Del Ponte: Kam dëshmi të mjaftueshme për dënimin e Assadit për krime lufte

Në një intervistë në “Matin DImanche” dhe në “Sonntagszeitung”, ish-Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe atë Ruandën (TPNR), Carla Del Ponte, flet rreth dorëheqjes së saj nga Komisioni i OKB-së për hetime mbi Sirinë.

Ajo ka thënë se e ka dërguar letrën e saj të enjten e kaluar dhe se dorëheqja e saj do të hyjë në fuqi më 18 shtator. Carla Del Ponte ka thënë se është e bindur se ka prova të mjaftueshme për të dënuar Bachar al-Assad për krime lufte.

Por, për shkak të vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për krijimin e një gjykate ndërkombëtare, nuk do të ketë as akuza dhe as Gjykatë Speciale tani për tani. Kjo situatë është “frustruese”, “është një tragjedi”, është shprehur prokurorja.

Megjithatë, nëse një tribunal i tillë për Sirinë do të bëhej një ditë, ish-prokurorja e Konfederatës, 70 vjeçe, do të ishte e gatshme për të udhëhequr një formacion të tillë. Ndryshe, ajo do të shkruajë një libër në lidhje me përvojat e saj në Komisionin e OKB-së për hetimet mbi Sirinë.