Mesfushori belg, Mousa Dembele është lojtari më i ri i skuadrës kineze, Guangzhou R&F. Dembele ishte cak i transferimit nga skuadra të mëdha si Interi dhe Juventusi që e donin në Serie A. Megjithatë, marrëveshja nuk u arrit me asnjërën skuadër dhe Dembele do ta vazhdojë karrierën në Superligën e Kinës. Është skuadra Guangzhou R&F, e cila ka fituar garën për transferimin e mesfushorit belg.
Vet Tottenham Hotspur ka njoftuar arritjen e marrëveshjes, ndërsa çmimin e transferimit nuk e ka zbuluar. “Ne kemi arritur marrëveshje me skuadrën e Superligës Kineze, Guangzhou R & F për transferimin e Mousa Dembele”, thuhet në njoftimin e Tottenhamit.
Lojtari mësohet se ka nënshkruar kontratë tri vjeçare me skuadrën kineze. Ndryshe, Dembele ka zhvilluar 250 ndeshje me Tottenhamin, ndërsa për Belgjikën ka djersitur fanellën plot 82 herë.