Janë të gabuara të gabuara deklaratat se nuk ka nevojë për masa të reja, sepse kështu të krijojmë iluzion se nuk ka rrezik dhe mund të shlirohemi dhe të sillemi sikur vërtet nuk ka rrezik… Parandalimi është më efikas se shërimi, çfarë e kemi parë edhe në format paraprake të virusit
Nga Daut DAUTI
- “DELTA” TROKET NË DERË!
Një vit e gjysmë trauma kolektive me pak çaste për të përjetuar një periudhë relaksi në muajin qershor, për t’iu kthyer sërish frikës! Kështu mund të rrumbullakohet kjo pandemia që assesi s’po merr fund, përkundër shenjave shpresëdhënëse që pas një vale vaksinimi gjithandej nëpër botë, u duk se dalëngadalë po kthehemi në normalitet. Sepse, Delta po troket në derë!
Këtë muajin e fundit, u duk se kovid 19-shi po zhduket! Ashtu si u paraqit, nga një rast dhe u përhap në gjithë botën, ashtu dukej se heshtazi po vetëasgjësohej drejt zero rasteve. Njësoj dukej edhe te ne, nga 1700 infektime me 50 vdekje në ditë, zbritëm deri në 4-5 infektime pa raste vdekjeje. Ishin shpresëdhënëse numrat, shpresoj ende të vazhdojë trendi i tillë, por, apelet e OBSH-së për kujdes dhe paralajmërimet e vendeve me përqindje të lartë vaksinimi për restriksione për shkak të rritjes së serishme të infektimeve, nuk lënë vend për rehati. Emri i virusit nuk është më kovid 19, po Delta, siç është pagëzuar lloji indian i të njëjtit, i cili krijon frikëra të reja. Sepse, ajo që dihet është se është shumë më i rrezikshëm se origjinali(do të donim të ketë më shumë falsitet ai dhe më pak rrezik, por është e kundërta, e ka tejkaluar origjinalin!), dikush thotë për 60 për qind, e dikush për 5-6 herë! Gjashtëdhjetë me 500-600 për qind, nuk është njësoj!
Është një paralajmërim apokaliptik për vjeshtën, sepse përderisa varianti origjinal i kovid 19-shit dijti në valët e dyta e treta t’i shtojë infektimet disa herë më shumë se në fillim, çka mund të pritet nga një Delta-virus me 5-6 herë më të rrezikshëm. Horrorin e përjetoi vendi i “e origjinës”, India, ku nuk kishte vende nëpër spitale dhe u bënë sheshet dhe rrugët spitale për të infektuarit. Në Greqi shënohen rritje brengosëse të rasteve dhe ky duhet të jetë alarmi edhe për ne. Mirëpo, Venko Filipçe nuk mendon se është kohë e duhur për masa të reja. Po, thotë, masa të reja vendosin vendet ku kanë rritje infektimesh? Po, ku qëndron ai parimi i njohur i mjekësisë “më mirë të pengosh(një sëmundje), se pastaj ta trajtosh?
Nuk mendoj as unë se duhet restriksione në këta muaj të verës kur gjithçka zhvillohet në vend të hapur. Nuk do të duhej të mbyllen restorantet e sapo hapura për dasma e ahengje familjare, të cilat ishin viktima më e madhe e masave restriktive. Të paktën t’u jepet mundësia të gjitha martesave të penguara që këto dy-tri muaj të kryhen. Por, i shoh të gabuara deklaratat se nuk ka nevojë, sepse kështu të krijojmë iluzion se nuk ka rrezik dhe të shlirohemi dhe të sillemi sikur vërtet nuk ka rrezik. E situata nuk është ashtu. Nuk është vetëm Greqia, apo një Britani e cila është kampione evropiane e vaksinimit, që vendosin ose paralajmërojnë restriksione të reja për shkak të virusit Delta. Edhe shifrat në rritje të ngadalshme te ne, prej 4-5 raste sa ranë, sërish kemi rreth 20 në ditë, duhet të jenë një alarm në kohë të duhur sa s’ka shpërthyer me progresion matematikor, e të mos kthehemi në situatën çfarë kemi kaluar.
Prandaj, nuk duhet të krijohet panik në një gjendje me infektime ende të pakta ditore të këtilla, por gjithsesi fushatat edukative dhe apelet për kujdes, duhet të jenë sërish prioritet. Sepse paralajmërimet e OBSH-së se varianti “delta” do të bëhet dominues në infektimet e ardhshme nuk duhet nënçmuar.
- “NJË LEK” DHE “10 LEK” NUK JANË NJËSOJ!
Dikush më kishte përmendur në Facebook, në kontekst të asaj se sa shumë jam impenjuar në këtë çështjen e përdorimit të gjuhës, por prapë pa efekt, sepse duket sikur qentë lehin, e karavani po ikë! Kot e ke, më thotë edhe një mik. E sheh, më thotë ai, askush nuk çan kokën, gjithkush që del para kamerës, apo mikrofonit, flet nëdialektin e tij! Ashtu, është them, për të folur mund gjithkush ta flasë dialektin e origjinës së tij krahinore, për këtë s’po i akuzon kush, por ama kur ta shkruajmë, duhet ta shkruajmë gjuhën standarde.
Çka po flasim ne kur ti e ke valutën kombëtare me gabime gjuhësore, më thotë miku. Kishte të drejtë. Kaherë e kisha lodhur mendjen për diçka të tillë, por asnjëherë nuk e kisha gjetur momentin ta pyes ndonjë gjuhëtar nga Shqipëria si është e mundur “1 lek” dhe “10 lek” të shkruhen njësoj!(në rastin e parë patjetër do të pyes dikë me kompetencë!). Ose: 10 lek të shkruhen pa Ë, ndërsa 100 lekë me Ë. Nuk e di sipas cilave rregulla gjuhësore. Edhe dhjetë edhe një qind, janë më shumë se një, pra, janë në shumës. (Mos përdorimi i Ë-së është brengosës edhe te emrat e shumë institucioneve publike në Shqipëri). Valuta shqiptare e ka marrë emrin”lek” në kohën e Ahmet Zogut, më saktë në vitin 1924. Kuptohet se atëherë gjuhëtarë si Aleksandër Xhuvani e intelektualë si Mitrush Kuteli, nuk e kanë pasur gjuhën standarde, por ndoshta edhe nuk i ka pyetur kush se si duhet shkruar paraja shqiptare. Atëherë ndoshta është arsyetuar mungesa e një shkronje, duke ditur se as gjuhë standarde nuk ka pasur. Por në kohën e komunizmit nuk janë bërë këso gabimesh. Që një lek nuk mund të shkruhet njësoj si me dhjetë, duhet ta dijë edhe bujku, edhe punëtori në skele, e lere më Banka Shqiptare…
Prandaj pse në demokraci, më saktë në vitin 199210-lekëshit i është hequr shumësi, është më tepër se enigmë. Është çështje improvizimesh dhe shkujdesjes apo rezultat i ndonjë gabimi shtypi, duhet të pyetet Sali Berisha. Ky apoen vazhdon të jetë në qarkullim edhe tash! Mirë që në apoenat me shuma tjera kanë shumësin!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)