, retorika jo vetëm se është e gjallë, por, kurrë nuk ka qenë më e fuqishme dhe më e domosdoshme. Pra këto dy koncepte zhvillohen bashkërisht duke e përmirësuar klimën në shoqëri, duke e ajrosur shoqërinë dhe duke e shëndoshur demokracinë. Kohët e fundit, drejtësia në shtetin tonë ka nisur t’i nxjerrë të metat në shesh dhe bojën e vet. Drejtësisë aq shumë i ka dalë boja, sa që korrupsioni është ashiqare, dhe sidomos me skandalin e Prokurores Speciale Katica Janevës, ku kemi një rast flagrant të cënimit të sistemit të drejtësisë. Drejtësia është e mbytur nga korrupsioni me metastazë të shfrenuar.
Kryeministri Zaev, që ta mbulojë turpin dhe shqetësimin e madh, shprehu para mbarë publikut, se drejtësia lëngon rëndë nga kancer i korrupsionit, apo siç i themi popullorçe – ryshfetit. Pasi deri më tani, këto dy pushtete bashkëjetonin me një marrëveshje të heshtur, të pranuar mes tyre si një pakt shejtanësh. Bën çka të bësh, por, mos u përziej në arën time. Kështu që drejtësia dhe politika, ishin zhytur bashkërisht në ryshfetmarrje deri në fyt, ku dëmtohej, dhe sakatohej demokracia pa hesap. Asnjëra palë, nuk e kishte guximin ta kallëzojë ose t’ia drejtojë gishtin palës tjetër.
Kryeministri Zaev e ka meritën e madhe për kallëzimin publik të mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë në shtetin tonë. Por, nëse jemi koshient se duhet të meremetohet sistemi i drejtësisë, urgjentisht duhet të rishqyrtohet edhe sistemi politik i vendit. Për shkak se, demokracia është në gjendje të “vdekjes klinike”, ta parafrazoj edhe unë me vogëlsinë time, Presidentin Francez E. Macron, për diagnozën e tij për NATO-n.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)