Sallamadia për të fajësuar shtetin dhe për të amnistuar funksionarin e shtetit, do të na kushtojë shumë shtrenjtë, deri atëherë kur do ta kuptojmë se mandati që buron nga populli duhet të përkthehet në vepra konkrete e jo në lojalitete partiake për të zgjatë kohëzgjatjen e pushtetit
Nga Emin AZEMI
Ka shumë njerëz që kur flasin për shtetin, mendojnë se para tyre e kanë ndonjë objekt amorf, me formë të padefinuar. Kur flasin për shtetin, shumë njerëz e abstrahojnë njeriun. E abstrahojnë faktorin që e vë në lëvizje shtetin. Pastaj, në rastin e Maqedonisë, e abstrahojnë edhe faktorin shqiptar që merr pjesë në ndërtimin arkitekturës shtetërore.
Zakonisht njerëzit tanë, të mllefosur me rezultatet e dobëta që shteti nuk arrin t’i përkthejë në interesa jetike për qytetarët, zënë në thua dhe nuk arrijnë të bëjnë dallimin në mes të politikave pak a shumë të përgjithshme qeveritare të një shteti dhe angazhimeve konkrete të ministrave e deputetëve. Shpesh herë njerëzit, sidomos ithtarë e partive të ndryshme, bëjnë polemika të zjarrta se filan projekti ka dështuar sepse nuk e ka realizuar ministër fisteku. Pastaj, ia pret tjetri duke u lavdëru se mos të ishte ministri i partisë së tij, akcili projekt nuk do të kryhej. Me fjala të tjera kur flasin për ministra dhe për projekte konkrete, fare pak flasin për shtetin si tërësi komplekse.
Në anën tjetër, ka pasur dhe ka ende ministra, drejtorë e funksionarë të tjerë, të cilët kanë shumë dëshirë të fshihen nën ombrellën gjigante të shtetit, duke mos dhënë sqarime se pse një punë konkrete ngeli pa u kryer edhe pse ka qenë drejtpërdrejt nën kompetencat e tij. Për njerëzit e painformuar, mund të jepen lloj-lloj sqarime e justifikime për punët e pakryera dhe fare pak mund të dëgjoni për vetëpërgjegjësi. Kjo është edhe arsyeja se pse te ne dorëheqja si institucion moral gati nuk ekziston. Madje edhe nëse dikush e përmend me emër e mbiemër ndonjë ministër a funksionar tjetër, në raste të tilla më tepër hulumtohen motivet, prapavija e kritikës, se sa vetë thelbi i kritikës, se sa mllefi që ka shkatuar kritikën.
Zakonisht, sipas kësaj mendësie, mediat apo partitë opozitare i paskan fajet, ndërkohë që partia mëmë as që e analizon kritikën publike, si pikënisje për të hetuar përgjegjësinë eventuale të funksionarit të saj për mos kryerjen me kohë të një pune të caktuar. Kemi dëgjuar lloj-lloj komentesh qesharake që shkojnë në mbrojtje të funksionarëve papunëtorë duke i kursyer ata me çdo kusht nga efektet e kritikës objektive publike. Të kursesh papunëtorin nga përgjegjësia individuale te ne ende konsiderohet si një far patriotizmi partiak, paçka se me këtë lloj patriotizmi nuk mund të bësh as edhe një letër tualeti.
Në Britani, bie fjala, por edhe në Norvegji, Finlandë e Gjermani kryetari i partisë, sidomos i asaj që është në pushtet, për çdo mëngjes në tryezën e tij të punës merr analiza përmbledhëse për shtypin ditor e javor, në bazë të të cilave pastaj matet performanca e funksionarëve partiakë të angazhuar në institucionet e rëndësishme shtetërore. Nëse rezulton që ndonjëri prej tyre të ketë notë negative në këto analiza, ai kurrë më nuk mund të rizgjidhet ne funksione të lart shtetërore. Një funksionar i tillë duhet t’iu kthehet punëve të zakonshme që nuk kanë impakt publik.
Po te ne çka ndodhë? Deputeti që ka marrë notë të dobët gjatë mandatit paraprak, ose që ka mrizu gjatë gjithë mandatit me pasivitetin tij, çuditërisht propozohet për ministër, dmth. mos puna e tij shpërblehet me një post të ri, më të rehatshëm, kurse ministri që ka prituar me i lexu paraprakisht projekt-ligjet dhe në të shumtën e rasteve ka parapëlqye të ikë nga mbledhjet e qeverisë, pikërisht ai futet në listën deputetëve (!). A mund ta imagjinon atë ministër pastaj çfarë dobie publike mund të sjellë, përpos që të angazhohet për ndonjë dallavere për përfitim personal.
“Shteti i poshtër”, “Shteti i ka fajet”, janë këto slogane që shpërndahen në hapësirat tona të mbushura me mjegulla patriotiko-partiake, ndërkohë që punët konkrete që duhet të kryhen kanë bartës konkret, me emra e mbiemra të përvetshëm. Sallamadia për të fajësuar shtetin dhe për të amnistuar funksionarin e shtetit, do të na kushtojë shumë shtrenjtë, deri atëherë kur do ta kuptojmë se mandati që buron nga populli duhet të përkthehet në vepra konkrete e jo në lojalitete partiake për të zgjatë kohëzgjatjen e pushtetit.
Atëherë kur mandati (lexo:pushteti) përputhet plotësisht me interesat jetike të popullit, ai mandat patjetër që do të krijojë traditën pozitive të shtetndërtimit, ku mikrokozmosi i qytetarit shkrihet pahetueshëm në galaktikën gjigante të shtetit. Vetëm kështu do të mund të bëjmë diferencimin në mes të kornizës që quhet shtet dhe fotografisë që quhet përgjegjësi individuale e atyre që punojnë në shtet. Nëse nuk arrijmë ta bëjmë këtë diferencim, atëherë të gjitha kornizat do të ‘mburren’ me boshësinë e mesazhit të papërfunduar figurativ. (koha.mk)