Fatos RUSHITI
Shkup, 5 tetor – Fushata parazgjedhore po merr formë bashkë me debatet mes kandidatëve të partive politike shqiptare duke dalë në sipërfaqe edhe qëndrimet se si planifikojnë të udhëheqin me pushtetin lokal. Për gazetën KOHA, përfaqësuesit e partive politike tregojnë prioritetet kryesore që do të intervenojnë në komunat, të cilët do ti fitojnë në zgjedhjet lokale të 15 tetorit. BDI flet për investimet që ka bërë për 12 vite në shumë sfera, ndërsa në mandatin e ri do të fokusohet në plotësimin e nevojave dhe kërkesave reale për qytetarët. Lëvizja BESA prioritet të parë ka kthimin e komunave në shërbim të qytetarëve dhe sanimin e buxheteve komunale, ndërsa Aleanca për Shqiptarët synim të parë ka investimet qeveritare dhe buxhet me prerje lokale. PDSH në plan të parë ka depolitizimin e arsimit dhe heqjen e deponive, ndërsa koalicioni ASH (RDK UNITEI), prioritet ka krijimin e vendeve të reja të punës, duke ofruar edhe decentralizim të plotë fiskal. Anëtari dhe zëdhënësi i Shtabit Qendror të BDI-së, Arbër Ademi, duke përmendur faktin se në mandatet e kaluara, partia e tij, ka rezultate konkrete në shumë sfera, në mandatin e ardhshëm kryetarët e komunave nga radhët e BDI-së, prioritet kryesor kanë ti përgjigjen nevojave reale për një jetë më të mirë në komunat shqiptare. “Gjatë këtyre tre mandateve, BDI ka rezultate konkrete në shumë sfera në pushtetin lokal, edhe atë në arsim – në ndërtimin dhe meremetimin e shumë shkollave, në ndërtimin e çerdheve të reja, në ndërtimin e teatrove dhe shtëpive të kulturës, në ndërtimin e qindra rrugëve lokale për këto 12 vite. Kjo ka bërë që fshatrat shqiptare të ndërrojnë fizionominë që kishin para konfliktit të vitit 2001. Në mandatin e ardhshëm, BDI do të fokusohet në zgjidhjen e nevojave dhe kërkesave konkrete të qytetarëve që prekin jetën e tyre, pra ne do të punojmë për një jetë më të mirë, për mbrojtje sociale dhe shëndetësore, për vende të reja të punës, për ambient më të pastër, thjeshtë për jetë më të mirë në komunën që duam”, theksoi Ademi nga BDI. Lëvizja BESA poqëse fiton në komunat shqiptare, prioritet kryesor ka kthimin tyre në servis për qytetarët, “e jo siç ka qenë deri më tani – në shërbim të një klike të ngushtë komunale dhe partiake lokale”. Ndërkaq si prioritet të dytë kanë sanimin e menjëhershëm të buxheteve komunale. Partia që participon në Qeveri – Aleanca për Shqiptarët prioritet të parë ka investime të menjëhershme qeveritare, ndërsa më pas ka për qëllim buxhet me prerje lokale përmes orientimi i taksave dhe TVSH-së në buxhete komunale. “ASH është në Qeveri me qëllime të qarta që të punojë për shqiptarët e jo me çdo kusht të jemi në pushtet, siç ka bërë dikush tjetër për shumë vite. Duke ofruar kandidatë më të përgatitur profesionalisht, shpresojmë që ato të dinë të kanalizojnë ku duhet investimet qeveritare, të cilat janë dhe prioritet numër një i yni. Duhet të krijojmë kushte për investime dhe për zhvillim ekonom edhe në nivel lokal. E dyta punë që do të bëjmë është të orientojmë taksat dhe rrisim TVSH-në për komunat kjo do të bëhet parmes prerje së buxhetit qendror në vija lokale”, thotë zëdhënësi i Shtabit Qendror i ASH-së, Flakron Bexheti. Bekim Fazliu, kandidat i PDSH-së për Qytetin e Shkupit, në radhët të parë përmend depolitizimin e arsimit, duke qenë kritik në këtë pikë ndaj BDI-së që, sipas tij, ka lejuar politizimin e shkollave. Si prioritet të dytë, Fazliu radhit heqjen e deponive, ndërsa si të tretin – infrastrukturën rrugore në komunat shqiptare. “Prioritet numër një PDSH ka depolitizimin e shkollave fillore dhe të mesme meqë si rezultat i drejtorëve partiak që ka vë BDI dhe ndërrimit të shpeshtë të tyre, ka sjellë keqmenaxhimin me shkolla dhe këtu pasojat i vuajnë fëmijët shqiptarë. E dyta, janë deponitë që ka grumbulluar kryetarët e BDI-së në shumë komuna, do të thotë intervenimin e shpejtë në heqjen e tyre, dhe e treta është infrastruktura rrugore e cila lë shumë për të dëshiruar në komunat shqiptare, bile ende kemi fshatra që për 50 vite a më shumë nuk e kanë prekur asfaltin”, theksoi Fazliu nga PDSH. Nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët, kryetari i RDK-së, Vesel Memedi përmend krijimin e vendeve te lira të punës nëpërmjet krijimit të Zonave të lira ekonomike si prioritet kryesor që duhet bërë në komunat ku do të fitojnë pushtetin. Që të ndodh kjo sa më shpejtë, Memedi thotë se do të bëjë të mundur që përmes pushtetit qendror ku participojnë si parti, të ketë decentralizim të mirëfilltë fiskal. “Prioriteti ynë kryesor do të jetë krijimi i vendeve të lira të punës nëpërmes krijimit të Zonave të lira ekonomike, ku do të krijonim kushte të volitshme për investime. Sektori privat është preokupimi ynë kryesorë për krijimin e vendeve të lira të punës. Në të njëjtën kohë, insistimi për decentralizim të mirëfilltë fiskal do të jetë një shtytje e fuqishme në sigurimin e mjaftueshëm të parave publike, të gjitha në drejtim të të mirave publike për gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë”, theksoi Memedi. (koha.mk)