Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernández, ka lënë jashtë skuadrës Ousmane Dembélé për duelin kundër Athletic Bilbao në Kupën e Mbretit. Situata e francezit duket se ka vetëm një fund, do të ketë një rrugëdalje.
Klubi dhe përfaqësuesit e lojtarit nuk kanë arritur marrëveshje për rinovimin e tij dhe e ardhmja e francezit është enigmë e vërtetë. Trajneri Xavi ka konfirmuar tashmë në një konferencë për mediat se po nuk rinovoi, duhet të shitet tani në janar; ndryshe do të qëndrojë në tribunë deri në qershor.
Dembélé është mungesa e madhe, por jo e vetmja. Në listë nuk është edhe Memphis Depay. Holandezi nuk mori pjesë së bashku me bashkëlojtarët e tij në stërvitjen e fundit të skuadrës dhe do të mungojë në ndeshjen e rëndësishme kundër baskëve. Dy “viktima” të rëndësishme që i shtohen mungesës së Luuk de Jong, i cili nuk është gati për shkak të pezullimit. Nga ana tjetër, Umtiti, Eric Garcia dhe Sergi Roberto mungojnë për shkak të dëmtimit.
Kjo është lista e skuadrës për duelin kundër Athletic Club në Kupën e Mbretit: Ter Stegen, Neto, Dest, Piqué, Araujo, Busquets, Riqui Puig, Dani Alves, Ansu Fati, Braithwaite, Lenglet, Pedri, Jordi Alba, Ferran Torres, Frenkie de Jong, Mingueza, Nico, Jutglà, Gavi, Balde, Abde dhe Arnau Tenas.