Raporti i QAE tregon se në periudhën janar-shtator të vitit të kaluar, të ardhurat e komunave janë zvogëluar për bile 18 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo, e shprehur në shifra, nënkupton se arkat e komunave kanë qenë më të varfra për afër 25 milionë euro, apo 15 miliardë denarë. Njëkohësisht, raporti sugjeron të hapet çështja e suksesit të decentralizimit dhe analiza e ndarjes së kompetencave, të ardhurave, shpenzimeve, hyrjes në borxhe dhe transfereve nga pushteti qendror
Evis HALILI
Shkup, 25 janar – Pandemia ka goditur edhe të ardhurat e komunave në vend. Raporti i Qendrës për Analiza Ekonomike tregon se buxhetet komunale janë dobësuar si rrjedhojë e uljes së pagesës së tatimit në pronë, tatimeve të llojeve të ndryshme dhe kompensimeve të tjera që paguhen nga ana e komunave. Të dhënat tregojnë se në periudhën janar-shtator të vitit të kaluar, të ardhurat e komunave janë zvogëluar për bile 18 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo, e shprehur në shifra, nënkupton se arkat e komunave kanë qenë më të varfra për afër 25 milionë euro, apo 15 miliardë denarë, shkruan gazeta KOHA.
Gjithashtu, analiza e Qendrës për Analiza Ekonomike më tej thekson se nevojitet të hapet çështja e suksesit të decentralizimit dhe atë përmes analizës të të gjitha shtyllave dhe atë ndarjes së kompetencave, të ardhurave, shpenzimeve, transfereve dhe hyrjes në borxh. Analiza më tej thekson edhe faktin e ditur që më parë se, komunat në shtet, janë të varura nga të hollat që i fitojnë nga transferet nga pushteti qendror që marrin pjesë me më shumë se gjysmën në të ardhurat e përgjithshme të komunave. Në vitin 2019, nga buxheti qendror në buxhetet lokale janë transferuar 60 për qind, në vitin 2018 janë bartur 64 për qind dhe në vitin 2017 janë bartur 62 për qind e të ardhurave. Njëherësh theksohet se komunat ishin dhe akoma janë dëshmitarë të vështirësive financiare gjatë përpjekjeve për t’ju përgjigjur ndaj nevojave urgjente të banorëve, dhe njëkohësisht të sigurojnë vazhdimësinë e shërbimeve për qytetarët në situatat e krizës.
Mirëpo, analiza thekson se përkundër efekteve të Kovid-19 ndaj financave të komunave, në mënyrë kumulative të gjitha 81 vetëqeverisjet lokale në Maqedoninë e Veriut, nuk do të kenë nevojë shtesë për hyrje në borxhe të reja, për shkak të kursimeve të rëndësishme lidhur me mos realizimin e harxhimeve kapitale nga planet kapitale të komunave. Të dhënat më tej tregojnë se në periudhën janar-shtator, harxhimet kapitale janë ulur për 19 për qind. Lidhur me pritjet e komunave në anën e shpenzimeve të buxhetit, 18 për qind e komunave presin që nuk do të ketë ndryshime në aspektin e shpenzimeve, ndërsa 39 për qind e komunave presin që në periudhën e ardhshme do të ketë rritje të shpenzimeve të përgjithshme, dhe 44 për qind presin ulje të shpenzimeve në raport me shpenzimet e planifikuara. Rritje më e madhe e shpenzimeve në nëntë muajt e patë të vitit 2020 vërehet tek shpenzimet e ndërmarrjeve publike të komunave si rrjedhojë e uljes së të ardhurave dhe rritjes së vëllimit të punës në të njëjtën kohë.
Ndër rekomandimet e tjera për komunat janë përmirësimi i komunikimit me obliguesit tatimor dhe avancimi i sjelljes tatimore dhe moralit si princip i një administrate të mirë tatimore. Anulimi i pagesës së tatimeve që janë regresive, nuk nënkuptojnë tatime të humbura. Në rast se shënohet ulje e pagesës së tatimit në pronë edhe në vitin 2021, kjo më së shumti do ti detyrohet efektit të uljes së të ardhurave të banorëve, në vend se sjelljes tatimore të obliguesve tatimor. Sugjerohet edhe avancimi i ndjekjes së punës së ndërmarrjeve komunale ku kriza e pandemisë, ka zbuluar edhe mangësitë në raportet midis ndërmarrjeve publike dhe pushtetit lokal. Subvencionet dhe ndjekja e cilësisë, vëllimi dhe çmimi i shërbimeve që i sigurojnë ndërmarrjet publike duhet të bëhet prioritet i Njësive të vetëqeverisjes lokale. Ato duhet të shfrytëzojnë edhe mundësinë e avancimit të efikasitetit të ndërmarrjeve publike, racionalizimit të subvencioneve dhe përllogaritjes së harxhimeve për shërbimet komunale dhe mbulimit të tyre me çmimin e përcaktuar për këto çmime. Ndryshe, në vitin 2019, Qeveria fali 51 për qind e totalit të borxheve të komunave apo ju ndau 50 milionë euro nga buxheti i shtetit për shlyerjen e borxheve të tyre. Borxhi i përgjithshëm i vetëqeverisjeve në shtator të vitit 2019 ishte afër 81 milionë euro, ndërsa në shtator të viti 2020 ai ishte afër 64 milionë euro, ku me 54 milionë euro dominojnë borxhet e ndërmarrjeve komunale. (koha.mk)