Sipas ish-deputetit Ilir Deda, qeveria e re në Kosovë duhet të ftojë njerëz me përvojë për të ndihmuar në procese të rëndësishme që e presin vendin.
Këtu ka përmendur publicistin Veton Surroi për të cilin ka thënë se VV e LDK duhet ta kërkojnë që ai t’u ndihmojë në dialogun me Serbinë.
“Prej vitit 2011 isha ithtar që marrëveshja finale me Serbinë të arrihet sa më shpejtë që është e mundshme. Kosova ishte peng i bashkëprocesit të tillë. Demokracia ishte peng. Kemi pas papërgjegjësi qeverisëse për shkak të dialogut. Tash është koha për qeverisje të përgjegjshme që duhet të përfundojë dialogun, në bazë të parimeve të qarta. Janë dy-tri parime që mund të arrijnë edhe konsensusin shoqëror. Tash është mundësia sepse e ke gjakun e freskët në qeverisje, jo njerëzit që kanë hipoteka e gjëra të tilla. Duhet të jenë afirmativë edhe Albini edhe Vjosa, proaktivë në komunikim me ambasadorin Grenell e shtetet tjera perëndimore që të tregojnë qartë kërkesat e Kosovës e pa çka Kosova s’e sheh një marrëveshje finale me Serbinë”, ka thënë ai.
“U duhen njerëz me përvojë. Së pari mendoj, po përmend edhe emra, ta marrë Veton Surroin, për të ndihmuar qeverisjen për këtë proces të ndërlikuar. Ta lusin që t’u ndihmojë. Duhet ta marrin pa qare për të treguar ndryshim. Kur je udhëheqës i mirë u jep njerëzve me përvojë detyra për ato që ti s’ke përvojë. Këtë e pres nga të dy partitë, sepse e dinë cilat janë mangësitë e tyre. Vjosa e ka thënë publikisht që do të bënte ekip më të gjerë ku ka përmendur Vetonin e të tjerë, për të ndihmuar shtetin për të ecur përpara”, ka shtuar Deda.
Deda: Qeverinë e re e presin sfida – nga veteranët deri tek dialogu
“Janë të papërvojë, por s’dua të them asgjë negative. Është mundësi e mirë dhe e realizueshme. Populli do t’ua fal moszgjidhjen e disa gjërave nëse u tregon se nuk po mundesh”.
Kështu tha Ilir Deda në Rubikon të KTV-së, duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai foli edhe për sfidat që e presin qeverinë e re, për të cilën ai u shpreh goxha i bindur se do të formohet mes LVV-së dhe LDK-së.
“Të gjithë kemi thënë se është problem çështja e veteranëve të rremë. Nuk i ka pas Kosova 60 mijë veteranë. S’mund të jenë 100 milionë euro për veteranë e 50 milionë për ushtrinë. Duhet të jetë e kundërta. Duhet t’u kthehet dinjiteti veteranëve të vërtetë të UÇK-së. Janë VV dhe LDK që mund të heqin atë diskreditim ndaj veteranëve, por duke respektuar rendin e ligjin e duke i respektuar veteranët e vërtetë, ndërsa për ata që s’kanë mundur të gjejnë punë në Kosovë, t’u bëjnë zgjidhje. Kanë njerëz të dijshëm boll qeverisja e ardhshme”, tha Deda.
Per opozitarizmin e kësaj qeverisë së re, Deda tha se PDK-ja ka kur ka qenë në opozitë, ka qenë shumë e fuqishme. Mirëpo, thotë se opozita e tanishme mund të jetë e diskredituar për momentin, por janë mediat dhe shoqëria civile që do të mbikëqyrin qeverinë e ardhshme.
“PDK, në vitin 2004-2007 ka qenë opozitë e shkëlqyeshme. Do të jenë opozitë e fortë. Ndoshta opozita për momentin është e diskredituar, por i kemi mediat e lira, që në rajon nuk ka. Kemi shoqërinë civile, qytetarinë më aktive se që ka qenë në të kaluarën. Qeveria e ardhshme do të ketë kontroll më të madh në opinionin publik. Më pëlqeu ideja e Albinit që ministri të jetë i një partie e zv/ministri i partisë tjetër. Kjo ka të bëjë me ndarjen e përgjegjësisë. Zv/ministri do të udhëheq gjysmën e ministrisë. Kjo është reformë. Kemi kontratë me BE-në, që është MSA-ja. Qeveria në rrafshin ndërkombëtar do ta tregojë seriozitetin e vet në zbatim të kësaj kontrate. Edhe dialogu me Serbinë do të jetë sfidues, dy partive do t’u duhet ndihmë shumë e madhe”, potencoi ish-deputeti, Ilir Deda.
“Dje pati reagim të madh të njerëzve kundër Sali Zybës. Partia duhet të thotë se nuk është qëndrim partiak dhe se anëtarët e VV-së nuk mund të kërcënojnë askënd. S’ka dobësi më të madhe se kur ti je më i fortë e i mëshon një të dobëti. Ajo s’bën të ndodhë dhe është e papranueshme, dhe duhet bërë presion VV-së që ta sanksionojë atë vepër. S’ka amnisti. Unë e njoh VV-në që ka qenë subjekt i shkelur nga partitë tjera. Kjo s’guxon të jetë e tillë, të hakmerret. Me urtësi VV-ja e rrit përkrahjen e vet. Duhet ta shohë edhe anëtarësia që ata nuk janë të njëjtë me të kaluarit”, tha Deda.
Deda: Fajtori për mosformimin e qeverisë VV-LDK do të ndëshkohet nga populli
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka thënë se kushdo që ndikon të mos formohet qeveria VV-LDK, do të ndëshkohet nga populli i Kosovës.
Duke folur për fitoren e opozitës në zgjedhjet e 6 tetorit, Deda ka thënë se as VV-ja e as LDK-ja nuk duhet të hanë fjalët që kanë thënë para zgjedhjeve.
“Ata s’kanë qare pa e formuar qeverinë. Nëse s’e formojnë qeverinë, fajtori do të ndëshkohet nga qytetari. Kanë thënë për dy vjet se do të jenë bashkë, e njëjtë edhe në fushatë. Tash nuk duhet të hanë fjalët e veta. S’e pres këtë. Ajo që pres është që më mirë do të ishte të nisnin sa më shpejtë diskutimet e të kenë dakordimin për 100ditëshin e parë, e për buxhetin që votohet në dhjetor”, ka thënë ai.
Sipas tij, të dy partitë duhet të bëjnë kompromise gjatë negociatave për formim të qeverisë. Ka thënë se aty si bashkim do të dalë programi i dakordimit dhe jo vetëm i njërës apo tjetrës parti.
Albin Kurti, kryetari i VV-së, sipas Dedës, pas kohës së gjatë në opozitë duhet të kuptojë se tash pas fitores në zgjedhje, “dallon të jesh udhëheqës nga ajo kohë që ka qenë”.
“Ka thënë se do të jem kryeministër i Kosovës e jo kryetar i VV-së. Aty duhet të arrijë”, ka deklaruar ai. “Kur je në një parti, apo udhëheqës, s’e ke idenë çfarë situate është i gjithë vendi. Ndryshe është si kryetar e ndryshe si udhëheqës kryesor. Ke me pas probleme të ndryshme, të natyrave të ndryshme”.
Deda ka thënë se qeverisja VV-LDK duhet të dëshmojë veten qysh në 100ditëshin e parë, duke marrë vendime të mëdha. Sipas tij, te këto vendime të mëdha përfshihet përkushtimi për qeverisje me duar të pastra e shtet ligjor.
“Qeveria ka të drejtë të bëjë kallëzim penal ndaj fakteve që janë për keqpërdorim të buxhetit dhe tregon vullnetin për qeveri të pakorruptueshme. Duhet të kenë plan afatmesëm e afatgjatë”, ka thënë ai duke shtuar se qeveria e re do të ketë disa “patate të nxehta” në mandatin e ri.
Ai ka thënë se dy partitë duhet të mbajnë premtimin për formim të qeverisë me vetëm 12 ministri. Ka thënë se aty duhet të jenë katër apo pesë ministri që udhëhiqen nga gratë.
Deda: Populli do t’i mbajë për fjale VV-në e LDK-në për premtimet e tyre
Ilir Deda, në Rubikon të KTV-së, ka thënë se zgjedhjet e 6 tetorit kanë sjellë një gëzim tek ai për daljen masive.
Ai tha se populli i Kosovës ka treguar kulturë me të cilën i tha se, jo vetëm që e kemi tejkaluar Ballkanin, por tha se i jemi afruar Skandinavisë me standard.
“Populli i afroi dy parti të opozitës për të marrë përgjegjësi për shtetin. Njerëzit po e ndiejnë veten të lirë në shtetin e lirë, me një vetëbesim, e kanë parë forcën e tyre të votës. Ka pasur shumë ngjarje në këto zgjedhje, PDK-ja e ka pranuar humbjen dhe ka deklaruar se do të dalë në opozitë”, ka thënë Deda.
Tutje, ai tha se Shqipëria e ka vlerësuar procesin zgjedhor si shembullor.
“Shqipëria tha se na keni shpëtuar me fytyrë në lidhje me organizimin e zgjedhjeve. I kemi dhënë shembull rajonit, më kanë shkruar nga rajoni. Mendoj se në periudhën shumë të rëndë në të cilën kemi kaluar së fundmi, njerëzit janë pjekur. Besimi i njerëzve që me votë kanë me e çliru vendin e tyre, më jep rehati për të ardhmen e vendit tonë. Nuk do të kemi më pushtete arrogante. Arroganca nuk do të ketë përkrahje në popull. Njerëzit i zgjodhën dy parti. I kanë dhënë një epërsi të vogël Albinit që të udhëheqë një qeveri reformatore bashkë me Vjosën. LDK është partia më e vjetër në Kosovë. Sot e kemi gjeneratën e re me Albinin e Vjosën, të cilët do ta krijojnë qeverinë e ardhshme, dhe kemi hipotekë të së kaluarës…”, tha ai.
Ai tha se ka një hatërmbetje për ndërkombëtarët që nuk e vlerësuan maksimalisht procesin zgjedhor, dhe thotë se është dashur të thonë se ishin shembull për rajonin.
Procesin zgjedhor të 6 tetorit e ka quajtur vlerë të cilën tha se duhet ta kultivojmë, ndërsa shtoi se elektorati do t’i mbajë për fjale partitë fituese për premtimet e dhëna.
Deda pati një apel për dy bartësit e listave, Albin Kurtin e Vjosa Osmanin.
“Ua kam dëgjuar programet. Shumica kanë qenë real. Por një gjë që do të doja që ata ta kenë parasysh, është emergjenca e situatës socio-ekonomike në vendin tonë. Neve na duhen masat në 100 ditëshin e parë. Na duhet ta shohim kahen e qeverisë në 100 ditët e para dhe fillimin e reformave. Të mos harrojmë se duhet patjetër të investojmë në ekonomi. Njerëzit tanë po presin thirrjet në ambasada për të marrë viza pune për të dalë jashtë”, ka thënë Deda.