Nga Qerim LITA
Tokat shqiptare të sanxhakut të Nishit me kazatë e Prokupjes, Kurshumlisë, Leskovcit, Nishit dhe të Vranjës, me vendim të Kongresit të Berlinit iu aneksuan Serbisë. Menjëherë pas kësaj ushtria serbe ndërmori një aksion të gjenocidit mbi shqiptarët e këtyre krahinave. Vendbanimet me popullsi shqiptare të rretheve të Toplicës, Leskovcit, Kurshumlisë, Prokupjes dhe Vranjës u shkretuan plotësisht, popullsia shqiptare u masakrua në mënyrën më barbare dhe u detyrua të shpërngulet nga vatrat e tyre. Vetëm në Vilajetin e Kosovës endeshin rreth 100 mijë burra, gra e fëmijë, të shpërngulur nga zona e pushtimit serb. Të dhënat që i ofron akademik Kristaq Prifti, viset shqiptare të sanxhakut të Nishit kapnin një sipërfaqe prej 10.900 km2, me 614 fshatra dhe 8 qytete dhe me një popullsi prej më shumë 107.000 frymësh. Sipas tij, vendbanimet me popullsi shqiptare të rretheve të Toplicës, Leskovcit, Kurshumlisë, Prokupjes dhe Vranjës u shkretuan plotësisht, popullsia shqiptare u masakrua në mënyrën më barbare dhe u detyrua të shpërngulet nga trojet etnike. Këtë mision e kryente ushtria dhe bandat çetnike serbe sipas një plani të paramenduar nga mbreti i Serbisë Millan Obrenoviqi, që parashikonte pastrimin etnik të territoreve me popullsi shqiptare dhe aneksimin e tyre nga shteti serb. Për këtë qëllim në proklamatat që u kishte drejtuar ushtrisë ai u bënte thirrje ushtarëve që “sa më pak arnautë dhe turq të mbeteshin nën Serbinë aq më i madh do të ishte shërbimi i tyre ndaj atdheut”. Ipas urdhërave të komandës serbe u masakruan e u vranë mijëra shqiptarë sidomos ata të moshës mbi 12 vjeç, të tjerët fëmijë e gra shpërnguleshin me forcë dhe detyroheshin të kalonin të zhveshur e të zbathur drejt tokave të papushtuara ende nga serbët.
Për gjenocidin serb mbi popullsinë shqiptare të këtyre krahinave ofrohen të dhëna të bollshme edhe nga studiues ndërkombëtar. Studiuesi anglez, Jospf Swire, në librin e tij me titull “Shqipëria ngritja e një mbretërie”, botuar më 1929 në Londër, duke e përshkruar terrorin serb mbi popullsinë shqiptare të këtyre krahinave shprehet: “Me Traktatin e Berlinit Serbia mori zgjerime territorial, duke përfshi rajonet e Kurshumli-Vranjë… Në fakt, 100.000 shqiptarë të këtyre rajoneve u shpronësuan dhe u dëbuan përtej kufirit me një brutalitet të tmerrshëm. Në dritën e pretendimeve të mëvonshme të Serbisë për Shqipërinë Veriore, kjo duhet mbajtur parasysh…”.
Lidhur me dëbimin e dhunshëm të popullsisë shqiptare të këtij sanxhaku më së miri përshkruhet në një dokument shqiptar, me titull “Kufijt e Shqipnis Ethnike”, autor i të cilit është studiuesi dhe diplomati i shquar shqiptar, Hamit Kokollari.. I njëjti është botuar i plotë në përmbledhjen “Tokat e liruara”. Edhe pse nuk figuron data e hartimit të tij, shikuar për nga përmbajtja, i njëjti duhet të ishte hartuar në prag të kapitullimit të Mbretërisë jugosllave (mbarimi i vitit 1940 dhe fillimi i vitit 1941) kur ai ishte konsull shqiptar, fillimisht në Beograd e më pas në Shkup. Një pjesë të konsiderueshme të këtij studimi autori ia ka kushtuar tokave verilindore shqiptare, të cilat siç tham më lartë, me vendim të padrejtë e arbitrar të fuqive të mëdha iu aneksuan Serbisë. Në të thuhet se të gjitha krahinat të përmbledhura “në qytetet e Kurshumlis, Prokupjes dhe Leskovcës”, përkatësisht “e tërë lagjeja e lumit të Toplicës”, deri afër mbarimit të shekullit të 19-të “kanë qenë të banueme me popullsi Shqiptare”. Kjo sipas Kokollarit dëshmohet nga “shkrimtarët dhe dijetarët e paanshëm” të cilët i kanë vizituar ato krahina, duke e veçuar ish konsullin e përgjithshëm të Austro-Hungarisë, Lipiç, shkrimet e të cilit siç pohon “janë raportuem prej Karl Sax-it..”. “Këto vende – thuhet në vazhdim të dokumentit – me të vërtetë nuk kan ma sot popullsi shqiptare (veç nji pakicë shumë të vogël), pse barbarizma serbe i ka çfarosë me nji system e metodë qi njifet edhe sot mbasi edhe në kohët e tashme asht tue i zbatuem po ato masa për çdukjen e racës shqiptare nëpër viset e Kosovës e të Shqipnis Lindore. Gjinden edhe sot shumë plaka e pleq t’atyne viseve të humbuna më 1878, qi rrojnë si emigrant në viset e ndryshme të Kosovës e qi mbajnë mend edhe vuajtjet qi kanë pasë prej serbëve; këto vuajtje ata u a kallëzojnë me mallëngjim nipënvet e stërnipëvet të vet”. Më pas studimi, ndalet te Lidhja e Prizrenit, e cila, përkundër veprimtarisë së bujshme e të gjithanshme, megjithatë, ajo nuk arriti ta shpëtoj “krejt Atdheun pa u-dhune e pa u-cunguem”, për arsye se siç do të shprehet: “pat ndeshë në kundërshtimin jo vetëm të fqinjëve lakmues por edhe të fuqive të mëdhaja të atëhershme me qytetni false të pluto-demokracivet” të cilat i përkrahën dhe i ndihmuan në çdo mënyrë, sikundër dihet në histori “armiqtë tonë t’ue u falë atyne tokat thjesht shqiptare”. Vendet shqiptare të shkëputura nga Shqipëria Veriore, thuhet në vazhdim të studimit “i u patën dhuruem nga Kongresi i Berlinit të 1878 dy fqinjëve tonë sllavë, Malit të Zi dhe Serbis” për arsye se ata patën përkrahje këmbëngulëse në atë kongres “prej Rusisë së carëve qi donte rritjen e fuqis sllave në Ballkan…”. Në këtë mënyrë Serbia “pat marrë gjithë kazatë e Kurshumlisë, të Prokupjes, të Leskovcës edhe të Vranjës, qi kanë pasë atëhrë nji popllsi thjesht shqiptare”. “Nji pjesë e kësaj popullsije – përfundonte kjo pjesë e studimit – u çfaros barbarisht prej pushtuesvet edhe nji pjesë e salvueme rreptë u shtrungue të shpërngulet prej atyne viseve t’ue i lanë atje votrat, trojet e vorret e stërgjyshënvet. Këta sot ndodhen të shpërndamë në ish vilajetin e Shkodrës edhe në atë të Kosovës e madje edhe në Turqi…”.
Çështja e muhaxhirëve të Nishit haset edhe në burimet sllave, përkatësisht serbe e maqedonase. Në konferencën ndërministrore të Qeverisë së Mbretërisë jugosllave, e cila u mbajt më 20 shtator 1935 në Beograd, në të cilën është trajtuar çështja e shpërnguljes së popullsisë shqiptare, këshilltari i Ministrisë për Punë të Jashtme, Milivoje Millçiç, vuri në dukje se kjo çështje nuk ishte diçka e re, pasi e njëjta ekzistonte që nga viti 1878, duke ua përkujtuar pjesëmarrësve muhaxhirët e Nishit. Një përvoj e tillë, mund të zbatohej edhe në atë kohë pasi siç theksoi “ne jemi në marrëdhënie miqësore me Turqinë”, prandaj në afat prej disa muajve mund ta zgjidhim çështjen e shpërnguljes së popullsisë shqiptare. Në vazhdim ai propozonte që bartës të këtij procesi të jetë Ministria e Bujqësisë, e cila me ndihmën e një planifikimi të organizuar: “duhet ta përmbys kompaktësinë shqiptare”, duke vendos në çdo fshat shqiptar nga disa familje të popullsisë sllave, ndërsa “përgjatë kufirit duhet pastruar në tërësi një brez të shqiptarëve…”. Ky propozim u pranua nga të gjithë pjesëmarrësit, duke u përfshi në pikën e parë të konkluzioneve të konferencës, ku thuhej shprehimisht: “Me qeverinë turke duhet të iniciohet çështja e shpërnguljes e të insistohet e njëjta të zgjidhet në mënyrën e njëjtë, ashtu sikurse është bërë me Rumaninë, përkatësisht, përmes rrugës së një konvente…”.
Në fillim të viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar, përkatësisht pas të ashtuquajturës “Marrëveshjes Xhentlemene”, midis Titos dhe diplomatit turk Fuat Kyprili, e cila parashihte shpërnguljen e 400.000 myslimanëve (shqiptarëve) për në Turqi, si territor i vetëm nga ku do të mund të zbatohej ky proces u shpall RS të Maqedonisë. Për rrjedhojë, udhëheqja komuniste maqedonase, në shkurt të vitit 1952, hartoi një Analizë prej 40 faqeve, e cila shqiptarët i paraqiste si “jo autokton”, përkatësisht “ardhacak”, të cilët “me bekimin e autoriteteve osmane” na i paskan “pushtuar toka sllave”. Në të veç tjerash përmenden edhe muhaxhirët e Nishit, një pjesë e të cilëve ishin vendos në fshatrat e Fushëgropës së Kumanovës: Tabanoc, Nakushtak, Mateç, Opajë, Sllupçan, Llopat, Llojan, Orizare etj. Muhaxhirët e sanxhakut të Nishit përmenden edhe në elaboratin me titull “Shqiptarët në RS të Maqedonisë”, i hartuar po në atë periudhë kohore nga kuzhinat e Byrosë Politike të PKM-së. Në të veç tjerash thuhet se gjatë dhe pas luftës turko-ruse 1876-1878, “filloi depërtimi i shqiptarëve edhe në rrethin e Kumanovës”, dhe se fshatrat e tashme shqiptare: Mateç, Opajë, Sllupçan, Llopat, Llojan etj: “janë burim për popullzimin dhe zgjerim të shqiptarëve në qytetin e Kumanovës”.
Një përshkrim më të zgjeruar rreth muhaxhirëve të Nishit, haset në Vështrimin, të hartuar më 21qershor 1982 nga Komiteti Republikan për Marrëdhënie Ndërkombëtare të RS të Maqedonisë, ku bëhet përpjekje që në mënyrë kronologjike të përshkruhet procesi i shpërnguljes së shqiptarëve për në Republikën e Turqisë duke filluar nga periudha e procesit të rënies së Perandorisë Osmane e deri te periudha pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Në të veç tjerash thuhet se, shpërngulja më masive të popullsisë shqiptare, filloi nga viti 1875 deri 1878, kur erdhi deri te migrimi masiv i popullsisë, të nxitur nga kryengritjet dhe luftërat kundër Perandorisë Osmane. Popullsia krishtere, në përmasa më të mëdha ajo serbe: “vendosej në viset e çliruara” , ndërsa “shqiptarët tërhiqeshin me ushtrinë turke”. Një dukuri e tillë, sipas shovinistëve komunist maqedonas, nuk ishte rrjedhojë e dhunës dhe terrorit serb, por, nga politika e atëhershme e eprorëve ushtarak turk, të cilët siç thuhet: “e kishin si traditë që me tërheqjen e ushtrisë së vet nga një krahinë në tjetrën ta ftojnë popullsinë myslimane të niset me ta në tokën e sulltanit…. Kështu, në vitin 1877 janë ruajtur urdhëresat, sipas së cilave ‘pas ushtrisë turke, duhet të ngelet shkretëtirë’ dhe njëkohësisht është kryer mobilizimi i mjeteve të udhëtimit e tjera për tërheqjen e popullsisë…”. Tërheqja masive siç thuhet e “kombeve të islamizuar” në atë kohë na paska qenë motivuar “nga refuzimi për të shërbyer në shtet jo mysliman”, sepse myslimanët “nuk mund të adaptohen të jetojnë së bashku me krishterët ose nën pushtimin e tyre”. Prandaj, përfundonte dokumenti: “turqit dhe kombet tjera të islamizuar, në mesin e tyre edhe shtresa të caktuara të shqiptarëve, i shitnin pronat dhe shpërnguleshin në Turqi, në mesin e njerëzve të kësaj tradite, feje dhe race. Ngjashëm ishte edhe në viset, të cilat me vendimet e Kongresit të Berlinit në vitin 1878, iu bashkëngjitën Malit të Zi dhe Serbisë ku popullsia myslimane refuzonte t’i shërbejë ushtrisë malaziase….”.
Një konstatim i tillë, i dalë nga udhëheqja e atëhershme komuniste maqedonase, e cila ndryshe, njihej si udhëheqja më anti-shqiptare, madje edhe se ajo serbe, nuk mund të merret për bazë, aq më tepër kur tash më botërisht dihet se dëbimi i popullsisë shqiptare nga sanxhaku i Nishit, ishte i imponuar nga dhuna, terrori dhe gjenocidi serb-madh mbi ta, e jo nga “dëshira” dhe “vullneti” i tyre për të jetuar në “një shtet mysliman”, siç ata përpiqen ta plasojnë përmes këtij vështrimi. (koha.mk)