Tetovë, 31 mars – Duke marrë parasysh rëndimin e situatës me epideminë e koronavirusit në Maqedoninë e Veriut dhe brengosjen tonë serioze për masat dhe veprimet e institucioneve kompetente për luftimin e kësaj epidemie, PDSH pyet se sa teste për korona virus janë kryer në Tetovë dhe Gostivar pas tre javëve të paraqitjes së kësaj epidemie? Kështu ka thënë Arben Demiri, nga Komisioni për Shëndetësi i PDSH-së, ndërsa ka akuzuar se, edhe pse proklamohet për punkte për testim në Tetovë dhe Gostivar, ende nuk dihet vendi gjegjësisht adresa e këtyre punkteve.
“Numri i telefonit që është në dispozicion është jo funksional dhe kjo tregon jo seriozitetin e qasjes. Vazhdojmë të pyesim sa mjete financiare janë ndarë për Spitalin Klinik të Tetovës dhe Gostivarit për ballafaqim me këtë epidemi. Ne alarmuam për mungesën e respiratorëve në Spitalin Klinik të Tetovës dhe tani në kulmin e epidemisë Ministria e Shëndetësisë merr hapa për furnizim me respiratorë që nënkupton vonesa të papërgjeshme në sigurimin e aparateve për një Spital Klinik e aq më tepër si qendër rajonale shëndetësore dhe me Fakultet të Mjekësisë. Sa prej respiratorëve që presin të vijnë do tu ndahen spitaleve në Tetovë dhe Gostivar?”, ka pyetur Demiri, ndërsa ka akuzuar se edhe porosia prej 500 mijë maskave, nuk është e mjaftueshme madje as për personelin shëndetësor.
“Sa veshje speciale ka në dispozicion Spitali i Tetovës dhe i Gostivarit, dhe njëkohësisht sa mjete speciale mbrojtëse janë ndarë për mjekët amë të cilët janë në vijën e parë të kësaj epidemie, pasi duke mbrojtur mjekët amë mbrojmë popullatën dhe sistemin shëndetësorë. -Presim ende përgjigje prej Spitalit Klinik të Tetovës dhe të Spitalit të Gostivarit sa epidemiologë ka në Tetovë dhe Gostivar. Duke marrë parasysh se në kuadër të Universitetit të Tetovës funksionon Fakulteti i Mjekësisë pyesim kush janë profesorët që mbajnë lëndët e Epidemiologjisë dhe Infektologjisë pasi në këtë situatë të epidemisë nuk kemi ende një emër apo angazhim të tyre në sistemin shëndetësor”, është shprehur Demiri. Këshillojmë ministrin e Shëndetësisë dhe zëvendësministrin, tha më tej Demiri, që kjo epidemi nuk luftohet me konferenca shtypi, por e thërrasim që të jetë prezent në Spitalin e Tetovës dhe të Gostivarit për t’i prezantuar masat dhe kapacitetet në luftë me këtë epidemi. (koha.mk)