Ansi Agolli zhvilloi një debutim special në ndeshjen e parë të vitit me ekipin Amerikan Nju Jork Kozmos. Ai zhvilloi një performancë të mirë në fitoren 2-0 që ekipi i tij arriti ndaj Atletik Mitçel. Edhe pse 36-vjeç, një veteran si ai mund të emocionohet ende.
“Ishte një përvojë e mirë ndeshja ime e parë. Kam pasur emocione përpara ndeshjes sepse ishtë një skuadër e re. Kozmos nuk është vetëm një ekip për mua, por një përgjegjësi. Çdo gjë shkoi në rrugën e duhur dhe jam i lumtur për rezultatin në takimin e parë”, u shpreh Agolli.
Mediat përtej oqeanit thurin elozhe për performancën e shqiptarit. “Nëse do të shikonit takimin do të mendoni se Agolli luante në mesfushë”, por Agolli e kupton mirë këtë. “Në futbollin e sotëm kjo duhet. Mbrojtësit e krahut duhet të ndihmojnë sulmin, kjo varet edhe nga trajneri, ky i yni pëlqen që lojtarët të shkojnë lart për të sulmuar. Trajneri Mendes u përshtat me stilin tim. Kam luajtur kështu më parë.” shtoi Agolli.
Ish-kapiteni i kombëtares sonë është vendosur në Shtetet e Bashkuara me familjen e tij dhe po jeton në një lagje të komunitet shqiptar në Nju Jork. “Kam filluar një lidhje dhe ata janë interesantë. Ishin në ndeshjen time të parë dhe shpresoj se do të ketë më shumë shqiptarë për të mbështetur ekipin. E dija që Kozmos ka mbështetësit e tyre besnikë.”, përfundoi Agolli.
Ndeshja e rradhës e ekipit do të jetë përballë Black Rock Fc në raundin e parë të Kupës së Amerikës në datën 8 maj.