Me këtë animozitet që shfaq Rashela Mizrahi dhe ndokush tjetër ndaj gjuhës shqipe, tregon se në VMRO ende nuk e kanë mësuar leksionin e zgjedhjeve të kaluara (fituan zgjedhjet, por nuk gjetën partner shqiptar dhe mbetën në opozitë) dhe historia mund t’u përsëritet! Dikush duhet t’u tregojë se kështu pritet dega ku duhet të ulen nesër!
Nga Daut DAUTI
- PROTAGONIZËM KOTI I RASHELËS!
Kryeministri teknik “përzhinas”, Oliver Spasovski, “ia mblodhi betë” Rashelës, nguli këmbë ta ndërrojë. Arsyeja: mos respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Rreth (mos)heqjes së tabelës me emrin e ri të Republikës së Maqedonisë Veriore u zhvilluan debate shterpë, u hoq apo nuk u hoq. Dikush rren, dhe rren me të madhe. Dhe ai që rren, e nuk skuqet, i bëftë nder. Por thonë se i ka hije politikës, një lloj “virtyti” të bësh të turpshëm, e të mos turpërohesh! Ata që u përfshinë në debat, janë politikanë dhe normalisht, nuk skuqen. Thonë e bëjnë çka të duan. Për rrenë deri tash askush nuk e ka pësuar.
Por Rashela (Mizrahi), ende pa u kthyer në pushtet partia e saj me premtimin që ta kthejë emrin e vjetër(ta prishë Marrëveshjen e Prespës!), ka vepruar sikur të ishte në pushtet dhe sikur t’i kishte ato 80 vota magjike për ta kthyer. Jo vetëm 80 por dhe më shumë se gjysmën e deputetëve shqiptarë. Kjo që vepron Tash sikur të ishte Nesër, i ngjan ndonjë filmi fantastoshkencorë (futuristik) të Robert Zemekisit (“Kthimi në të ardhmen”) me ide të Xhorxh Llukasit apo të Spilbergut bashkë me “Odisenë…” e Stenli Kjubrikut! Por, Rashelës nuk i pengon vetëmashtrimi dhe sillet ashtu siç e ka frymën politike parazgjedhore partia e saj.
Por, hajt se na qenka një shitje goglash për dushk që qytetarët naivë mund të kapen, por ç’i hyn në punë Rashelës çështja e emrit aq shumë? A aq për zemër e ka, apo është ai sindromi i dëshmimit(pse ka nevojë ajo për këtë?) të një lojaliteti të një ideologjie (partiake), e cila është larg kauzave që mund të mbrojë ajo në një mjedis multietnik si Maqedonia e Veriut? Populli thotë të jesh më katolik se papa! Por nejse, mund ta kuptojmë kur një parti me ideologji qytetare mund të tubojë anëtarësi përkatësish të ndryshme, por partia ku është ajo nuk është ndonjë shembull i mirë për këtë. Që nga paraqitja në skenën pluraliste, kjo parti vazhdimisht ishte kundër diçkaje, së pari ishte kundër shqiptarëve dhe me këtë fitonte vota, kundër shkollave e universitetit shqip, kundër gjuhës etj., sikundër që ishte e humbur në kohë e hapësirë edhe me çështjen e riidentifikimit maqedonas me rrënjë antike. Por ç’e lidhin me të gjitha këto ministren? Gjithë këto sikur nuk kanë pikëtakime me dikë si Rashela, së cilës, me ditën e parë kur u ul në stolin e ministres teknike, ia përmendën pa të drejtë rrënjët e saj etnike, dhe disa shkuan aq larg, saqë u futën në ujëra të turbullta dhe u dënuan publikisht për gjuhën e pashembullt ndaj saj.
Por, Rashela, sikur dëshiron vërtet të bëhet më katolik se papa dhe u pozicionua çuditërisht kundër gjuhës shqipe dhe për mosrespektim të ligjit në mënyrë patriotike tha se do ta paguante dënimin prej 5 mijë eurosh, por se nuk e ka ndërmend të kthejë prapa. Nuk dua t’ia përmend do gjëra historike që ka ndodhur dikur, sepse të tjerë ia përmendën. Por, po ia përmend vendin ku shpirtërisht janë të lidhur paraardhësit e saj, pra, Izraelin. Ajo nuk e di, apo nuk dëshiron ta dijë, se gjuha arabe është gjithandej nëpër rrugë e madje edhe në valutën kombëtare “shekel”! Disa kontekste historike kanë bërë që identitetet e popujve të reflektohen edhe në realitetin shoqëror të këtij vendi, duke përjashtuar acarimet e viteve të fundit që kanë reflektuar ndoshta deri te një revidim i kësaj praktike pozitive, por kjo është një temë tjetër.
Por ta lëmë edhe shembullin që ajo do të duhej ta merrte për ta implementuar edhe sikur të mos kishte ligj. Është fjala për atë që ia thanë disa analistë a profesorë të së drejtës, të cilët ia bënë me dije zonjës Rashela se ajo është pjesë e institucioneve që duhet t’i respektojnë kushtetutën dhe ligjet përderisa ato janë në fuqi. Dhe kjo është e patolerueshme për dikë që udhëheq një institucion.
Por pesha më e madhe e kësaj papërgjegjësie institucionale, sidomos me mosrespektimin e gjuhës shqipe, ka të bëjë me ardhmërinë e partisë së saj. Një taktikë e gabuar PR-i që mund të ketë pasoja. Në VMRO gjithsesi shpresojnë se për shumë arsye rejtingu i tyre mund të garantojë kthim në pushtet (megjithëse anketat duhet të merren me rezervë, se nuk e dimë a kanë qëndrueshmëri metodologjike dhe a janë objektive ose të kurdisura), por edhe sikur të dilte fituese, prapë do të duhej të planifikojë një koalicion me parti shqiptare. Me këtë animozitet që shfaq Rashela Mizrahi dhe ndokush tjetër ndaj gjuhës shqipe, tregon se në VMRO ende nuk e kanë mësuar leksionin e zgjedhjeve të kaluara(fituan zgjedhjet, por nuk gjetën partner shqiptar dhe mbetën në opozitë) dhe historia mund t’u përsëritet! Dikush duhet t’u tregojë se kështu pritet dega ku duhet të ulen nesër! Nuk e di ku do të gjejnë partner për të bërë qeveri, përderisa mund të vëmë bast se me gjithë optimizmin që kanë, kjo parti asnjëherë nuk mund të bëjë qeveri vetëm. Nëse nuk distancohet nga ky animozitet i ministres, vallë cila parti shqiptare do të ulej pranë Rashelës për të ndarë pushtetin, kur ajo që sot nuk e respekton ligjin, nesër atë ligj do të përpiqet ta reduktojë? Prandaj nuk është e rastit që nuk ka parti shqiptare që flet haptas se mund të bëjë koalicion me një VMRO të pa çliruar nga fryma e vjetër! Dhe këtë sinjal duhet ta marrin “antenat” e kësaj partie.
Nuk kam shumëçka të shtoj nga një qortim publik i një bashkëpartiaku të saj(Pavle Bogoevski), nga grupi reformator, i cili i shkroi: “Rashela, ti je aq e këndshme dhe e dashur, saqë nuk të ka hije të jesh ajo që nuk je!”. Por, vlen t’i shtohet pjesa tjetër e “argumentimit” të bashkëpartiakut të saj, e që flet për një lloj kthjelljeje të disave nga kjo parti, të cilët janë të vetëdijshëm për gabimet në të kaluarën, që ai e quan madje pubertet. “Ne VMRO-istët e kaluam këtë ‘pubertet nacional’ në vitet e rinisë. Sinqerisht, nuk ta sugjeroj në moshën tënde. Është modë e tejkaluar më…”
- BOLL MË ME “QEVERI TË PËRZHINËS”?
Në të vërtetë, lojërat me tabelat me emrin e shtetit dhe me mosrespektimin e gjuhës shqipe, ose obstruksionet që i bëjnë ministra-zëvendësministra gjatë kësaj periudhe parazgjedhore në qeverinë “e Përzhinës”, është gjithçka tjetër po jo në funksion të organizmit të zgjedhjeve korrekte. Ajo është një lojë maca-miu, ku kuadrot opozitare, janë si mish i egër në një trup të huaj, dhe më shumë kryejnë detyra partiake se sa kryejnë obligimet institucionale. Edhe nëse ka përpjekje për të kryer me ndërgjegje obligimet e dhëna, mund të hasin në obstruksione nga të tjerët, sepse nuk është qeveri e ndonjë uniteti politik, por qeveri mosbesimi të ndërsjellë dhe çdo veprim shikohet pikërisht nga ai këndvështrim. Ja, përveç “protagonizmit” të ministres Rashela Mizrahi, për çka u fol më sipër dhe s’ka çka t’i shtohet, është edhe problemi që tash lindi me mungesën e papritur të dokumenteve personale në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për çka akuzohen në mënyrë të ndërsjellë ish-ministri me ministrin e tashëm, ose akuzat që ministrat ose zëvendësministrat nga radhët e opozitës nisën t’i bëjnë ndaj pushtetit, me t’u ulur nuk silleshin si (zv.)ministra, por si inspektorë a revizorë! Gjithë kjo në shërbim të marketingut politik. E njëjta gjë mund të ndodhë nesër, por në role të anasjellta, gjë kjo që e ngarkon publikun me tensione të panevojshme, në vend se zgjedhjeve t’u afrohemi në atmosferë më të relaksuar.
Prandaj, mendoj se kanë të drejtë ata që thonë që kjo qeveri duhet të jetë e fundit nga “Marrëveshja e Përzhinës” dhe vendi duhet të kalojë në veprim normal dhe për zgjedhje korrekte mjafton të shtohen kapacitetet e KSHZ-së, masat e kontrollit(me më shumë vëzhgues, sidomos ndërkombëtar) dhe masat e ndëshkimit ndaj shkelësve.
Edhe nga një këndvështrim “sportiviteti” është i mjaftueshëm: një herë pati “qeveri Përzhine” kur ishte në pushtet VMRO-ja, dhe një herë tash, kur ishte LSDM-ja, dhe me këtë “barazim”, është koha t’i jepet fund cirkut.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)