Shkup, 17 dhjetor – Delikuenca e të miturve dhe dhuna midis të rinjve pothuajse janë përgjysmuar në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Këtë e vërtetojnë të dhënat e fundit nga Enti Shtetëror Statistikor, të cilat tregojnë se në tetë vitet e fundit numri i veprave penale të kryera nga të mitur ka shënuar rënie të pabesueshme prej 44 për qind. Por, megjithatë, praktika edhe këtë herë nuk përputhet me numrat në teori, sepse buletinet e policisë për çdo ditë janë të mbushura me raste të përgjakshme në të cilat marrin pjesë të miturit. Shembull i cili e ilustron valën e zezë që përfshiu vendin tridhjetë ditët e fundit është një djalosh 15 vjeçar, i cili para dy javë është dërguar në spitalin “8 Shtatori”, pasi ka marrë pjesë në një zënkë dhe u godit me thikë në stomak. Siç bëjnë të ditur nga MPB, ngjarja ka ndodhur në fshatin Rashçe, ndërsa ekipet policore kanë ndërmarrë masat për zbardhjen e plotë të rastit. Disa ditë më vonë, edhe një djalosh 18 vjeçar ishte dërguar në spital me prerje dhe plagë të thikës mbi zemër. Sipas asaj që e treguan prindërit e të riut , ngjarja ka ndodhur në shkollën “Hristo Tatarçev”, në stacion autobusi, ku i plagosuri u kap nga tre persona të panjohur, të cilët pa arsye kanë filluar ta fyejnë dhe e kanë kërcënuar, ndërsa njëri nga ata e ka goditur me thikë. Nga policia thonë se i lënduari S.D mënjëherë me telefon ka informuar babain e tij për ngjarjen, i cili e ka dërguar në spital, ku janë konstatuar lëndime trupore dhe është mbajtur për trajtim të mëtejshëm. Gjithashtu, muajin e kaluar, disa përsona kanë goditur një të mitur14 vjeçar në stacion autobusi në rrugën Dimitrija Çupovski në Shkup, informojnë nga MPB. “Derisa i mituri me shokun e tij kanë kaluar rrugën para stacionit të autobusit, në kalim, pa dashur, më krah ka prekur të njëri nga personat, me çka ata fizikisht kanë sulmuar, duke e goditur atë me grushta në kokë dhe fytyrë. Të miturit i është dhënë përkujdesje mjekësore në spitalin “Shën Naumi i Ohrit” “, kumtojnë nga MPB. Një muaj më parë, nxënës nga shkolla e mesme “Zdravko Cvetanovski” në Shkup fizikisht kanë sulmuar dy të mitur nga e njëjta shkollë, të cilat kanë marrë lëndime dhe janë dërguar në spital. Megjithatë, të dhënat e Entit shtetëror statistikor tregojnë se ky lloj i krimit ka rënë për më shumë se dhjetë për qind. Ata shpjegojnë se shumica e veprave penale të kryera nga të miturit në tetë vitet e fundit janë regjistruar në Kumanovë, më pas në komunën Qendër, Gazi Babë, Kisella Vodë dhe në Manastir. Sipas të dhënave zyrtare, në periudhën prej 2007 deri në vitin 2009 është vërejtur rritje prej 19 për qind e veprave të kryera penale nga ana e të miturve, gjegjësisht prej 1229 raste në vitin 2007 në 1518 raste ne vitin 2009. Por, rënie më e madhe të veprave penale ka në periudhën prej vitit 2009 deri në vitin 2015, prej 1518 në 684 raste, ose më saktë për 55 për qind. “Në periudhën prej vitit 2007 deri në vitin 2015 janë regjistruar gjithsej 10,196 vepra penale të kryera nga të miturit. Këtu bëjnë pjesë krimet me pasoja jetën dhe lëndimet trupore, krimet kundër lirisë dhe të drejtave të njeriut dhe të qytetarëve, krime kundër financave publike, krime kundër rendit publik dhe të tjera”, shkruan në raportin e Entit shtetëror statistikor. Siç është theksuar në raport, numri më i madh i rasteve të regjistruara (75 për qind) janë vepra penale të cilat persona të mitur i kanë kryer ndaj pronës, kurse shtatë për qind zë numri i përgjithshëm i veprave penale ndaj jetës dhe lëndimeve trupore si dhe kundër rendit publik. “Vetëm pesë për qind nga rastet janë vepra penale të kryera nga fusha e sigurisë në transportin publik, ose numri më i vogël, respektivisht gjithsej 31 raste, dhe 0,3 për qind janë regjistruar si krime kundër lirive dhe të drejtave të njeriut “, shkruan në raport. Po ashtu në periudhën prej vitit 2007 e deri më vitin 2015 rritje më të madhe në numër absolutë është vërejtur te veprat penale kundër rendit publik, gjegjësisht prej 29 në vitin 2007 në 156 në vitin 2014, por dhe rënie në 95 raste në vitin 2015. Gjithashtu, është vërejtur rënie e madhe edhe te veprat penale kundër sigurisë në transportin publik, prej 36 në vitin 2007 në zero në vitin 2015. (O.XH)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.