Na nevojitet një Bashkim Evropian i fuqishëm, përfshirës, me themele kryesore, qytetarët e tij dhe vendet anëtare, shkruajnë presidentët e shteteve nga grupi “Araiolos” në deklaratën e tyre të përbashkët pas samitit të 15-të joformal që u mbajt dje në kryeqytetin grek, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Në deklaratën e përbashkët, presidentët e Bullgarisë, Gjermanisë, Estonisë, Irlandës, Italisë, Kroacisë, Letonisë, Maltës, Hungarisë. Polonisë, Portugalisë, Sllovenisë dhe nikoqires – Greqisë i përmendin edhe zgjedhjet e fundit evropiane për të cilat thonë se “dërguan porosi pozitive për të ardhmen e Evropës, sepse shprehën frymë të qartë proevropiane”.
Presidentët komentojnë se BE-ja në muajt e kaluar, më shumë se kurdo herë po përballet me sfida serioze, shtojnë se për çështje të caktuara mund të ketë qëndrime të ndryshme mes qytetarëve dhe qeverive të vendeve anëtare, por të gjithë janë të mendimit se uniteti është i domosdoshëm.
Presidenti grek Prokopis Pavllopullos, në fund të Samitit tha se deklarata vjen në një kohë mjaft kritike, kohë kur Evropa nuk duhet të mbetet në margjina kur ekzistojnë operacione ushtarake në afërsi të saj”.
Presidentët e Bullgarisë, Gjermanisë, Estonisë, Irlandës, Italisë, Kroacisë, Letonisë, Maltës, Hungarisë. Polonisë, Portugalisë, Sllovenisë dhe nikoqires – Greqisë, pas diskutimit të djeshëm njëditësh në temën “Parimi themelor i solidaritetit si çelës për thellimin e Bashkimit Evropian dhe për promovim shtesë të integrimit evropian: cilat hapa shtesë janë të nevojshëm?”, caktoi takim të ri për në tetor të vitit të ardhshëm, në Lisbonë.