Shkup, 21 janar – I akuzuari i dytë, Skender Demiri në deklaratën para gjykatës në seancën për vrasjen e 20-vjeçarit Nikolla Sazdovski, tha se nuk është fajtor dhe se nuk e di se pse kanë ndaluar me automjetin, sepse në atë moment ka qenë duke konsumuar marihuanë.
“Nuk jam fajtor, as unë as Jetoni. Vetëm Besiri ka marrë pjesë. Ne të dy kemi hyrë vetëm me qëllim që t’i ndajmë”, deklaroi Demiri në rrëfimin para gjykatës.
Demiri, në deklaratën para gjykatës, tha se kur ka dalë nga automjeti ka parë se si Jetoni niset drejt Besirit dhe Nikollës, të cilët janë shtyrë dhe e ka mbajtur Besirin që ta largojë. Në atë moment Nikolla është përpjekur që ta godasë Besirin, ndërsa siç tha, ai ka hyrë mes tyre dhe është përpjekur që t’i ndajë .
Sqaroi se e ka shtyrë Nikollën, të cilit i janë ngatërruar këmbët dhe është rrëzuar, dhe pastaj ka rënë edhe ai mbi të. Gjatë rrëzimit është gërvishtur pranë syrit të djathtë, për të cilën nuk e di nëse ia ka shkaktuar Nikolla ose vetë është lënduar. Tha se nuk ka vërejtur nëse Nikolla është pa vetëdije sepse është frikësuar nga turma e mbledhur e njerëzve, të cilët kanë filluar të shajnë, por vetëm është çuar dhe ka filluar të ikë, ndërsa para tij kanë ikur edhe Jetoni dhe Besiri.
Në pyetjen e mbrojtjes, tha se me siguri Nikolla është rrëzuar keq dhe nga kjo është rrëzuar sepse nga dy tre goditje të Besirit nuk ka mundur të ndërrojë jetë, si dhe nuk i kujtohet nëse ka pasur kuti metalike në vendin ku është rrëzuar me Nikollën
Demiri, para gjykatës tha se pesë vite ka konsumuar marihuanë, ndërsa në mënyrë më intensive tre vitet e kaluara, por se nuk ka blerë sepse ka pasur shokë që janë marrë me këtë dhe gjithmonë kur u ka kërkuar i ka dhënë. Tha se nuk është i varur nga marihuana dhe se konsumon tre cigare në ditë me marihuanë.
Dy të pandehurit, në deklaratën para gjykatës, pohojnë se nuk e kanë njohur Sazdovskin më parë dhe se nuk janë anëtarë të ndonjë grupit tifozësh, por janë vetëm simpatizantë të një klubi.
Sipas aktakuzës, Bela dhe Demiri së bashku me J.L. (19) i cili është në arratisje, më 29 qershor të vitit të kaluar e kanë rrahur Sazdovskin në stacionin e autobusit para fabrikës”Alkaloid” në bulevardin “Aleksandri i Maqedonisë” në Autokomandë.
Nga lëndimet e marra, Sazdovski më 9 korrik të vitit 2018 vdiq në Klinikën për anestezion, reanimacion dhe shërim intensiv – KARIL në Qendrën klinike “Nëna Terezë”.
Dy sulmuesit, Besir Bela dhe Skender Demiri, janë në paraburgim në burgun e Shutkës, ndërsa për të dyshuarin e tretë, i cili ende është i paarritshëm për organet e ndjekjes, është shpallur urdhërarrest vendor dhe ndërkombëtar.