Debutoi me kombëtaren, mesfushori kuqezi ëndërron Kroacinë!

Mjaftuan 9 minuta në fushën e blertë për të ëndërruar… Kristi Qose, futbollisti shqiptar i lindur në Korçë dhe që luan me Ruzomberokun, në kampionatin sllovak, ia ka dalë të debutojë me kombëtaren e vendit të tij, pasi katër herë kishte qëndruar në stol.

Mundësia iu dha gjashtë minutat e fundit të ndeshjes, që bashkë me shtesën shkuan 9. Sigurisht, aktivizimi i tij lidhej edhe me vonesën e lojës dhe freskinë në mesfushë, po për 24 vjeçarin do të jetë një natë që do të mbahet mend gjatë.

Në fund të takimit, në intervistën e dhënë për mediat, Qose u ndal te atmosfera, debutimi dhe merkato, ku e ardhmja e tij mund të mos jetë më në Sllovaki.

“Atmosfera ishte shumë mirë! Tifozët na kanë përkrahur deri në fund. Zhvilluam një lojë të bukur dhe kemi besim për të ardhmen. Kualifikimi? Shpresojmë!”.

“E kam pritur me padurim debutimin dhe nuk kam pasur problem. Kam pasur gjithmonë durim dhe n ekipe. Më dha shansin trajneri dhe shkoi mirë. Trajneri donte një lojtar më shumë mbrojtës dhe prandaj më futi mua por shpresoj të shkoj në një kampionat më të fortë”.

Në fund, e ardhmja: “Pres menaxherin pasi kam 2 oferta dhe asgjë zyrtare. Ende nuk është hapur dritarja e transferime. Është e vështirë nga kampionati sllovak të shkoj në Serinë A, por shpresoj në Slloveni apo Kroaci”.

Qose ka luajtur këtë sezon që u mbyll 29 ndeshje duke realizuar 9 gola.