Fisnik PASHOLLI
Shkup, 31 janar – Temperaturat më të ulëta në 30 vitet e fundit në Ballkan dhe Evropën Lindore, të shoqëruara edhe me reshje të madhe të dëborës, jo vetëm që kanë shkaktuar vdekjen e njerëzve, probleme në furnizimin me energji elektrike, vonesa në udhëtime, por edhe probleme të shumta në prodhimtarinë bujqësore. Ngricat e mëdha, që nuk mbahen mend në Maqedoni dhe shtetet e rajonit, vlerësohet se do të sjellin dëme të konsiderueshme në uljen e rendimenteve të kulturave të caktuara bujqësore, shkruan gazeta KOHA. Nga dëmet do të shpëtojnë vetëm prodhimtaria e drithërave dhe lavërtarisë, për shkak se mbulesa e borës i mbron të mbjellat nga temperaturat e ulëta që përfshinë Maqedoninë në muajin janar. Temperaturat shumë të ulëta, deri edhe nën minus 30 gradë celsius që kanë mbretëruar gjatë muajit janar, do të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në vreshtari, pemëtari dhe perimet e hershme. “Dëme do të ketë në hardhitë e rrushit përreth rrjedhës së lumit Vardar dhe Kavadarit, tek një pjesë e pemëve, siç janë kumbullat në rajonet lindore si në Berovë, për shkak të periudhës tepër të gjatë të temperaturave të ulëta, por edhe tek perimet e hershme për shkak të dëmtimit të mbulesave dhe mungesës së ngrohjes shtesë në sera. Se sa do jenë dëmet është vështirë të vlerësohet që tani, por një vlerësim përfundimtar do të mund të shihet gjatë periudhës së vegjetacionit në pranverë. Gjithashtu, do të kemi vonesa në rendimentet e perimeve hershme”, thotë për KOHA, agrometeorologu Angjelko Angeleski nga Enti Sinoptikan i Maqedonisë. Sipas tij, mollët dhe dardhat në rajonin e Pollogut dhe Prespës nuk do të dëmtohen, pasi në këto rajone nuk kishim temperatura shumë të ulëta për një periudhë më të gjatë kohore. Nga ana tjetër, kulturat e drithit kanë pasur kushte solide për zhvillimin e tyre, për shkak se kanë qenë të mbrojtura nga reshjet e borës, thekson më tej Angeleski.
Agronomët vlerësojnë se në varësi prej vendndodhjes së të mbjellave, kohëzgjatjes së temperaturave të ulëta në rajone të caktuara, do të varen edhe dëmet që do të pësojnë kulturat bujqësore. Pritet që pasqyrë e vërtetë e pasojave të të ftohtit polar ndaj bujqësisë të shihen pas ngrohjes së motit, kur specialistët e bujqësisë do të dalin në teren për të konstatuar dëmet, për të parashtruar edhe zyrtarisht shifrat konkrete të dëmeve.
Nga ana tjetër, ndikim të madh ndaj uljes së rendimenteve bujqësore kanë edhe ndryshimet klimatike që nuk anashkalojnë as Maqedoninë. Kushtet e ndryshueshme klimatike në vitet e kaluara gjatë sezonit të verës, me temperatura të larta ditën dhe të ulëta gjatë natës, mungesa e të reshurave të shiut si dhe thatësia, kanë shkaktuar probleme të konsiderueshme për bujqit në Maqedoni. Nga vërshimet, si dhe thatësia në vitet e kaluara, janë dëmtuar perimet e hershme: domatet, specat, kastravecët dhe kulturat e tjera bujqësore. Në vitin 2014 kishim tre herë më shumë të reshura të shiut dhe atëherë kishim dëme të mëdha, si dhe paraqitje të sëmundjeve të ndryshme. Në vitin 2015 kishim temperatura të larta deri në 40 gradë, që sollën humbje edhe në sasi edhe në cilësi të prodhimtarisë bujqësore. Ndryshe, temperatura si faktor lejon kultivimin ekonomik të një bime në një zonë të caktuar, por ajo përbën gjithashtu edhe faktorin vendimtar që rregullon ritmin e rritjes së bimës në të gjithë fazat e zhvillimit të bimës, si formimi i luleve, frutave dhe pjekjes së tyre. Agronomët thonë se ngricat e rrezatimit ndodhin gjatë netëve të ftohta dhe të kthjellëta, kur për shkak të vlerave të larta të rrezatimit, humbjet e energjisë nga sipërfaqja e tokës në atmosferë, janë shumë të larta. Toka, ndërtesat, bimët dhe objekte të tjera që gjenden në sipërfaqen e tokës veprojnë si rezervuarë nxehtësie. Kjo do të thotë se ato grumbullojnë në vetvete sasi të konsiderueshme energjie gjatë ditës, sidomos në ditë me diell, të cilat i humbasin gjatë natës në formën e energjisë së rrezatimit. Për shkak të këtij fenomeni, temperatura e bimëve mund të ulet deri në nivele kritike për ekzistencën e tyre. Nga ana tjetër, ngricat advektive ndodhin kur masa të ftohta ajri zhvendosin masa ajrore më të ngrohta në sipërfaqen e tokës. Nga kjo zhvendosje mund të shkaktohet një fenomen i njohur si “inversion i temperaturave”, që do të thotë se një shtresë ajri e ngrohtë krijon një tavan të ulët që zë në kurth ajrin e ftohtë në afërsi të tokës. Por ngricat advektive mund të ndodhin edhe kur masa ajrore të ftohta kontinentale depërtojnë në rajone më të ngrohta.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.