Shkup, 30 janar 2023 (MIA) – Zëvendëskryeministri i Rendit dhe Sigurisë Publike dhe ministër i Punëve të Brendshme i Bullgarisë, Ivan Demerxhiev, me një delegacion shoqërues, sot do të qëndrojë për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut, gjatë së cilës do të takohet me ministrin e Punëve të Brendshme Oliver Spasovskit.
Në takim pritet të bisedohet për aktivitetet që duhet të ndërmerren me rastin e festës së ardhshme më 4 shkurt – ditëlindjen e Goce Dellçevit.
Edhe ministri bullgar i Punëve të Jashtme, Nikollaj Milkov, dje në një intervistë për televizionin kombëtar bullgar konfirmoi se sot në Shkup do të mbërrijnë ministri Demerxhiev dhe drejtori i ASHSK Plamen Tonçev dhe se do të bisedohet për hapat konkretë që duhet të ndërmerren për me rastin e shënimit të 151 vjetorit të lindjes së Goce Dellçevit.
Siç bëri të ditur MPB-ja, deklarata nuk janë paraparë, ndërsa në fund të takimit zyrtar do të publikohet një komunikatë për media.
Vizita e Dermendxhievit u paralajmërua të premten, pas bisedës telefonike të kryeministrave të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Galab Donev dhe Dimitar Kovaçevski, kushtuar zhvillimeve aktuale në marrëdhëniet mes dy vendeve. Shërbimet për shtyp të dy qeverive kumtuan se të dy kryeministrat kanë biseduar për nevojën që festimet e ardhshme të 151 vjetorit të lindjes së Goce Dellçevit të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe pa probleme.
Pas seancës së Këshillit për Siguri të Republikës së Maqedonisë së Veriut, javën e kaluar, shefi i shtetit Stevo Pendarovski në një konferencë për shtyp deklaroi se, sipas të gjitha vlerësimeve shënimi i ditëlindjes së Goce Dellçevit – 4 shkurti, do të jetë një ngjarje me rrezik të lartë sigurie. Paralajmëroi se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme të sigurisë për të shënuar një festë të qetë dhe dinjitoze të 151 vjetorit të lindjes së Dellçevit.
Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, javën e kaluar nga foltorja e Kuvendit deklaroi se Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjëse për organizimin e shënimit paqësor dhe se për këtë qëllim MPB-ja tashmë po ndërmerr aktivitetet e nevojshme.