Zjarret pyjore, të cilat këtë muaj e shkretuan Kaliforninë, u shkaktuan dëm pronave të siguruara prej të paktën një miliardë dollarë. Njëherësh, autoritetet e Kalifornisë kumtuan se pothuajse 7.000 shtëpi dhe objekte të tjera janë shkatërruar nga gjuhët e zjarrit. Ekipet kompetente vazhdojnë t’i kërkojnë rajonet e përfshira nga zjarri, në të cilat jetën e humbën 42 persona dhe pritet vlera e dëmit dhe numrit të shtëpive të shkatërruara të rritet. Përfaqësuesi zyrtar për sigurim shtetëror të Kalifornisë, Dejv Xhons deklaroi se vlerësimet paraprake të humbjeve janë bërë në bazë të të dhënave prej tetë kompanive më të mëdha të sigurimeve në rajonet e rrezikuara, duke shtuar se gjatë kryerjes së vlerësimeve nuk janë përfshirë pronat që nuk janë të siguruara. Ai theksoi se pret që humbja e përgjithshme të rritet në mënyrë dramatike.