Kërçovë, 3 dhjetor – Pas nismës të shoqatave kulturore dhe humanitare të kërçovarëve të cilët jetojnë dhe punojnë në Itali, Francë, Gjermani, Zvicër dhe Austri kryetari i Komunës së Kërçovës Fatmir Dehari këtë fundjavë në Vjenë është takuar me biznesmenë të suksesshëm me origjinë nga Kërçova.
Qëllimi i takimit, siç informojnë nga Komuna e Kërçovës, është që Dehari t’u japë informacione shtesë biznesmenëve kërçovarë për kushtet që duhet të përmbushen për t’u investuar në atdhe.
Ai ka theksuar se administrata komunale është e gatshme t’u vihet në shërbim secilit që ka qëllim të investojë në njërën nga dy zonat ekonomike me të cilat disponon Kërçova.
“Secili biznesmen gjithmonë kur mendon për investim të ri kërkon siguri veçanërisht në vendet ballkanike”, ka theksuar Dehari, duke shtuar se argument i fortë për atë se Maqedonia me Qeverinë e re është në rrugë të mirë që t’i tejkalojë të gjitha pengesat dhe vështirësitë dhe shumë shpejt do të bëhet anëtare e Aleancës së NATO-s, pastaj do të vijojnë edhe negociatat me BE-në, që sipas tij do të jetë një argument plus gjatë vendimmarrjeve për investim.
Në takim kanë marrë pjesë edhe studentë që mësojnë në universitetet evropiane të cilëve Dehari u ka bërë thirrje pas përfundimit të studimeve të mendojnë të kthehen në atdhe.