Sofje, 8 tetor – Bullgaria i jep mbështetje integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, theksohet në Propozim- deklaratën e Kuvendit popullor bullgar kushtuar zgjerimit të BE-së dhe Procesit të stabilizimit dhe asocimit të RMV-së dhe Shqipërisë.
Në propozim- dokumentin siç njofton BGNES, Sofja e fton Shkupin të implementojë Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim në mënyrë efikase, pa anulime dhe vullnet të mirë, e cila është nënshkruar nga kryeministrat e dy vendeve, Bojko Borisov dhe Zoran Zaev më 1 gusht të vitit 2017.
Në tekstin theksohet se Bullgaria “angazhohet për njohjen e të vërtetës historike të përbashkët që e ndajnë dy shtetet dhe popujt”.
“Plotësisht ta implementojnë atë që është dakorduar dhe arritur në kuadër të Komisionit të përbashkët multidisiplinor dhe të ekspertëve për çështje historike dhe arsimore si dhe ato të përfshihen në programet shkollore dhe materialet në afat sa më të shkurtër kohor”, theksohet në Propozim- deklaratën.
Në pjesën e deklaratës që i referohet eurointegrimit të Shqipërisë kërkohet garantimi “në shkallë maksimale i të drejtës së pakicës nacionale bullgare në shtet që të mësojë gjuhën letrare bullgare si gjuhë të nënës në rajonet që jeton- Golo Bërdo, Gora, Prespë, Korçë, Elbasan dhe Kukës”. Në tekstin kërkohet zbatimi i regjistrimit të popullsisë në Shqipëri në pajtueshmëri me standardet evropiane me qëllim të fitohet fotografi objektive për përbërjen etnike të vendit.
“Në bazë të kësaj dhe të këtyre kushteve, Kuvendi i 44-të i i Republikës së Bullgarisë e mbështet fillimin e bisedimeve paraqasëse të BE-së me RMV-në dhe Shqipërinë”, theksohet në Propozim- deklaratën.(koha.mk)