Qëndrimet e mbrëmshme të shefit të diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov pas takimit me ndërmjetësuesin, se jemi maqedonas, flasim gjuhën maqedonаse, por edhe se për identitetin nuk negociohet, së bashku me deklaratat e Nimicit se Athina nuk ka vendosur temë identitet, i mbushën mediat greke. Shkurt pas përfundimit të takimit Dimitrov-Nimic, gazetarët në Greqi, ashtu siç publikoi dje MIA, në raportet theksin e vendosën pikërisht në qëndrimet e ministrit të Punëve të Jashtme. Në edicionet e mbrëmshme të lajmeve qendrore në televizionet greke, takimi Dimitrov-Nimic ishte tema e parë me të cilën gazetarët i filluan lajmet. Qëndrimet e shefit të diplomacisë së Maqedonisë dhe të ndërmjetësuesit edhe në mëngjes ishin temë e debatit në një pjesë të emisioneve informative të mëngjesit.
“Një aspekt i ri, i panjohur në negociatat, zbuloi nga Shkupi, Methju Nimic, duke i’u përgjigjur ministrit të Shkupit Dimitrov, i cili është me pozita të pandryshuara në çështjen e identitetit dhe gjuhës, ndërsa Greqia tha Nimic, nuk vendos temë të tillë në negociatat, ishte paralajmërimi i gazetares në fillim të lajmeve të televizionit grek Skaj. Televizioni Antena përmes gazetarit-prezantues, dërgoi kritika të ashpra për qëndrimin e Dimitrovit.
“Pala e Shkupit me rrezik e forcon litarin në negociata. Ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov duke e pasur pranë vetes, të heshturin Methju Nimic, në mënyrë provokuese kërkoi të merret identiteti i Maqedonisë nga bisedat. Dhe nuk u ndal aty. Duke e kthyer të vërtetën, përkrahu se ajo që është e lidhur me irredentizmin është në fushën e fantazisë greke”, tha gazetari në fillim të edicionit qendror të mbrëmshëm të lajmeve në Antena.
Gazetari i televizionit shtetëror ERT, me ton më të butë nga kolegët e tij të televizioneve të tjera, thotë se deklaratat e Dimitrovit na befasojnë sepse viteve të fundit shpesh përmendet se identiteti është çështje e rëndësishme për anën e Maqedonisë, ndërsa këto qëndrime nuk ndikojnë në negociatat.
Gazetarët grek nga Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë, kanë kërkuar koment dhe reagim në raport të deklaratës së ndërmjetësuesit, se Athina, identitetin nuk e ka vendosur si temë në biseda. “Ne qartë e kemi formuluar mendimin tonë. Nuk e interpretojmë Nimicin, as ai të mos na interpretojë ne”, kanë thënë burimet e MPJ-së greke për qëndrimin e ndërmjetësuesit. Televizioni Skaj komenton se me këtë Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë as nuk e përgënjeshtron as nuk e konfirmon deklaratën e Nimicit.