“Dihet se gjysmëfinalet me finalen mes kanë vetëm 5 ditë dhe në këtë rast ‘site visit’ është e domosdoshme për të qenë të parapërgatitur për atë që mund të na presë. Domethënë kemi vizituar shumë hotele për të zgjedhur më adekuatët për reprezentacionin dhe delegacionin, terrenet disponuese për seanca stërvitore para stërvitjes zyrtare, kapacitetet e stadiumeve për zonat VIP, PRESS dhe për tifozë mysafirë, e shumë detaje tjera për organizimin e mirëfilltë të një ndeshje me vlerë të madhe si kjo”, thotë për gazetën Koha, zëdhënësi i FFM-së, Faton Zylbehari
Bujar KURTAJ
Shkup, 26 shkurt – Nga e hëna e deri të shtunën delegacioni katër anëtarësh i Federatës Futbollistike të Maqedonisë së Veriu në përbërje, Drilon Ganiu (Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm), Zharko Ignjatovski (Menaxher i Sektorit të Futbollit), Bojan Markovski (Menaxher i ekipit) dhe Faton Zylbehari (Zëdhënësi i Federatës), kanë qëndruar në vizitë zyrtare në Tbilisi të Gjeorgjisë dhe Minsk të Bjellorusisë, qytete këto të cilat do të jenë nikoqir të finales së Ligës së Kombeve. Cekim, fituesi nga përballja Maqedonia e Veriut – Kosova e cila do të luhet më 26 mars në arenën “Todor Proeski”, do të luajë në finale me fituesin nga përballja Gjeorgji – Bjellorusi. Ndërkohë, Kosova nuk mori pjesë bashkë me delegacionin e Maqedonisë së Veriut, për shkak të mos-pajisjes me viza të Gjeorgjisë.
Për rrjedhën e vizitës pas kthimit në vendin tonë për gazetën Koha ka folur zëdhënësi i Federatës së Maqedonisë së Veriut, Faton Zylbehari.
“Delegacion katër-anëtarësh i Federatës së futbollit të Maqedonisë qëndruam në vizita zyrtare të qyteteve Tbilisi të Gjeorgjisë dhe Minsk të Bjellorusisë. Dihet se në gjysmëfinalen tjetër luajnë Gjeorgjia me Bjellorusinë dhe fituesi do të presë si vendas në finale reprezentacionin që fiton duelin Maqedoni e Veriut-Kosovë. Dihet se gjysmëfinalet me finalen mes kanë vetëm 5 ditë dhe në këtë rast ‘site visit’ është e domosdoshme për të qenë të parapërgatitur për atë që mund të na presë. Domethënë kemi vizituar shumë hotele për të zgjedhur më adekuatët për reprezentacionin dhe delegacionin, terrenet disponuese për seanca stërvitore para stërvitjes zyrtare, kapacitetet e stadiumeve për zonat VIP, PRESS dhe për tifozë mysafirë, e shumë detaje tjera për organizimin e mirëfilltë të një ndeshje me vlerë të madhe si kjo. Mendoj se ja vlejti dhe tashmë jemi të përgatitur për atë që na pret nëse arrijmë të kualifikohemi në finale”, shprehet në fillim Zylbehari.
“Pra bëhet fjalë për vizitë të detajuar të qyteteve ku mund të jemi mysafirë të finales së Ligës së Kombeve. Quhet ‘site visit’ dhe aplikohet nga UEFA e FIFA, si dhe shumica e vendeve me të avancuara në futboll. Për të mos pasur keqkuptime, dua të sqaroj se nuk bëhet fjalë për ndonjë nënçmim të ndeshjes me Kosovën apo si thuhet ‘mos bën hop pa e kërcyer gropën’, pasi kjo vizitë duhej të bëhej bashkë me përfaqësues të Federatës së futbollit të Kosovës, mirëpo ata nuk mundën të vijnë shkaku i mos-pajisjes me viza të Gjeorgjisë. Gjithsesi jemi marrë vesh që gjithë zgjedhjet tona do t’i shfrytëzojë Kosova nëse ata shkojnë në finale”, përfundoi zëdhënësi Zylbehari.