Në fazën e dytë të decentralizimit kanë kaluar shumë pak komuna. Decentralizimi fiskal duhet të jetë një ndër top-prioritetet e Qeverisë. Pushteti qendror sillet si babai i madh për pushtetin lokal, ndërsa ai është pushtet burimor. Nuk është as Parlament, as Qeveri, thonë njohësit e rrethanave politike në vend duke folur për fazën e dytë të decentralizimit fiskal. Ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi pranon se për këtë çështja ka dallime konceptuale mes BDI-së dhe LSDM-së
Destan JONUZI
Shkup, 19 shkurt – Decentralizimi i pushtetit është pika programore e Qeverisë për të cilën kanë dallime konceptuale dy partnerët më të mëdhenj të koalicionit LSDM dhe BDI. Përderisa LSDM-ja, politikat e saj i orienton më tepër drejt centralizimit të pushtetit, BDI-ja e Ali Ahmetit, në anën tjetër, angazhohet për decentralizim sa më të madh fiskal. Deri më tani në këtë drejtim në Maqedoninë e Veriut është bërë vetëm se decentralizimi administrativ por jo edhe ai fiskal (financiar). Ky konstatim del nga raporti i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes lokale i cili thotë se vetëm se 20 % e komunave kanë kaluar në fazën e dytë të decentralizimit.
Se ka dallime mes partnerëve të koalicionit lidhur me decentralizimin e pushteti, nga ai qendror në lokal e thotë edhe vet zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. “Programi i Qeverisë është sublimat i dy programeve të LSDM-së dhe BDI-së. Po ashtu decentralizimi i pushtetit është shtyllë kryesore e Marrëveshjes së Ohritm, ose të jetë te qytetari. Kjo ka qenë ideja e Marrëveshjes së Ohrit që qytetarët të marrin përgjegjësi në nivel lokal, koncept ky i mirënjohur në praktikat ndërkombëtare dhe i promovuar tek ne nga eksperti francez Robert Badener, përmes sintagmës së tij të njohur “demokracia lokale”.
Sublimati i një programi qeveritar varet nga pikat esenciale të pjesëmarrësve në koalicion qeverisës. Jo çdo pikë programore përputhet, por është bërë kompromis mes pikave programore të LSDM-së dhe BDI-së. Kemi pak dallime konceptuale me partnerët tanë të tanishëm, por kishim dallime edhe me ish-partnerët tanë, rreth asaj se ne duam decentralizim maksimal ndërsa partnerët tanë duan decentralizim të përshkallëzuar dhe më të ngadaltë, ku qendra i kontrollon mjetet, dhe jep po aq sa mendon se duhet tu jep komunave”, deklaroi Grubi në paraqitjen e tij të fundit televizive. Ai sqaron se këto janë dallime konceptuale dhe prandaj është zgjidhja graduale e rritjes së të ardhurave nga tatimet për komunat. “Ky është kompromisi i cili bëhet për të arritur deri te ndonjë zgjidhje finale e cila duhet të arrihet ndoshta në disa vite në vijim. Për arsye se është dallim konceptual se si ti qaset buxhetit”, thekson Grubi.
Analisti Sefer Selimi konsideron se decentralizimi fiskal duhet të jetë një ndër top-prioritetet e Qeverisë. “Në fazën e dytë të decentralizimit kanë kaluar shumë pak komune. Decentralizimi fiskal duhet të jetë një ndër top prioritetet e Qeverisë. Për arsye se është komuna ajo që i dinë më mirë se ku janë problemet dhe hallet e qytetarëve. Kur i jep përgjegjësi pushtetit lokal, por jo edhe parat i bënë dëm edhe komunës, por i lë zvarrë edhe projektet në interes të qytetarëve”, shprehet Selimi.
Për njohësin e rrethanave politike në vend, Albert Musliu, pushteti qendror sillet si “vëllai” i madh ndaj komunave, andaj është e nevojshme që të punohet shumë jo vetëm se në decentralizimin fiskal të komunave, por edhe në ndërtimin e kapaciteteve. “Pushteti qendror sillet si babai i madh për pushtetin lokal, ndërsa ai është pushtet burimor. Nuk është as Parlament, as Qeveri. Jo vetëm për kthimin e tatimeve, por duhet të punohet edhe në ndërtimin e kapaciteteve. Komunat tona kanë qenë më të centralizuara në vitin 1990, me një vendim të Qeverisë në vitin 1991 komunat tona u centralizuan. Duhet të kthehet fokusi edhe në ndërtimin e kapaciteteve nëpër komuna për thithjen e fondeve. Decentralizimi fiskal te ne është bërë sipërfaqësor “, thekson Musliu.
Ndryshe, sipas të dhënave zyrtar afër 20 për qind e komunave kanë kaluar në fazën e dytë të decentralizimit, ndërsa pjesa tjetër e ka kaluar vetëm se pragun e decentralizimit administrativ. Edhe këto komuna që kanë kaluar në fazën e dytë, në të shumtën e rasteve ballafaqohen me obstruksione të natyrave të ndryshme gjatë ushtrimit të pushtetit. (koha.mk)