Shkup, 31 korrik – Pas arrestimit javë më parë të ish-ushtarit të UÇK-së Tomor Morina, në vendkalimin kufitar Bllacë-Han i Elezi, ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjerjgj Dedaj ka anuluar pushimet e tij për tu angazhuar në lirimin tij, shkruan gazeta KOHA.
“Kam vendosur ta ndërpresë pushimin, për të takuar autoritetet e Shkupit Zyrtar, që të lirohet Tomor Morina, i arrestuar padrejtësisht, në sajë të fletë arrestit serb! Diplomatët dhe kolegët e Ambasadës se Kosovës, në Shkup, kanë bërë të gjitha përpjekjet dhe angazhimet qe z.Morina sa më parë të lirohet dhe të kthehet në Kosovë”, është shprehur Gjergj Dedaj, ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, transmeton gazeta KOHA.
Përndryshe, Morina u arrestua javën e shkuar në pikën kufitare Blacë, sipas fletarrestit nga Interpoli. Ai në Serbi kërkohet nën dyshimet se kinse kreu krime lufte kundër civilëve serbë në Kosovë. Ndaj tij po e udhëheq Prokuroria serbe për Krime Lufte. Krahas kërkesës për ekstradim, Serbia duhet të paraqesë edhe dokumentet lidhur me lëndën, ndërkaq vendimin se kushtet janë plotësuar për ekstradim do ta sjellë drejtësia maqedonase. Vendimin përfundimtar rreth kërkesës së Serbisë e sjell Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë.
Në anën tjetër, reagime të shumta ka pasur lidhur me arrestimin e Morinës. Përpos zyrtarëve kosovarë, reagime pati edhe mes partive politike shqiptare në Maqedoni. Por kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka thënë se në këtë rast do të respektohet ligji. (koha.mk)