Athinë, 1 korrik – Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë i dërgoi demarsh ambasadorit rus në Athinë në lidhje me dëbimin e tetë diplomatëve grekë në Rusi, kumtuan nga MPJ-ja greke, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
U theksua se reagimi rus ishte joproporcional në krahasim me masat e shpallura nga Greqia ndaj disa diplomatëve rusë, të cilët u shpallën të padëshirueshëm për shkak se “është provuar se kanë kryer aktivitete në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik, në përputhje me dispozitat e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961 dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore e vitit 1963”.
“Përkundrazi, dëbimet e diplomatëve grekë nuk kanë asnjë justifikim, përveçse funksionojnë si një hakmarrje joproporcionale. Gjithashtu u theksua se diplomatët grekë në asnjë mënyrë nuk kanë shkelur Konventat e Vjenës, kumtojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë.
Gjithashtu, pala greke protestoi për përmbajtjen e deklaratave të fundit të zyrtarëve rusë dhe u theksua se “duhen shmangur gjeneralizimet dhe akuzat ndaj Greqisë që nuk mund të verifikohen”.
Të hënën, Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë kumtoi se tetë diplomatë grekë u shpallën persona non grata në vend dhe u kërkua të largoheshin nga Rusia brenda tetë ditësh.