Domethënë e zbuluam ‘gjëegjëzën”. Na ishte se ç’na ishte “korrigjimi i kufijve” një blof i Thaçit për t’ia hedhur Vuçiqit. Bravo. Por, nuk e kuptoj pse kjo taktikë të zbulohet kur “meçi” Thaçi-Vuçiq ende nuk ka filluar mirë, e lere më të ketë përfunduar! Për taktikat nuk flitet, sepse kur zbulohet taktika në luftë ose në parti shahu, ose në çfarëdo fushe ku duhet kaluar pengesat, i ke mundësuar kundërshtarit ose armikut pozicion më të forte për t’u mbrojtur
Nga Daut DAUTI
- U bë hataja në Kosovë. Një ide nga lartë, me përkrahje edhe të ndonjë intelektuali në zë (R.Qosja, B.Haxhiu…), bëri që të hidhet gurë e dru mbi ideatorin, kryetarin Hashim Thaçi, i cili, sipas dikujt, veç më është bërë argat i Beogradit. Por, ka dilemë nëse bëhet fjalë Ideatorin, apo “postierin”? “Mos gjuani në postierin” është një film amerikan. A është këtu Thaçi Ideatori, apo Posteri i kësaj ideje tepër të kontestueshme? Le t’ia lëmë kohës përgjigjen.
Nuk mund të lexosh tekst në këtë temë pa parashikime kataklizmike, qoftë për Kosovën që do të cungohet “edhe një herë”, qoftë për rajonin që do të militarizohet përsëri, qoftë për “meçin” Tramp – Putin në fushën e shahut gjeostrategjik…Të gjitha në një, mungon vetëm lufta e yjeve e Ronald Reganit të plasë mbi qiellin e Kosovës. Sipas Trampit, nuk ka gjasa…për shkak të Malit të Zi…!
Gjërat nuk janë as për ironi e as për të qeshur, por ndoshta për të qarë. Ndonëse Shkurtja me koha na e ka kënduar këngën e Fan Nolit “Mos qaj nënë, mos ki frikë, se e i ke djemtë në Amerikë”…Ama, ja, tash kemi situatën si në atë titullin e uesternit “Vetë kundër të gjithëve”, por të anasjelltë: “Të gjithë kundër Tij”. Madje dhe ata që janë me të, si kryeministri, kryeparlamentari, kryenegociatori…Lojëra pa kufij. Kryetari qetëson me zërin e tij me plot napalm të fshehur nën hasër, të tjerët hedhin edhe më shumë benzinë në zjarrin që askush nuk e do ta ndezë, aq më pak Hashimi. Këtu ndihmojnë edhe disa pensionistë të politikës shqiptare të cilët ndryshe nga sot flisnin kur zhvillohej lufta në Kosovë…
Një lojë e madhe po luhet, apo siç pat thënë dikur “i famshmi” Rahman Morina që qe bërë për rahmet në të gjallë të tij, “këtu ka hyrë një dreq”! Edhe ata që janë pro ndryshimit të kufijve, edhe ata që janë kundër, një gjë nuk e kishin ditur. Këtë e zbuloi Ramushi, që në ditët e para të promovimit të idesë, por edhe më fortë tash pasi një herë tha se përsëri duhet të vishen çizmet ushtarake në Serbi dhe në Kosovë. Ai ua zbuloi kosovarëve dhe gjithë shqiptarëve të brengosur anekënd rruzullit se kur Thaçi flet për marrjen e Luginës së Preshevës dhe shkëmbim territoresh, këtë e bën për shkaqe taktike. Pra, bëhet fjalë për “një debat taktik politik, si kundërpërgjigje ndaj retorikës që vjen nga Beogradi”. Kryeministri i Kosovës thotë se kryetari I Kosovës “nuk e ka seriozisht”. Ai në emisionin e Blendi Fevziut tha se janë përralla me e marrë Preshevën, sepse Serbia nuk jep territore pa luftë.
Domethënë e zbuluam ‘gjëegjëzën”. Na ishte se ç’na ishte “korrigjimi i kufijve” një blof i Thaçit për t’ia hedhur Vuçiqit. Bravo. Por, nuk e kuptoj pse kjo taktikë të zbulohet kur “meçi” Thaçi-Vuçiq ende nuk ka filluar mirë, e lere më të ketë përfunduar! Për taktikat nuk flitet, sepse kur zbulohet taktika në luftë ose në parti shahu, ose në çfarëdo fushe ku duhet kaluar pengesat, i ke mundësuar kundërshtarit ose armikut pozicion më të forte për t’u mbrojtur. Çka është me politikanët shqiptarë? Një taktikë e paska bërë kryetari dhe kryeministri ngutet ta zbulojë, në vend se ta lë opinionin t’i varet në qafë Ideatorit dhe nëse do të zbulohej taktika pasi ky ta kishte realizuar qëllimin, nuk prishet dynjaja! Ndonëse duhet thënë se lëvizjet strategjike të shpeshtën kanë embargo me dekada për t’u dekonspiruar, por ne të prirë për patriotizëm folklorik, nuk kemi punuar shumë që të dimë ta gjuajmë gurin e ta fshehim dorën.
Fjalën e fundit e thonë të parën dhe ja, i zbulohet taktika kundërshtarit gjersa zhvillohet loja! Dikush që mund t’i bindë politikanët tanë, duhet t’u thotë se ky është axhamillëk! Serbët e kanë një fjalë “Što na umu, to na drumu” (Ç’kam në mendje e qes për mejdani!). Por kjo nuk është diçka me të cilën duhet të krenohet dikush. Është sinonim për çiltërinë dhe naivitetin.
P.S. Pas këtij zbulimi, duhet të gjithë t’i tërheqin fjalët kundër Hashimit!
- Nuk jam aspak i befasuar nga sjelljet e opozitës maqedonase para referendumit. Edhe nga ata të tjerët, por që janë të parëndësishëm, që haptas e kritikojnë Marrëveshjen me Greqinë. Në një mile demokratik, midis pushtetit dhe opozitës ekziston përherë një “bashkëpunim” ose subordinim i stilit nëse pushteti thotë se muri është i bardhë, opozita duhet të thotë se është i zi, pavarësisht çfarë ngjyre ka. Nëse pushteti thotë se uji rrjedh teposhtë, opozita duhet ta thotë jo, uji shkon përpjetë, ju jeni qorra!
Këtë këngë tash po e këndon VMRO-DPMNE-ja. Ajo PATJETËR duhet të jetë kundër LSDM-së në kontekst të jetësimit të Marrëveshjes për emrin. Kjo “patjetër”, është ngase duhet ta ruajë frymën kundër, për ndonjë(kushediçfarë) kapitali politik të supozuar dhe kushedi sa të kalkuluar, por nga ana tjetër, nuk mund të mos jetë PRO NATO-s dhe BE-së. Pasi tashmë, që nga një vizitë e një zyrtari të lartë të Uashingtonit, kanë pushuar së bëri me sy Perëndimit dhe së kthyeri kokën Tjetërkah. Konfuzioni i këtij pozicionimi përveç se ndër anëtarësinë dhe simpatizantët partiakë, shtrihet edhe ndër disa figura partiake. Supozimet se shumë deputetë të saj do të jenë pro marrëveshjes tash për tash bie në ujë, pasi ata që u ngutën ta zbulojnë këtë “prapaperde”, më tepër shtuan kompaktësinë se sa të futin përçarje në këtë parti, pasi shumë sish kanë përgënjeshtruar. Por, mbetet qëndrimi i Nikolla Todorovit i cili kritikoi në mënyrë të tërthortë qëndrimin “pa qëndrim” të partisë së tij, dhe ai nuk është kushdoqoftë. Ka edhe të tillë, si Antonio Milloshovski, i cili madje dhe mori para nga arka e shtetit për të bërë “tifo” kundër marrëveshjes. Edhe për njërin edhe për tjetrin, edhe për ndonjë të tretë ose të katërt, partia do të thotë se ata shprehin qëndrimet personale. VMRO-ja natyrisht duhet të jetë e brengosur edhe për një fakt që nuk mund të fshihet: me këtë marrëveshje u arrit pikërisht ajo që angazhohej kjo parti, të ruhet identiteti dhe gjuha maqedonase. Sigurisht është frustruese që dikush tjetër ta realizon idenë që ti vetë nuk e ke bërë për shkak të taktizimeve të gabuara.
Por, ka një lëvizje e cila është përcaktuar qartë KUNDËR. Janko Baçevi dhe disa të tjerë, ndoshta dhjetë veta e ndonjë plus-minus, nuk kanë dilemë se Maqedonia ka alternativë tjetër nga ajo e NATO-s dhe BE-së dhe kjo është një bashkësi shtetesh me Rusinë. Për shoqërinë është e shëndetshme të ketë zgjedhje midis shumë opsionesh. Maqedonia duke u përcaktuar për shoqërinë e BE-së dhe ombrellën e NATO-s nuk do të thotë se nuk duhet të bashkëpunojë me vende të tjera. Sepse edhe vendet e BE-së kanë marrëdhënie të ngushta në fusha të ndryshme me Rusinë, Kinën… Pra, janë debate të imponuara artificialisht. Por, më duhet thënë se më erdhi ngapak keq për Baçevin duke parë se si udhëton autobusi i tij nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat duke takuar njerëz të hutuar nëpër kafene, të cilët i shikojnë sikur të kishin rënë nga Marsi. Por, me dallim nga qëndrimi “as-as”, të paktën Baçevi ka një agjendë të kristalizuar. Për mendimin tim çështja e dilemës këndej ose andej, ka dhe dimensionin historik, të cilin sot, disa si Gjorge Ivanov, Baçev ose Apasiev e harrojnë. Maqedonasit e kanë realizuar të drejtën për shtet nga qëndrimi i drejtë i presidentit amerikan Vudrou Uilson që u angazhua që popujt e vegjël të kenë të drejtën e vetpërcaktimit dhe të krijimit të shteteve të tyre, pikërisht në kohë kur Rusia Cariste përkrahte një Serbi që shtrihej në tokat shqiptare dhe maqedonase. Ky është ai fakt të cilin e anashkalojnë kundërshtarët e marrëveshjes së emrit. Edhe sentimenti fetar (panortodoksizmi) jashtë kësaj marrëveshjeje është në dëm të Maqedonisë, sepse ke të paktën dy kisha që kontestojnë Kishën Ortodokse Maqedonase, ndërkaq me realizimin e Marrëveshjes së Prespës, të paktën amortizohet Kisha Greke.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)