Vendimi i Qeverisë për të dëbuar diplomatin rus ditë më parë, vlerësohet në formë të ndryshme nga ekspertët. Analisti, Ismet Ramadani vlerëson se me këtë veprim Qeveria jo vetëm që ka rikonfirmuar përcaktimin pro-evropian dhe pro-euroatlantik, por gjithashtu i është kundërpërgjigjur kërcënimit paraprak të Rusisë.
Mendoj se është vendim i mirë i Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë, për shkak se Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë disa ditë më parë kur e ftoi ambasadorin e Maqedonisë në Moskë në fakt nuk foli me gjuhë diplomatike. Sepse nëse e kalon kufirin në diplomaci dhe thua se do të ketë pasoja shteti dhe reperkusione në rast se anëtarësohet në NATO, ajo është përzierje flagrante në punët e brendshme të një shteti – tha Ismet Ramadani, Analist.
Megjithatë ish ambasadori, Gjorgji Misajlloski vlerëson se dëbimi i ambasadorit rus nuk sjell asnjë dobi në perspektivën euro-atlantike, por vetëm krizë në marrëdhëniet ruso-maqedonase.
Të dëbuarit e një diplomati rus nga Shkupi, nuk është hap racional diplomatik. Moska nuk do të reagojë në mënyrë të ngjashme, për shkak se praktikisht nuk ka kë ta dëbojë nga Moska. Reagimi i tyre do të jetë më subtil dhe më i vonuar. Thënë më thjeshtë, dëbimi i diplomatit rus nuk do ta forcojë pozitën tonë në BE dhe në marrëdhëniet bilaterale me Britaninë e Madhe – theksoi Gjorgji Misajlloski, Ish ambasador.
Dëbimin e diplomatit rus e dënon partia pro-ruse në vend, “Maqedonia e Bashkuar”.
Ne e dënojmë aktin e dëbimit të diplomatit rus dhe nuk pajtohemi me këtë lloj punësh. Japim mbështetje të plotë që diplomati rus të mbetet në Republikën e Maqedonisë. Rusia nëse bën ndonjë bllokadë ndaj Maqedonisë, prodhimet tona bujqësore të mos eksportohen, armata jonë të mos mund të merr armë, i gjithë armatimi është rus, mund të ndodhë ndonjë kolaps në ushtri – tha Dragan Ugrinov, “Maqedonia e Bashkuar/Vetme”.
Mbrëmë një grup qytetarësh protestoi para Ambasadës së Rusisë, duke shprehur revoltë ndaj vendimit të Ministrisë së Jashtme dhe mbështetje për diplomatin e dëbuar, identiteti i të cilit zyrtarisht mbetet i pazbuluar./ALSAT/