Politologu Xhenis Sulimani, thotë se ne ende nuk hasim në politikanë që është i gatshëm të jep dorëheqje pas një mandati, le të jetë edhe pas dy mandateve, qoftë në pozicione partiake qoftë në funksione shtetërore. Do të thotë se as etikën e përgjegjësisë nuk e kemi kultivuar për ta ndihmuar automatikisht edhe demokracinë.
Zenel MIFTARI
Shkup, 21 shkurt – Po bëhen gati tri dekada demokraci pluraliste në vendin tonë,por partitë politike vazhdojnë të mbesin të fokusuara tek lideri. Në një shtet demokratik partitë politike duhet të jenë para së gjithash demokratike brenda vetes së tyre, në mënyrë që ato të mund të prodhojnë demokraci për vendin dhe për të gjithë shoqërinë gjatë ushtrimit të pushtetit politik. Mirëpo që të ndodhë kjo, partitë duhet të jenë demokratike përbrenda. Te partitë politike në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht te ato shqiptare mungon debati i brendshëm politik.
TË GJITHA PARTITË SHQIPTARE THONË SE KANË DEMOKRACI TË BRENDSHME
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, për gazetën KOHA, shprehet se nëse ne do të vuanim nga autokracia e kryetarit të partisë ose nga mitizimi i tij, nuk do të ishim gjë tjetër veçse një klon i partive të vjetra.
“Disa parti politike një pjesë të dështimit të tyre e kanë si pasojë e përqendrimit të pushtetit vetëm tek një njeri ose dy-tre veta në maksimum, të cilët formojnë kupolën e famshme që vendos mbi ‘fatin e atyre poshtë’”, shprehet Taravari. Sipas tij, mendimi konstruktiv respektohet gjithnjë edhe kur ky mendimi ka drejtim vertikal nga poshtë-lart. Çdo kandidim bëhet mbi baza demokratike dhe mbi meritokraci, kurse vendimet merren nga grupe të zgjedhura, e jo nga një individ i vetëm qoftë ky dhe kryetari. Elmedin Memishi nga Lëvizja Besa, thotë se në partinë e tij ka demokraci të brendshme, ku të gjitha vendimet merren në organet kryesore të partisë, përkatësisht në kuvendin qendror dhe në kryesinë qendrore.
“Ne vazhdimisht konsiderojmë se një vlerë shtesë e demokracisë së brendshme brenda subjektit është debati dhe shkëmbimi i mendimeve të ndryshme që burojnë si rezultat i zhvillimeve të ndryshme politike, qoftë për çështjen e listave, kandidaturave të ndryshme dhe çfarë do vendimi tjetër politik”, thotë Memishi. Sipas tij, kryetari është figura reprezentative e Lëvizjes Besa, që nënkupton se vlera e partisë nuk identifikohet me individin por me strukturën e mirëfillt dhe anëtarësinë e saj.
Nga BDI thonë se në partinë e tyre ka garë të barabartë brenda këshillave vendorë dhe degëve, sepse kështu zhvillohet demokracia dhe përgatiten kuadrot e ardhshëm.
”Kandidatët për deputet në listat zgjedhore zgjidhen nga forumet partiake, gjegjësisht dominohet nga degët dhe organet e tjera të partisë. BDI është parti që ndërton procese dhe i zbaton ato”, janë shprehur nga BDI. Sipas tyre, Ali Ahmeti është lider, prijës i popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, për shkak se në 17 vitet e fundit, ai nuk njeh për dështim dhe humbje, por vetëm për fitore dhe kur fiton Ali Ahmeti dhe BDI-ja, kanë fituar gjithmonë shqiptarët”, janë shprehur nga BDI.
KUR LIDERËT FORCOJNË POZICIONET E TYRE, DOBËSOHET ZËRI KRITIK NË PARTI
Politologu Xhenis Sulimani, për gazetën KOHA, u shpreh se pasi që partitë tona politika, pjesa dërmuese, janë formuar si pasojë e ndarjeve nga parti më të mëdha, është lehtë të përfundosh se cili është niveli i demokracisë së brendshme brenda tek partitë tona.
“Rotacionet politike te partitë tona janë utopi. Ne nuk kemi hasur në politikan që është i gatshëm të jep dorëheqje pas një mandati, le të jetë edhe pas dy mandateve, qoftë në pozicione partiake qoftë në funksione shtetërore. Do të thotë se as etikën e përgjegjësisë nuk e kemi kultivuar për ta ndihmuar automatikisht edhe demokracinë”, mendon Sulimani. Sipas tij, te partitë tona kur liderët forcojnë pozicionet e tyre, ata dobësojnë zërin kritik më parti. “Në këtë situatë një zë kritik e ka të pamundur të theksojë qëndrimin, sepse mundësitë që i njëjtit të gjendet në “offside” janë të mëdha. Receta është shumë e lehtë, varet sa duan të jenë përgjegjës politikanët dhe sa mendojnë për pasojat. Etika e përgjegjësisë, hapësira për mendim kritik dhe hapësira për kultivimin e debatit brenda partiak pa “bërryla”, do t’i jepte peshë demokracisë së brendshme. Gjithçka tjetër është mashtrim se kinse po bëhen përpjekje për demokracinë”, përfundon Sulimani.
Gazetari dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Zoran Ivanov, thotë se tranzicioni i transformimit demokratik të partive politike tek ne as që ka filluar. “Termat “demokratik” dhe “demokratike” liderët i kanë përvetësuar dhe betonuar në emrat e tyre. Këtu fillon dhe këtu mbaron demokracia partiake. Në rregullimet e tyre të brendshme partiake, në praktikën e tyre partiake, vetëm edhe pak ka mbetur nga demokracia. I gjithë rregullimi partiak është koncentruar rreth liderit dhe gjithçka varet nga sjelljet e tij ”, shprehet ai. Ndryshe, edhe pse subjektet politike mund të themi se janë konsumuar nga figurat e njëjta politike, ende nuk kemi vërejtur që për zgjedhjet e prillit ato të freskojnë partin e tyre me figura të reja. (koha.mk)