Nga Qerim LITA
Më 19 qershor të vitit 1991, gazeta “Nova Makedonija”, botoi Deklaratën politike të njërës ndër dy partive të atëhershme shqiptare, Partisë Demokratike Popullore, ku veç tjerash në të thuhej se “PDP-ë është përcaktuar që popullsisë shqiptare në Jugosllavi t’i pranohet statusi i kombit”, edhe atë si “shprehje e lirisë dhe të drejtës për përcaktim të lirë nacional, për vetëvendosje dhe me të drejtë të shkëputjes nga robëria totalitare e asimiluese pan-sllaviste…”. Ky definicion i shtruar në mënyrë të hapur nga udhëheqja e atëhershme e Partisë Demokratike Popullore, nxiti qarqet e atëhershme shoviniste maqedonase, të involvuar brenda të ashtuquajturës “Qeveri të ekspertëve” (në të cilën pa dëshirën dhe vullnetin e shqiptarëve, merrnin pjesë edhe tre shqiptarë), të ndërmarrin masa ndëshkuese kundër popullsisë shqiptare në përgjithësi, e të aktivistëve të kësaj partie në veçanti. Është me rëndësi të theksohet se një deklaratë e tillë erdhi si rrjedhojë e refuzimit të kërkesave të pareshtura të shqiptarëve nga udhëheqja e atëhershme maqedonase, të cilat përfshiheshin në disa pika, në radhë të parë në përmirësimin urgjent të statusit të tyre i cili ishte tepër degradues dhe ofendues “pakicë nacionale”.
Përveç kësaj, shqiptarëve ju mohohej e drejta e shkollimit në gjuhën amtare (përveç shkollimit fillor) e shumë të drejta tjera të cilat gjatë periudhës kohore 1986-1990, ku siç është e njohur botërisht, udhëheqja e atëhershme komuniste maqedonase në krye me Jakov Llazarovskin e Millan Pançevskin, i ndërmori në emër të “rrënjosjes së nacionalizmit e separatizmit shqiptar-madh”. Për të parë më së afërmi se çfarë thuhej në Deklaratën Politike të Partisë Demokratike Popullore, të njëjtën në vazhdim po e paraqesim në tërësi, e cila siç u tha më lartë u botua nga “Nova Makedonija” më 19 qershor të vitit 1991.
* * *
“Duke u nisur nga përcaktimet programore, nga situatat dhe rrethanat në Maqedoni e në Jugosllavi për shkak diskriminimit dhe injorimit e të drejtave kombëtare, kombi shqiptar në Jugosllavi për shkak armiqësisë dhe jotolerancës katastrofale midis kombeve, për shkak mohimit të shqiptarëve si komb në Jugosllavi dhe si subjekt i barabartë për vetëvendosje, Partia Demokratike Popullore, për ta aktualizuar realitetin në Maqedoni, e miratoi Deklaratën Politike me sa më poshtë vijon:
- Partia Demokratike Popullore si moto të përcaktimeve programore të veta e ka realizimin e të drejtave dhe lirive kolektive e individuale të kombit shqiptar në Jugosllavi. Realizimi i të drejtave globale do të jetë platforma e sigurt për realizimin e të drejtave individuale të qytetarëve.
Të drejtat dhe liritë e kombit shqiptar në Jugosllavi duhet të jenë të garantuara me Kushtetutë. Për atë garanci, barazia parimore e qytetarëve, realisht është e parealizueshme.
- PDP-ë është përcaktuar që popullsisë shqiptare në Jugosllavi t’i pranohet statusi i kombit (janë mbi 3 milion) edhe atë si shprehje e lirisë dhe të drejtës për përcaktim të lirë nacional, për vetëvendosje dhe me të drejtë të shkëputjes nga robëria totalitare e asimiluese pan-sllaviste.
- Bartës i sovranitetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë të jetë kombi shqiptar që jeton në Maqedoni edhe atë i përcaktuar dhe i emëruar si kolektivitet kombëtar, e jo si qytetar, nga arsyet se realizimi institucional i të drejtave kolektive kombëtare përbën mjet efikas për ndërprerjen e diskriminimit nacional nga njëra anë dhe mbrojtje dhe kultivimi i veçorive që i karakterizojnë në kuptimin pozitiv nga ana tjetër.
- Republika e Maqedonisë të jetë shtet i pavarur dhe sovran, shtet demokratik, me pluralizëm partiak (si garanci të demokracisë reale) me zgjedhje demokratike të lira e parlamentare, pa majorizim nacional dhe në radhë të parë shtet juridik e i çliruar nga filozofia bolshevike-marksiste-leniniste, ideologji e cila kombin shqiptar e largoi nga komponenta fetare, me çka e varfëroi qenien e tij nacionale dhe këtë qenie për 45 vite me radhë e orientoi kah pansllavizmi
Shqiptarët edhe më tej anashkalohen nga “Samiti-Jugosllav”. Shqiptarët duhet të konsiderohen si element konstituiv të lirisë për sistemin e ri shtetëror.
PDP-ë nuk do t’i pranoj vendimet e “Samitit – Jugosllav” pa shqiptarët. Zgjidhjen do ta kërkoj në bashkimin mbarëkombëtar dhe formimin e një shteti të vetëm shqiptar në Ballkan.
Arena ndërkombëtare Jugosllavinë ende e dëshiron si status-kuo, që paraqet grusht të rëndë kundër integrimit të shqiptarëve në Jugosllavi, në rrjedhat demokratike, por edhe të tjerëve të cilët shqiptarëve ua mohojnë të drejtën për vetëvendosje.
- Jemi të përcaktuar për zhvillim të gjithanshëm dhe kultivim dhe zhvillim të pavarur të arsimit, kulturës, të shkencës, e sidomos të historisë sonë kombëtare, tërë kjo e ngritur në shkallën e organizimit institucional.
Shqiptarët në Jugosllavi janë të diskriminuar nga hegjemonistët serb e maqedonas në lidhje me themelimin e institucioneve arsimore-shkencore në gjuhën shqipe, për arsye se, përmes këtyre institucioneve do të zbulohet e kaluara dhe e tashmja e hidhur, e vërteta për masakrën e kryer në monopolin e Tetovës, në shkollën bujqësore në Tetovë, për marrshin e vdekjes në bregdetin Adriatik, të shqiptarëve pastrues të minave në Frontin e Sremit, për vrasjet masive në Kosovë, për terrorin shtetëror e institucional të APJ-së, për pushtimin ushtarak-policor, për gjenocidin mbi kombin shqiptar…
- Tërë ky përcaktim do të arrihet nëse e realizojmë të drejtën e plotë për shkollim në gjuhën shqipe me ndryshimin e plan-programeve mësimore të imponuara, veçmas mësimin e historisë kombëtare e tjerë.
Pushteti maqedonas në vend të progresit e zgjodhi regresin. Janë bërë dhe po bëhen shumë reduktime e ndalime për shkollim në gjuhën shqipe, janë miratuar ligje diskriminuese në fushën e shkollimit, u mbyllën shumë shkolla të mesme në gjuhën shqipe, na urdhëruan të mësojmë në “paralelet e përziera”, administratën pedagogjike ta udhëheqim në gjuhë të huaj, sollën vendime për shkollim të mesëm të imponuar vetëm në gjuhën maqedonase… Kërkesat gjithë-shqiptare për mësim në gjuhën shqipe injorohen nga “shteti demokratik”. Pasiviteti shtetëror, që i përket shkollimit në gjuhën shqipe, paraqet një politikë aktive të denacionalizimit dhe asimilimit të kombit shqiptar.
- Ne jemi për komunikim të lirë dhe për integrim të mendimeve, të ideve, të kuadrit dhe të arriturave shkencore-teknike e teknologjike, duke mos i marr parasysh kufijtë shtetëror. Kufijtë të jenë vetëm sinjal për shënimin administrativ shtetëror.
Për koordinimin dhe sistemimin të synimeve mbarëshqiptare në Jugosllavi, nevojitet bashkëpunimi i ngushtë midis partive politike e të shoqatave tjera shqiptare, me orientim demokratik në Jugosllavi e Shqipëri. Që ky bashkëpunim të funksionoj, duhet të iniciohet themelimi i parlamentit mbarëshqiptar, si bartës i platformës mbarëshqiptare dhe koordinator i bashkëpunimit midis partive politike shqiptare dhe partive dhe asociacioneve tjera ndërkombëtare për aktualizimin e çështjes shqiptare, për integrimin e përgjithshëm të shqiptarëve me proceset evropiane”. (koha.mk)