Politologët me të cilët u konsultuam thonë se politikanët me këto deklarata e vulgarizojnë komunikimin politik dhe ndërkohë në këtë mënyrë, me fjalimet e mprehta e të ashpra, tentojnë të fitojnë sa më shumë simpatizantë mes votuesve
Xhenur ISENI
Shkup, 4 maj – Në kohën kur Maqedonia e Veriut po ballafaqohet me pasojat nga pandemia dhe kur shteti gjendet në një proces të ndjeshëm politik, të ngecur në rrugën drejt BE-së, politikanëve e sidomos deputetëve – sikur gjuha e tyre është më e shpejtë nga mendimet, dhe gjithnjë e më shpesh po ndodh që mes vete të adresojnë edhe fjalë të papërshtatshme, në të cilën edhe po ulet niveli i kulturës politike. Me një debat të tillë parlamentarë, institucional dhe zyrtarë, ata nuk e devalvojnë vetëm veten, partinë nga e cila vijnë ose grupin e qytetarëve që i përfaqësojnë, por thellë e devalvojnë edhe institucionin që e përfaqësojnë. Ndryshe, gjatë disa javëve të fundit, duke ndjekur debatet mes deputetëve në Parlament, opinioni ishte dëshmitarë se deputetët duke iu drejtuar oponentëve politik, mes vete këmbyen më shumë ofendime dhe goditje të ulëta. Në shembullin e gjerë të këtyre debateve, mund të dallohet edhe deklarata e kryeparlamentarit Talat Xhaferit drejtuar opozitës: “Nëse dëshiroj, tre orë do të flas, tre muaj më rrihni këtu dhe gjithë ditën më rrihni me media, më rrihni”. Ndërsa, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski për deputeten e LSDM-së, Kostadinovska Stojçevska deklaroi se ajo është “fshatare e sjellur me ndihmë të shpejtë”.
Në opinionin publik mbahet mend dhe deklarata e kryeministrit Zoran Zaev për opozitën. “Kemi opozitë dormeo, sepse keni fjetur derisa zgjidheshin të gjitha çështjet e mëdha në shtet, nuk keni qëndrim”, deklaronte Zaev. Por kjo nuk është e vetmja deklaratë e tillë e kryeministrit Zaev. Ai gjatë aferës “Reket” ku ishte i përfshirë Bojan Jovanovski, deklaroi: “Të më falë bashkësia LGBT, por nuk do të lejojë që një ‘peder’ ta rrëzon Qeverinë time”. Këto janë shembujt që janë prezent në fjalorin e politikanëve në fjalimet e tyre para opinionit. Politologët me të cilët u konsultuam thonë se politikanët me këto deklarata e vulgarizojnë komunikimin politik dhe ndërkohë në këtë mënyrë, me fjalimet e mprehta e të ashpra, tentojnë të fitojnë sa më shumë simpatizantë mes votuesve.
“Kultura politike bazohet kryesisht në dëshirat e elektoratit, si dhe në kulturën e brendshme të vetë politikanëve. Në Maqedoni, dëshira për fjalorë vulgar politik çdoherë ka qenë motiv për poenta të shpejta politike, që në periudhë afatshkurtre mblidhen poenta dhe mundësi për avancim partiak. Për fat të keq kjo taktikë është e gabuar, por te disa do të thotë realizim i motiveve të tyre egoiste”, ka deklaruar për KOHA, Marjan Vuçkoviq, politolog. Nga ana tjetër politologu, Ariton Rama shprehet se perceptimi se parlamenti është institucioni më i lart i demokracisë, ajo e nënkupton peshën dhe barrën që e kanë vetë ata që janë pjesë përbërëse a atij institucioni. Ai thotë se populli voton politikanët për të nxjerr në pah forcën e argumentit dhe jo forcën e ofendimit.
“Deputeti është pasqyra dhe përfaqësimi i një populli, PRA ELITA, strukturimi i një elite politike është e përqendruar në një përgatitje jo vetëm profesionale por edhe atë morale dhe mbi gjitha posedimin e një karakterit me qëndrime intelektuale ku forca e etikës, respektit dhe e argumentit mbizotëron. Populli ka votuar për ti nxjerr në pah forcën e argumentit dhe jo forcën e ofendimit, ne presim zgjidhjen e problemit me PRO VS KUNDRA duke u kundërshtuar me kulturën e debatit që ballafaqimi të jetë profesional, ideologjikë dhe jo personal. Padyshim e gjithë kjo është si pasoj e sistemit të ndërtuar politikë servil, ku nuk kemi lista të hapura por i votojmë listat e liderëve që me çdo kusht luftojnë për liderin e jo për popullin, andaj vetëdija dhe intelekti në ato ulëse len për të dëshiruar, mbi gjitha sot si pasoj e rrjetit social kemi funksionalizimin dhe rëndësinë e PR sesa përkushtimit dhe si pasoj e PR kemi gjeste të tilla për të qenë në qendër të vëmendjes. Andaj uroj që këto formate të ndryshohen sa ma shpejt sepse kuadër ka për një elitë të mirëfilltë politike”, ka deklaruar për KOHA, Ariton Rama, politolog. (koha.mk)