Presidenti Gjorge Ivanov deri të enjten në mesnatë duhet ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve ose ta kthejë në Kuvend me ose pa vërejtje. Kuvendi e solli Ligjin për përdorimin e gjuhëve më 11 janar, e pastaj teksti u dërgua në kabinetin e presidentit. Presidenti, siç potencuan nga kabineti i tij, ka afat prej shtatë ditëve që ta nënshkruajë dekretin e ligjit.
Dilema për atë nëse Ivanovi do ta nënshkruajë dekretin dhe nëse ligjin do ta kthejë me vërejtje deri te Kuvendi, për çka ka të drejtë të paraparë me Kushtetutën dhe Rregulloren, është hapur pas fjalimit të tij të rregullt vjetor në Parlament, ku tha se “ligji është jokushtetues dhe paraqet kërcënim për karakterin unitar të shtetit. Vendimi i tij për ligjin, tha atëherë Ivanovi, bazohet mbi garancitë e dhëna me shkrim për mbrojtje të karakterit unitar, sovranitetit, integritetit territorial, pavarësisë dhe multietnicitetit të Republikës së Maqedonisë. ligji, tha Ivanov, duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe i harmonizuar me legjislaturën e Maqedonisë.
Ivanov mund të vendosë të mos e nënshkruajë dekretin për miratimin e ligjit. Në këtë rast, sipas nenit 75 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, Kuvendi sërish e shqyrton ligjin dhe nëse e miraton me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, presidenti është i obliguar ta nënshkruajë dekretin. Presidenti është i obliguar ta nënshkruajë dekretin edhe nëse ligji miratohet me shumicë të dy të tretave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Me Rregulloren e Kuvendit, megjithatë parashikohet edhe nëse presidenti vendos mos ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit, Kuvendi sërish ta shqyrtojë ligjin në fazë të leximit të tretë, në afat prej 30 ditëve nga dita e miratimit të tij. Pas shqyrtimit të sërishëm të ligjit, amandamente mund të parashtrohen vetëm lidhur me vërejtjen e presidentit.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 11 janar me 69 vota “pro” e ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ligji u votua edhe me shumicë të dyfishtë, respektivisht për të votuan 27 deputetë nga etnitë joshumicë, ndërsa një ishte i përmbajtur. Në seancë nuk morën pjesë deputetët nga VMRO-DPMNE-ja të cilët nuk marrin pjesë në punën e Parlamentit në shenjë revolte për paraburgimin e pesë kolegëve të tyre dhe qytetarëve të tjerë për pjesëmarrje në incidentet në dhomën ligjdhënëse më 27-të prill të vitit të kaluar.