Shpeshherë Demaçi u përdor si dekor për karshillëk kundrejt oponentëve, duke e nxjerrë padrejtësisht dhe paturpësisht figurën e tij të madhe nga konteksti që ia kishte caktuar historia. Demaçi ishte tepër i madh për tu futur në kallëpet që çarshia politike e Kosovës ia varte mbi qafë si barrë
Nga Emin AZEMI
Shpeshherë, në këto tri dekada e gjysëm karrierë, jam ndeshur me ngurrimin e autorëve të ndryshëm për të qenë më të guximshëm në shqiptimin e fjalës publike. Kjo, zakonisht, ka ndodhur edhe tash vonë, viteve të fundit, me kolegët më të rinj, të cilët, si zakonisht përmendin disa arsye që, sipas tyre, i detyrojnë të frenohen. Ndonjëri prej tyre përmend burgosjen e babait, nëse ai flet diçka që nuk i pëlqen shtetit. Ndonjë tjetër, frikësohet mos po ia nxjerrin vëllanë nga puna. Dhe, nuk mungojnë edhe ata që përmendin motrën që ka diplomuar dhe nuk do të mundet të punësohej, nëse flet diçka që është në kundërshtim me “normat publike” të pashkruara nga ana e ndonjë Orwelli modern.
Të gjitha këto m’u kujtuan teksa jemi të preokupuar si komb me shuarjen e simbolit të lirisë së shqiptarëve, Adem Demaçin. Personazhet e mësipërm u zunë në gojë jo rastësisht për të treguar se atëherë kur Demaçi burgosej, edhe ai ishte i ri. Edhe ai kishte prindër, por edhe fëmijë. Ai madje u fut disa herë në burg, pasi që i skadonte afati paraprak i qëndrimit në birucë. Po të kishte qenë ndonjë kompromisagji, edhe Demaçi do t’i curronte veshët, do të ulte kokën dhe, si shumë të tjerë, do të çonte në shtëpi rrogën e siguruar me kurrizin e përkulur të lojalitetit.
Është iluzore të kërkojmë shumëfishimin e Demaçëve në shoqërinë shqiptare. Ai ishte unikat. Madje edhe atëherë kur shqiptonte ndonjë ide kontroverse politike. Atij i falej. Demaçi edhe sikur të mos fliste as edhe një fjalë të vetme, e kishte bërë të veten. Kishte ndezur zjarrin e atdhedashurisë në zemrat e qindra të rinjve shqiptarë dhe regjimet e kishin vështirë ta zbusnin gjithë këtë vullkan. Me organizatën e tij për Bashkim… Demaçi hodhi themelet e idesë sovrane të një populli që i takonte të jetë i pavarur në zhvillimin e tij. Dhe asgjë rastësisht nuk ndodhi pastaj. Kryengritja e armatosur që ndryshoi komandat e ushtarakëve të NATO-s, bëri që populli i rritur me fjalët shpresëdhënëse të Demaçit, ta mund frikën dhe të triumfojë mbi okupimin.
Demaçi mbetet nyja më e fortë që mban të lidhur fortë idetë dhe veprimet. Ai asnjëherë nuk e përjashtoi kundërvënien e armatosur ndaj Serbisë, por ishte ndër të rrallët që për serbët fliste me gjuhën e fqiut të mirë.
Në skenën politike të Kosovës, Demaçi ishte një bashkudhëtar joindeferent, por jo edhe një kreator që do të nxiste ndryshime radikale. Në këtë pikëpamje klasa politike e Kosovës dhe shoqëria në përgjithësi u sollën me shumë cinizëm ndaj tij. Statusi i tij lëvizte në mes të një simboli dhe një tribuni, ndërkohë që Kosova kishte nevojë për një lider të madh. Për një lider që të gjitha sakrficat sublime qindravjeçare do t’i materializonte në një doktrinë që do të ishte rezistuese kundrejt të gjitha kafshimeve të jashtme dhe të brendshme.
Shpesh herë Demaçi u përdor si dekor për karshillëk kundrejt oponentëve, duke e nxjerrë padrejtësisht dhe paturpësisht figurën e tij të madhe nga konteksti që ia kishte caktuar historia. Demaçi ishte tepër i madh për tu futur në kallëpet që çarshia politike e Kosovës ia varte mbi qafë si barrë.
Por, Demaçi mbeti ai që ishte. I papërkulur dhe i pathyeshëm. I pazakontë në qëndrueshmërinë ndaj kohërave që sillnin stuhi, ku shumica nuk përballonin. Ai, edhe kur nuk jeton fizikisht, vazhdon të jetë aktiv me prezencën e ideve që ende kërkojnë të fisnikërohen në rrugën e gjatë të zhvillimit të gjithanshëm.
- 07. 2018