Bujar KURTAJ
Shkup, 8 nëntor – Javën e kaluar në rrethinën Stenkovec në Shkup u mbajt gara nga “BMU Europen enduro Skopje 2017” në Motorkros. Këtë vit morrin pjesë 6-të shtete si nikoqiri Maqedonia, pastaj BeH, Serbia, Bullgaria, Rumania dhe Finlanda, respektivisht 80 garues, ku prej tyre 50 e përfunduan garën, ndërsa më tepër se 30 garues kishte në klasin E1 dhe E2.
Por, ajo që e shënoi këtë eveniment ishte paraqitja e klubit shqiptar “Motorcross Shkupi”, e cila debutoi për herë të parë në një eveniment të tillë. Ndërkaq, garuesit shqiptar garuan në kategorinë E2 dhe arritën të plasohen në pozitën e dytë, që paraqet një sukses të madh. Nga ky klub u shprehën të kënaqur me paraqitjen në këtë eveniment dhe paralajmërojnë se në të ardhmen do të arrijnë rezultate edhe më të mëdha.
“Sigurisht se jemi të kënaqur pasi për ne kjo ishte paraqitja e parë në një eveniment siç ishte ky. Pas përfundimit të garave, nga organizatorët morëm lëvdata, ndërsa përkrahja në këtë eveniment ishte dukshme e madhe, pasi mbështetje kemi pasur nga sponsor të shumtë”, shprehet ekskluzivisht për gazetën KOHA, njëri prej pjesëmarrësve në këtë kampionat dhe klubit shqiptar “Shkupi”, Ramiz Dauti.
Dauti, mes tjerash flet edhe për themelimin e “Motorcross Shkupi” dhe ambiciet e saj. “’Motorcross Shkupi’ është klubi i vetëm shqiptar në Maqedoni në Motorkros, ndërsa u formua në vitin 2014. Në fillim këtë sport e kishim vetëm si hobi apo rekreacion gati se për çdo vikend, por më pas me shokët që tani janë pjesë e këtij klubi erdhën në përfundim që të formojmë klubin ‘Motorcross Shkupi’, klub i cili njëkohësisht do ti përfaqësojë shqiptarët e Shkupit”.
“Aktualisht jemi 7-të anëtarë ku pos mua janë edhe Abdulla Abazi, Isen Idrizi, Fadil Morina, Alajdin Sali, Flamur Bajrami dhe Enes Jashari”, vazhdon më tej Dauti.
Në fund Dauti pret që klubin e tyre ta mbështet edhe Komuna e Çairit, pasi siç thotë ai klubi i tyre prezanton edhe këtë komunë në çdo eveniment që do të merr pjesë.
“Ne në fakt kemi mbështetje nga sponsor të ndryshëm, por presim që së shpejti të realizojmë ndonjë takim me kryetarin e Komunës së Çairit Visar Ganiu dhe besojmë se mbështetja e tij nuk do të na mungojë. E them këtë pasi ne siç thash më lartë i përfaqësojmë gjithë shqiptarët e Shkupit, pro edhe këtë Komunë.
“Besojmë se e gjithë kjo do të realizohet, ndërsa mbështetjen të cilën ata do të na japin, por edhe të tjerët, do t’ua shpaguajmë me arritje të mëdha”, përfundoi Ramiz Dauti, njëri nga 7-të anëtarët e klubit “Motorcross Shkupi”, duke thënë se në të ardhmen presin që të organizohen evenimente edhe më të mira se ky në Stenkovec ku klubi i tyre do të shënojë rezultate të mira.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.