Liderët e Turqisë, Rusisë dhe Iranit arritën marrëveshje për një komunikatë të përbashkët nga takimi i sotëm në Teheran, në të cilën nuk është parashikuar armëpushimi në rajonin kryengritës Idlib, siç shpresonte presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan.
Në dokumentin e përbashkët është parashikuar që gjendja në Idlib do të shqyrtohet në bazë të parimeve të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Sirisë, dhe se do të vazhdojnë luftimet kundër të ashtuquajturës Shteti Islamik, Al Kaeda, Fronti Al Nusra dhe grupe tjera islamike. Rusia dhe Irani përgatisin ofensivë mbi Idlibin, i cili është territori i fundit më i madh në Siri që është nën kontroll të armatës siriane. Turqia, kërkoi që ky operacion të anulohet, duke u druajtur nga një katastrofë e re humanitare në kufijtë e saj dhe nga një valë e re refugjatësh. Vlerësohet se në Idlib jetojnë rreth tre milionë njerëz.
Në takimin e sotëm, që u transmetua drejtpërdrejtë, Erdogani kërkoi armëpushim në lidhje me Idlibin, por presidenti rus Vladimir Putin e refuzoi këtë kërkesë. Dy presidentët, si dhe presidenti iranian Hasan Rohani, u pajtuan vetëm se “nuk do të lejojnë ndërrim të fakteve në terren me shfrytëzimin e luftës kundër terrorizmit si pretekst”. Tre vendet njëherit premtuan se do të investojnë orvatje për mbrojtje të qytetarëve të qetë në Siri dhe për përmirësim të gjendjes humanitare në vend. Erdogan tashmë paralajmëroi se Turqia nuk është në gjendje të pranojë më tepër refugjatë. Shumica e banorëve në Idlib janë myslimanë sunitë dhe pritet se nëse rajoni pushtohet nga armata alavite siriane dhe forcat shiite iraniane, ata do të nisen fillimisht drejt Turqisë.