Tenisti argjentinas Juan Martin Del Potro, numri 4 në botë, ka pësuar sërish një dëmtim të rëndë, që në moshën 30-vjeçare mund ta largojë përfundimisht nga ky sport. “Kjo është një goditje e rëndë për mua”, ka thënë Del Potro, që në turneun Masters të Shangait ka pësuar frakturë në gjurin e djathtë.
Argjentinasi u tërhoq në raundin e tretë të këtij turneu, në ndeshjen ndaj Borna Coric, pas një rrëzimi në fushë dhe analizat evidentuan dëmtimin e tmerrshëm, që ka mbyllur para kohë sezonin dhe vë në rrezik edhe karrierën.
“Ky është një moment i vështirë për mua, jam i trishtuar, pasi ishte një goditje që nuk e prisja. Nuk kam më forca për t’u ringritur. Është e vështirë të rikuperosh sërish. Nuk e prisja që ky dëmtim të ndodhte edhe një herë tjetër”, u shpreh Del Potro, i dëmtuar në të njëjtën mënyrë edhe disa vite më parë.