Poetja Delvina Kërluku këtë çmim e konsideron si një nder i madh për vetë atë si autore, por edhe për letërsinë shqipe në përgjithësi, aq më tepër që kjo mirënjohje lidhet me emrin e Abdylazis Islamit, një figurë e nderuar e letrave shqipe
Shkup, 21 dhjetor – Lidhja e përkthyesve letrar të Maqedonisë ka nderuar me çmimin prestigjioz “Abdylazis Islami” poeten Delvina Kërluku për përkthim nga gjuha shqipe në gjuhën maqedonase të librit të saj poetik “Deja e Vjeshtës”. Ky çmim jepet në prag të Ditës botërore të përkthyesit, e cila shënohet më 30 shtator, e inicuar nga UNESKO. Libri “Deja e vjeshtës “, i promovuar vitin e kaluar, është në dy gjuhë, shqip dhe përkthyer në maqedonishte nga ana e autores. Poetja Delvina Kërluku këtë çmim e konsideron si një nder i madh për vetë atë si autore, por edhe për letërsinë shqipe në përgjithësi, aq më tepër që kjo mirënjohje lidhet me emrin e Abdylazis Islamit, një figurë e nderuar e letrave shqipe. Botimin e veprës së saj edhe në gjuhën maqedonase, ajo e vlerëson si një akt të dobishëm interkulturor.
Krijimtaria poetike e Delvina Kërlukut ka qenë objekt analizash e qasjesh kritiker nga ana e disa krijuesve e studiuesve të letërsisë. “Poezia që sjell Delvina Kërluku, gjykuar nga datat e shënuara në fund të vjershave, është shkruar pothuaj në një frymë. Ajo rrjedh prajshëm, me gurgullimën e një përroi mali që bart me vete, ditë për ditë, freskinë e majave të bardha, të shkrira në ujë të pastër e të kulluar, duke ruajtur shkëlqimin dhe çiltërinë, njomësinë dhe virgjërinë e vargut të pangarkuar”, shkruan poeti Eqrem Basha. Ndërkaq poeti dhe studiuesi Vele Smilevski ndër të tjera ka theksuar se në poezinë e saj, Delvina Kërluku shpesh fillon nga vëzhgimet e miniaturave të realitetit, të theksuara nga këndimet e buta për ndjenjën e botës nga realiteti më i drejtpërdrejtë, i dukshëm dhe i prekshëm, në mënyrë që të dalë me një shprehje përmbledhëse të intonacionit që ka në thelb pyetje në fushën e ekzistencës njerëzore.
Delvina Kërluku deri më tani ka botuar librat me poezi: “Muza”, “Altar” , “Gjurmë”, “Varg vese” , “Fjordet e vetmisë”, “ Deja e Vjeshtës”, me prozë: “Pasthënie e ditëve tona”, me publicistikë: “Im Atë dhe këlyshët e Titos”. Vargjet e saj janë botuar në shumë gazeta e revista letrare dhe janë përkthyer në anglisht, gjermanisht, suedisht, turqisht, rumanisht, maqedonisht, etj. Është nderuar më herët me “Çmim Special” në Festivalin Netët Korçare të poezisë, me çmimin “Vepra letrare” në festivalin e Prizrenit. Kërluku është bartësja e parë e Çmimit “Ura letrare” e Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë (2014). Ajo ka fituar Çmimin për poezi më të mirë në festivalin ndërkombëtar ‘Valët Letrare Strugane’. (koha.mk)