Barcelona është përballur me një problem surprizë dhe plotësisht të papritur me nënshkrimin e sulmuesit Ousmane Dembele, të konsideruar si zëvendësuesin e Nejmar. Futbollisti, mbërritja e të cilit ka qenë një odise e vërtetë dhe që ka kushtuar një shumë fillestare prej 105 milionë euro, e cila do të shtohet edhe me 40 milionë të tjera nëse realizohen një sërë kushtesh, nuk ka mbërritur në “Camp Nou” në kushtet që do të dëshironin stafi teknik më i lartë i Barcelonës. Sipas medias spanjolle “Don Balon”, forma e tij fizike është shumë larg të qenit në nivelin ideal, pas përballjes së tij direkte me drejtuesit e Borussia Dortmund, me të cilët ai u desh të imponohej për tu transferuar nga kampionati gjerman, duke zbuluar tashmë një problem, për të cilin kërkohet zgjidhja e menjëhershme.
Nga pikëpamja e shërbimeve teknike të Barcelonës, Dembele shfaq një mungesë të theksuar të masës muskulore. Të paktën kjo është ajo që raporton gazeta “AS”. Për këtë arsye, stafi teknik i klubit blaugrana po punon me një plan dhe program specifik për futbollistin, për të fituar sa më parë forcë fizike. Ai madje u krahasua me formën fizike që gëzonte Nejmar, në momentin kur u transferua te Barcelona nga Santos, në verën e vitit 2013. Ideja është që pak nga pak, të shtojë disi volum, për tu përshtatur më mirë me fuqinë nëpërmjet të cilës funksionojnë shumë reparte mbrojtëse në La Liga të Spanjës. Nga ana tjetër, sulmuesi francez është i gatshëm të bëjë gjithçka për të dëshmuar se ai meriton të jetë pjesë e skuadrës së Barcelonës, pavarësisht shpenzimit të madh që ndërmori klubi katalanas për ta blerë nga Borussia Dortmund.