Decentralizimi fiskal, mund të jetë mollë sherri

258

Pika referuese e Qeverisë është konsensusi mes partnerëve të koalicionit LSDM-BDI-BESA, për shkak të pajtueshmërisë rreth programit të përbashkët qeverisës, por për të cilin nuk është dhënë sqarim se sa për qind e objektivave të partive shqiptare janë përfshirë. Edhe përkundër kësaj, së fundmi mes dy “shtyllave” kryesore të koalicionit janë shfaqur dallime për decentralizimin fiskal dhe pabarazisë etnike ekonomike. “Dallimet te decentralizimi mund të jetë “mollë Sherri” pasi partitë maqedonase ndarjen e bëjnë për ti dëmtuar shqiptarët”, komentojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend

Destan JONUZI

Shkup, 22 shtator – Përveç dallimeve konceptuale në mes të dy partnerëve më të mëdhenj qeveritar Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) rreth decentralizimit fiskal, së fundmi janë shfaqur dallime edhe mbi konceptin e BDI-së që të financohen kompanitë private që do të punësojnë shqiptar. Ky projekt sipas BDI-së është që të arrihet barabarësia etnike edhe në ekonomi. Se ka dallime për çështjen e decentralizimit fiskal mes LSDM-së dhe BDI-së e ka pranuar edhe vet zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi. “Kemi pak dallime konceptuale me partnerët tanë të tanishëm, por kishim dallime edhe me ish-partnerët tanë, rreth asaj se ne duam decentralizim maksimal ndërsa partnerët tanë duan decentralizim të përshkallëzuar dhe më të ngadaltë, ku qendra i kontrollon mjetet, dhe jep po aq sa mendon se duhet tu jep komunave. Është dallim konceptual se si ti qaset buxhetit”, thekson Grubi.

Ndërkohë edhe pas paralajmërimeve se do të subvencionohen kompanitë private që do të punësojnë shqiptar dhe pjesëtarë të komuniteteve tjera etnike, u shfaqën dallime mes LSDM-së dhe BDI-së. Pas paralajmërimit të kryeministrit të parë Artan Grubi se do të stimulohen kompanitë private që do të punësojnë shqiptare dhe pjesëtarë të komuniteteve tjera, ka reaguar zëvendëskryeministri për çështje ekonomike nga radhët e LSDM-së, Fatmir Bytyqi. “Qasja e qeverisë së mëparshme dhe e kësaj qeverie është e njëjtë. Çdo qytetar është i barabartë dhe merr mundësi të barabarta dhe trajtim të barabartë. Mendoj se është mosmirënjohëse të synosh që paratë publike të shpërndahen në baza etnike. Për një fëmijë me të vërtetë të sëmurë, a do të duhet të pyesim nëse ai fëmijë është shqiptar, turk apo maqedonas dhe kështu të japim paratë. Mendoj se në një shoqëri të drejtë, duhet ta harrojmë atë. Qasja e vetme duhet të jetë që fondet publike të arrijnë atje ku duhet”, tha Bytyqi.

Por, a ka dallime tjera konceptuale të dy partnerëve më të mëdhenj të koalicionit qeveritar? Njohësi i rrethanave politike në vend Ismail Arsllani thotë se çdo Qeveri, sikundër edhe kjo e Maqedonisë së Veriut, duhet të punojë më me transparencë, që të mund opinioni publik ta ndjekë punën e saj. “Aq sa po na jepet mundësia për ta përcjellë punën e kësaj qeverie, të koalicionit qeverisës ndërmjet LSDM-së, BDI-së dhe Lëvizjes Besa, nuk shohim që të ketë konfrontime pak më serioze mes tyre, nga shkaku se secila prej tyre, para formimit të koalicionit, i kanë “hekurosur” programet dhe platformat e tyre partiake, që është një kusht i shtruar paraprakisht, por, në fakt, më tej, gjatë mandatit qeverisës shohim një majorizim dhe shkelje të këtyre parimeve demokratike, në dëm të partive shqiptare. Arrihet gjoja një konsensus mes tyre për çështje të ndryshme jetike, por, në fund, ndodh që partitë shqiptare të veprojnë kundër interesave të veta, për çka elektorati që i ka votuar mbetet i pakënaqur”, deklaroi për KOHA, Arsllani.

Ai thekson se një qasje e këtillë e kushtëzimeve paraprake të partive shqiptare për formimin e koalicionit qeverisës është një gabim, që bëhet pikërisht nga ato parti shqiptare, në rastin konkret BDI dhe BESA, të cilat me vetëdije viktimizohen. “Megjithatë krijohet një përshtypje në opinion publik nga mediat maqedonase, gjoja se këtë qeveri e udhëheq BDI-ja. Për një vlerësim të tillë është herët të flitet. Për një qeverisje konstruktive duhet të ketë një ‘opozitë’ brenda qeverisë, për t’i kundërshtuar qëndrimet dhe vendimet që dalin prej saj, të cilat, gjithherë nuk janë në interesin e të gjithëve. Përkulja e kurrizit nga ana e partive shqiptare para parimeve dhe kritereve që janë vendosur që në fillim të qeverisjes, nuk u sjellë kurrgjë të mirë në planin afatgjatë”, nënvizon Arsllani.

Në anën tjetër, profesori universitar Arsim Sinani thotë se dallimet mes LSDM-së dhe BDI-së i sheh si dallime në qeverisje, pasi që BDI njihet si parti që ka qeverisë pa ndalë dhe kuptohet është partia më e pandëshkuar për bëmat e saj. “Dallimet te decentralizimi mund të jetë mollë sherri pasi partitë maqedonase ndarjen e bëjnë për ti dëmtuar shqiptarët. Shikoni çfarë komunash kanë krijuar, fantazma krejt këto për ta dëmtuar trupin real të shqiptarëve. Pasi decentralizimi fiskal nënkupton se duhet mbuluar komunat që kanë ekzistuar nga djersa e shqiptarit. Decentralizimi mund t’iu dhemb maqedonasve, pasi që mund t’i humbin disa komuna artificiale që janë krijuar nga sugjerimet e Akademisë maqedonase e që janë të kota”, thekson Sinani.

Ndryshe, Qeveria Zaev2 ende nuk ka arritur te 100 ditë nga fillimi me punë, ndërkohë qe janë shfaqur dallime konceptuale mes partnerëve të koalicionit. Pika referuse e Qeverisë Zaev2 është konsensusi mes partnerëve të koalicionit LSDM-BDI-BESA, për shkak të pajtueshmërisë rreth programit të përbashkët qeverisës, por nuk dihet më saktësi se sa për qind kanë hyrë objektivat nga partitë shqiptare. (koha.mk)

Comments are closed.