Në javët në vazhdim, sërish do të hapet një debat më i gjerë me biznesin, profesionistët, fakultetet… për tatimin e sheshtë apo progresiv në të ardhura, si dhe për llojet e tjera të tatimeve në vend. Ministri Besimi thotë se megjithatë nuk do të imponohet qëndrimi për tatimin për shkak se nevojitet që ai të arrijë më shumë qëllime siç është përmirësimi i efikasitetit të sistemit tatimor, përmirësimi i shërbimeve, si dhe drejtësi në raport me tatimet
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 2 mars – Në muajt në vazhdim, në Maqedoninë e Veriut sërish do të hapet një debat i gjerë me biznesin, profesionistët, fakultetet… për tatimin e sheshtë apo progresiv në të ardhura, si dhe për llojet e tjera të tatimeve në vend. Ministri i Financave, Fatmir Besimi, thotë se Qeveria ka pranuar që në muajin mars të hapet debati për reformën e sistemit tatimor, përfshi edhe tatimin progresiv. “Në javët e ardhshme do të kemi takime me të gjithë faktorët relevant në shoqëri se cili do të ishte sistemi më optimal tatimor për vendin. Nuk do të imponojmë qëndrimin për tatimin për shkak se nevojitet që ai të arrijë më shumë qëllime siç është përmirësimi i efikasitetit të sistemit tatimor, përmirësimi i shërbimeve, drejtësi në raport me tatimet, etj”, thekson Besimi. Sipas tij, digjitalizimi dhe tatimet e gjelbërta së bashku me çështjet e lartë përmendura do të jenë prioritet dhe do të nënkuptojnë reforma serioze në sistemit tatimor në suaza afatgjate, që do të ngjasojnë me ato të shteteve të zhvilluara evropiane.
Në ndërkohë, angazhimet e Qeverisë aktuale në mandatin e saj të parë ishin aplikimi i tatimit progresiv në të ardhura nën arsyetimin si shtet karakterizohemi me pabarazi të lartë të të ardhurave dhe varfëri. Nga 1 janari i vitit 2019 hyri në fuqi Ligji për tatimin në të ardhurat personale i cili zëvendësoi Ligjin për tatim personal në të ardhura dhe me të cilin në vitin 2019, krahas shkallës prej 10 për qind, u vendos edhe shkalla progresive prej 18 për qind që zbatohej për shumën që e tejkalon bazën tatimore prej 1.080.000 denarë për të ardhurat e realizuara nga puna, kryerja e pavarur e veprimtarisë, të drejtat autoriale dhe të ngjashme, si dhe të ardhurat e realizuara nga shitja e prodhimeve bujqësore. Të dhënat e Drejtorisë për të Ardhura Publike tregojnë se në vitin 2019, mbi 30 mijë qytetarë janë tatimuar me shkallën progresive dhe për ta është përcaktuar tatim me vlerë prej 6.631.176.822 denarë, prej të cilit 1.789.823.499 denarë është përllogaritur me shkallë n prej 18 për qind. Në raport me vitin 2018, në vitin 2019 janë rritur në total të ardhurat për 1.802.135.011 denarë. Njëherësh është shënuar rritje e tatimit për 1.384.748.313 denarë dhe është shënuar rritje e numrit të obliguesve tatimor për 5256.
Mirëpo, të shtyrë nga efektet jo të pritshme nga vendosja e tatimit progresiv, me vendim qeveritar në muajin nëntor të vitit 2019, është anuluar për 36 muaj apo deri në fundit e vitit 2022 zbatimi i tatimit progresiv në të ardhura. Me këtë ligj, deri në fund të vitit 2022, të ardhurat nga puna, nga kryerja e pavarur e veprimtarive, të ardhurat nga të drejtat autoriale dhe të ngjashme, si dhe të ardhurat nga shitja e prodhimeve bujqësore, tatimohen me 10 për qind – ndërsa do të presë tatimi i të ardhurave që tejkalojnë 90 mijë denarë që duhej të tatimohesin me 18 për qind. Shtyrja nga kompetentët e tatimit progresiv arsyetohej se nuk ka përmirësuar dukshëm shpërndarjen e të ardhurave, ndërsa kishte shkaktuar ndryshime negative në sjelljen e obliguesve tatimor, në aspektin gjetjes së mënyrave për ti ikur pagesës së tatimit. Një pjesë e obliguesve tatimor i kanë dërguar të ardhurat në sistemet e tjera tatimore me tatime më të ulëta, ose ndaj personave të tjerë me qëllim që të mos tejkalojnë pragun e shkallës më të lartë tatimore dhe të evitojnë pagesën e tatimeve më të larta.
Në ndërkohë, do të punohet në krijimin e një sistemi përkatës të sistemit progresiv, duke marrë parasysh opinionet e palëve të prekura, rritjen e moralit tatimor, përforcimin e besimit ndaj institucioneve si dhe uljen e ekonomisë gri thuhej në propozim ligj. Gjithashtu, edhe përfaqësuesit e biznesit si dhe Oda Ekonomike Amerikane që përfaqëson më shumë se 125 biznese serioze në shtet, qysh në vitin 2018 paralajmëroi se vendosja e këtij tatimi nuk do të sjellë efektet e dëshiruara për përmirësimin e barazisë sociale, ndërsa do të zvogëlojë produktivitetin, punësimin dhe zhvillimin e kuadrove me kualifikime të larta. Njëherësh, vlerësuan se do të rritet edhe ekonomia informale.
Ndryshe, prej vitit 2022 – në rast se nuk kemi ndryshime të tjera të tatimeve apo anulim të serishëm, pritet të anulohet pagesa e tatimit të sheshtë, apo pagesa e tatimit në të ardhura me 10 për qind dhe të vendoset pagesa e tatimit prej 18 për qind në të ardhurat më të më dha se 1500 euro në muaj. (koha.mk)