Gostivar, 22 shkurt – Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari ka shprehur falënderim publik deri te banorët e fshatit Llaskarcë, të cilët të parët u ndihmuan të pësuarve në aksidentin më 13 shkurt. Sot në takimin me përfaqësues të banorëve lokal të këtij fshati, në selinë e komunës, madje janë ndarë mirënjohje për sakrificën dhe humanitetin nga ana e këtyre banorëve, njofton Koha.
“Vazhdimisht numërojmë numrin e viktimave, por ndonjëherë harrojmë se atë tragjedi e mbijetuan 38 persona të tjerë, dhe gjithë kjo, pikësëpari falë kontributit të këtyre personave të cilët na erdhën sot për ngushëllime dhe kontributit të bashkëfshatarëve të tyre, të cilët me të gjitha forcat dolën në ndihmë dhe arritën që të shpëtojnë shumë jetë njerëzish. Gjithsesi, Gostivari ka për borxh që këta njerëz t’i respektojë dhe gjithmonë t’u jetë mirënjohës”, theksoi Taravari pas takimit.
“Përmes atij projekti, do të doja që ne si gostivaras të forcojmë raportet me banorët e Llaskarcës, t’i kujtojmë gjithmonë këta heronj dhe kjo të shërbejë si një shembull për humanizëm dhe solidaritet”, nënvizoi tutje Taravari.
Kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Llaskarcë, Samet Misini tha se nuk mund të përshkruhet me fjalë ai tmerr të cilin, “e pamë ne të cilët të parët vrapuam për të ndihmuar”.
“Si kryetar i bashkësisë lokale, falënderoj bashkëfshatarët e mi që aq shpejt u mobilizuan dhe u organizuan me të gjitha mjetet e mundshme që të ndihmojnë aq sa ishte e mundur për të shpëtuar sa më shumë njerëz”, theksoi Misini.
Në takim është dakorduar që kryetari i Gostivarit nesër të vizitojë vendin e fatkeqësisë dhe personalisht të falënderojë shpëtimtarët e fshatit Llaskarcë. Pushteti lokal i Gostivarit planifikon të ndihmojë në zgjidhjen e ndonjë problemi të infrastrukturës në fshat.
Ndryshe, dje në Gostivar ka qëndruar edhe ambasadori kosovar Gjergj Dedaj. Ai në takim me Taravarin ka shprehur ngushëllime deri te qytetarët e Gostivarit për viktimat e 13 shkurtit dhe të lënduarve u ka dëshiruar shërim të shpejtë. (koha.mk)