Deeney flet troç: Ne abuzohemi me racizëm, ata mbushin xhepat me para

17

Racizëm ka thuajse kudo dhe nuk mungon as në botën e futbollit. E pësojnë yje të futbollit botëror, të cilët janë shembuj për të rinjtë që e kanë pasion sportin e bukur të topkëmbës. Mes tyre është edhe Raheem Sterling, i cili është ngacmuar në rrjetet sociale shpesh. Futbollisti i City e ngriti këtë çështje duke pyetur nëse kompanitë e rrjeteve sociale do e ndërmarrin ndonjë veprim kundër racizmit në faqet e tyre. Kapiteni i Watford, Troy Deeney, ka shkuar më tej dhe akuzon se përfitojnë nga “lumi” i komenteve që bëhen te lojtarët me ngjyrë.

“A dëshirojnë këto kompani t’i ndryshojnë gjërat? A duan ta ndalojnë abuzimin? Nëse një lojtar i nivelit të lartë, që është i zi, si Raheem Sterling, po përjeton abuzim me baza racore, atëherë të gjithë grumbullohen dhe komentojnë. Kjo rrit reklamat dhe fitimet”, pohon Deeney.

“Nëse unë lëviz në komentet e bëra tek unë në Instagram, i dhjeti poshtë ka një emoji racist. Kjo është nuk e pazakontë. Unë ndjek protokollin dhe e bllokoj, si dhe raportoj mesazhin në kategorinë e përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe simboleve. Pastaj më thuhet se një emoji me një majmun dhe banane nuk është racist”, vazhdon më tej Deeney. “Kam raportuar madje se jam quajtur “k***ë e zezë dhe më është thënë që nuk është gjuhë urrejtje. Ata duhet t’i ndryshojnë algoritmet e tyre për të pasqyruar ato postime që janë raciste, por a e duan këtë”, është shprehur Deeney për “The Sun”.

Derisa, një zëdhënës i Facebook ka komentuar për “Sky Sport” në lidhje me këtë çështje dhe thekson se nuk përfitojnë nga përhapja e gjuhës së urrejtjes dhe racizmit. “Gjatë viteve të fundit kemi investuar shumë në sigurt, madje kemi trefishuar numrin e personave që merren në këtë pjesë. Kemi ndërtuar teknologji të inteligjencës artificiale për të gjetur mënyrën për t’i zbuluar dhe hequr komentet me përmbajtje të tillë. Diskriminimi është një veprim shoqëror dhe duhet të veprojmë si kolektiv. Ne nuk duam asnjë formë diskriminimi në aplikacionet tona dhe madje po bashkëpunojmë me shoqata të ndryshme rreth edukimit”, ka thënë një zëdhënës i Facebook.