Insistimi për të vendosur tani në krye të dikasterit policor një kuadër i cili ende nuk ka dhënë sqarime (në gjyq) se si është e mundur që nga institucioni i tij segmente të caktuara të kenë qenë të përfshirë në aktivitete operacionale në terren para ngjarjeve të përgjakshme Kumanovës, ilustron më së miri mendësinë e një pjese të establishmentit politik te ne
Nga Emin AZEMI
Ministrinë e Brendshme në tre muaj të ardhshëm patjetër duhet ta udhëheqë ndonjë kuadër me profil, ose ushtarak ose agjent i shërbimeve sekrete.
Kjo është logjika me të cilën po udhëhiqet partia opozitare maqedonase, e cila ende nga formimi i saj politiko-ideologjik, nuk po mundet ta çrrënjosë një diskurs retrograd, tashmë të deplasuar në demokracitë e zhvilluara.
Propozimi i VMRO-së që Ministrinë e Brendshme, brenda mandatit tremujor të Qeverisë teknike, ta udhëheqë një kuadër që ishte në krye të shërbimit sekret të vendit, ngjashëm me propozimin paraprak, për një kandidat që vinte nga strukturat e njësive speciale ushtarake, tregon për mungesën e sensit politik të kësaj partie, e cila vazhdon të kultivojë njëfarë kursi rigid në segmente të caktuara të politikëbërjes.
Kandidati i tanishëm ka qenë një kuadër i rëndësishëm në strukturat shtetërore kur ndodhën ngjarjet e përgjakshme të Kumanovës, më 9 dhe 10 maj 2015 në Kumanovë, dhe të qenit e tij në krye të Agjencisë së Zbulimit, lë shumë hapësirë për të mbajtur rezerva kundrejt angazhimit të tij në atë kohë. Nëse ato ngjarje ende trajtohen si të mistershme, pa ndonjë ekspertizë të mirëfilltë profesionale mbi gjenezën dhe zhvillimin e tyre në terren dhe, mbi të gjitha – mbi përfshirjen eventuale të njerëzve të shtetit në to, atëherë çdo riaktivizim i kuadrove nga ato struktura në pushtetin e tanishëm, qoftë ai edhe teknik, flet për një defekt të madh në kulturën politike të këtij vendi, ku e kaluara ende i bën hije të sotmes dhe të ardhmes.
Insistimi për të vendosur tani në krye të dikasterit policor një kuadër, i cili ende nuk ka dhënë sqarime (në gjyq) se si është e mundur që nga institucioni i tij segmente të caktuara të kenë qenë të përfshirë në aktivitete operacionale në terren para ngjarjeve të përgjakshme Kumanovës, ilustron më së miri mendësinë e një pjese të estabilishmentit politik te ne, sidomos me proveniencë opozitare, ku përgjegjësia institucionale dhe reforma janë dy skajet e kundërt të litarit që vazhdojnë të mbajnë peng transformimin demokratik të këtij establishmenti.
Nuk besojmë se “Mickoski dhe nëpërmjet kësaj zgjedhjeje për nominimin e tij, tenton që ta kthejë vendin prapa në ditët e konfrontimeve të brendshme serioze”, siç shprehet LSDM, por megjithatë linja e rezonimit aktual nuk përjashton mundësinë që preferencat e kësaj partie opozitare maqedonase të jenë të ngjashme edhe në të ardhmen.
Por, asgjë nuk është e sigurt, sidomos në politikë, prandaj t’ia lëmë kohës dhe të shpresojmë që gjërat, mbase, do të shkojnë në drejtimin duhur.