ESHS në publikimin më të fundit sjell sërish në vëmendje shifrat në rënie nga viti në vit. Nëse ulja e numrit të nxënësve deri diku i atribuohet shifrave të ulëta të natalitetit dhe migrimit, kryesisht shpërnguljet e familjeve jashtë vendit është arsyeja tjetër që përligj mospërputhjen e shifrave të nxënësve në fillim të vitit shkollor dhe në përfundimin e tij. Përkatësisht, numri i nxënësve të regjistruar në fillim të vitit nuk përkon me numrin e nxënësve në fund të vitit shkollor, me një diferencë prej më shumë se 2000 nxënës në vit
Evis HALILI
Shkup, 12 janar – Në bankat e shkollave po ulen nga viti në vit gjithnjë e më pak nxënës. Migrimi dhe ulja e natalitetit janë ndër shkaktarët kryesorë që kontribuojnë në reduktimin drastik të numrit të nxënësve, si për ciklin e ulët – ashtu edhe për atë të mesëm. Enti Shtetëror i statistikave në publikimin e fundit sjell sërish në vëmendje shifrat në rënie nga viti në vit. Ndërkohë që e kundërta ndodh me shifrat e personelit mësimdhënës që vjen duke u rritur, shkruan gazeta KOHA. Në shkollat fillore tani ka 2331 mësues më shumë, si dhe 877 profesorë më shumë në shkollat e mesme. Nëse ulja e numrit të nxënësve deri diku i atribuohet shifrave të ulëta të natalitetit dhe migrimit – shpërnguljet e familjeve jashtë vendit është arsyeja tjetër që përligj mospërputhjen e shifrave të nxënësve në fillim të vitit shkollor dhe në përfundimin e tij, që është më i vogël.
Përkatësisht, numri i nxënësve të regjistruar në fillim të vitit nuk përkon me numrin e nxënësve në fund të vitit shkollor, me një diferencë prej më shumë se 2000 nxënës në vit. Gjatë vitit shkollor 2019-2020, në shkollat e mesme u regjistruan 1670 nxënës më pak se një vit më parë, ndërsa në shkollat fillore po ashtu me 732 nxënës më pak se një vit më parë (2018-2019). Që do të thotë se mesatarisht numërohen 17 nxënës në një klasë, ndërsa një shkollë fillore ka mesatarisht 191 nxënës. Sa i takon nxënësve shqiptarë, kemi një ulje prej 2202 nxënës gjatë periudhës katërvjeçare 2014/2015 -2018/2019. Nëse gjatë vitit shkollor 2014-2015 numëroheshin 61.608 nxënës në ciklin e ulët, në vitin shkollor 2018-2019 kemi 59.406 nxënës.
E kundërta ndodh me personelin mësimor, ku nga 5559 mësues në 2014, numërohen 111 më shumë në vitin 2019. Po për të njëjtën periudhë, reduktimi është më drastik në shkollat e mesme, ku firoja është me 3673 nxënës më pak (nga 23.308 nxënës në 19.635 nxënës), raporton KOHA. Sa i takon mësuesve, gjatë këtyre katër viteve – numri i tyre është me 187 më shumë (nga 2030 mësues në 2217). Trendi ka nisur që në vitin 2007 dhe sipas të dhënave zyrtare, që nga viti 2007 numri i nxënësve të shkollave fillore të saporegjistruar ka rënë me 30.293, përkatësisht pas vitit shkollor 2007/2008, numri i nxënësve të shkollës fillore ra nën 200.000 të regjistruar. Ngjashëm është situata edhe në arsimin e mesëm ku numërohen 22 mijë nxënës më pak që shkollat e mesme.
“Në arsimin fillor, numri i nxënësve që regjistrohen në klasë të parë po zvogëlohet nga viti në vit, po ashtu edhe numri i përgjithshëm i nxënësve. Gjatë dhjetëvjeçarit 2007-2017, numri është më i ulët për 13.5 për qind”, thuhet në raportin zyrtar të ESHS. Në vitin shkollor2019/2020, u regjistruan në shkollat fillore të rregullta 862 nxënës më pak se në vitin shkollor 2018/2019, ndërsa 1670 nxënës më pak u regjistruan në shkollat e mesme të rregullta. 61 për qind e numrit të përgjithshëm të nxënësve në shkollat e mesme të rregullta janë të regjistruar në shkollat e mesme profesionale, në shëndetësi 25%, ekonomi 21%, inxhinieri elektrike 15%. Në vitin shkollor 2019/2020, në shkollat e mesme private u regjistruan 45 nxënës më pak sesa në vitin 2018/2019, ndërsa krahasuar me vitin shkollor 2009/2010, numri i nxënësve në shkollat privatë është më i lartë me 170 nxënës më shumë.
ARSIMI FILLOR:
2007/2008: 223.982 nxënës
2012/2013: 196.587 nxënës
2017/2018: 193.689 nxënës
2018/2019: 188.102 nxënës
2019/2020: 187.240 nxënës
ARSIMI FILLOR NXËNËS SHQIPTARË
2014/15: 61.608 nxënës
2015/16: 59.437
2016/17: 60.578
2017/18: 60.218
2018/19 – 59 406
(koha.mk)