Përpos mungesës së pajisjeve teknike për zhvillimin e gjykimeve përmes formës elektronike gjatë kohës sa ka zgjatur gjendja e jashtëzakonshme, gjykatësit nuk kanë edhe shumë njohuri për shfrytëzimin e teknologjisë informatike
Omer XHAFERI
Shkup, 8 korrik – Zhvillimin e seancave virtuale gjyqësore në Maqedoninë e Veriut nuk kanë mundësi ta realizojnë 74 për qind e gjykatave. Kjo statistikë është përfshirë në hulumtimin e fundit të Qendrës për hulumtime juridike dhe analiza (QHJA),”Gjyqësori në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme”, ku mes tjerash thuhet se përpos mungesës së pajisjeve teknike për zhvillimin e gjykimeve përmes formës elektronike, ata nuk kanë edhe shumë njohuri për shfrytëzimin e teknologjisë informatike.
“Një numër i vogël i të intervistuarve apo 15 për qind prej tyre theksuar se posedojnë një far lloj pajisje e cila mund të shërbej për on-line gjykime, por e njëjta është e vjetër dhe jashtë funksionit. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme, vetëm Gjykata Themelore e Kavadarit, zhvilloi on-line seanca. Në këtë gjykatë përmes zbatimit të mjeteve elektronike-teknike u realizua seanca e parë on-line për veprën penale ‘plaçkë'”, thuhet në analizën “Gjyqësori në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme”. Pjesa dërmuese e kryetarëve të gjykatave të intervistuar vlerësojnë se e-gjyqësori në Maqedoninë e Veriut, duhet të ketë prioritet me çka do të lehtësohet komunikimi me vetë gjykatën, por edhe me palët e institucionet tjera. Me qëllim të mundësimit të e-gjyqësorit, të intervistuarit po ashtu janë shprehur se e patjetërsueshme është sigurimi i trajnimeve për administratën gjyqësore, por edhe për gjykatësit për shfrytëzimin e teknologjisë informatike në punën e tyre.
“Gjykatat me kompetencë themelore në periudhën e gjendjes së jashtëzakonshme më shpesh kanë vepruar në bazë të propozimeve të Prokurorisë Publike për mos veprim sipas rregullave shëndetësore gjatë kohës së pandemisë, shqiptimin e aktgjykimeve me urdhra penale, propozime për masa të përkohshme në bazë të Ligjit për sigurimin e kërkesave, Ligjit për familje, si dhe në bazë të propozimeve për masa të përkohshme për parandalimin e dhunës në familje”, thonë nga Qendra për hulumtime juridike dhe analiza. Njëkohësisht ky hulumtim ka konstatuar edhe mungesë të komunikimit të dyanshëm mes gjykatave dhe palëve, gjegjësisht avokatëve të tyre.
“Gjykatësit theksuar se nëse ekzistonin kushte teknike, do të vendosej komunikim i rregullt me palët dhe në mënyrë efikase do të realizohej dorëzimi. Specifike është gjendja e krizës e cila u shpall në territorin e Gjykatës Themelore – Dibër, me çka puna e tyre përkohësisht ishte ndërprerë dhe as gjykata e as POSTA nuk ishin në gjendje të bëjnë dorëzimin apo ta pranojnë shkresa (letra) as nga palët e as nga përfaqësuesit tyre ligjor”, theksohet në këtë hulumtim. Ndryshe, të gjithë gjykatat themelore në vend janë të mendimit se ekziston mungesë e IT kuadrit, që është njëra prej arsyeve kryesore për mos shfrytëzimin e mjaftueshëm dhe njohjen e procedurave teknologjike-informatike.
Digjitalizimi i plotë i lëndëve, dorëzimi dhe komunikimi në mes gjykatave më të ulëta dhe atyre më të larta, gjegjësisht lidhja elektronike mes gjykatave, sipas Qendrës për hulumtime juridike dhe analiza, do ta rrisë në masë të madhe efikasitetin e gjykatave dhe do t’i përshpejtojnë procedurat gjyqësore,nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, do ta zvogëlojë nevojën e prezencës fizike të palëve dhe personave tjerë në gjykata. (koha.mk)