Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot pasdite e ndërpreu punën për seancën e 15-të dhe siç paralajmëroi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi deputetët do të vazhdojnë pas zgjedhjeve lokale. Deputetët sot dita e gjashtë me radhë në suaza të seancës së 15-të debatuan për Propozim ligjin për shfrytëzimin e gjuhëve, në lexim të parë. Xhaferi tha se e ndërpret debatin në pajtim me paralajmërimin e tij se Parlamenti nuk do të punojë në fillimin e fushatës së zgjedhjeve, por edhe siç tha, të mos ketë ndjenjë se dikush me çdo çmim dëshiron ta arrijë ndonjë qëllim.
“Si rezultatet i debatit doli se në interes të qytetarëve, të mos them të një pjese të qytetarëve, është edhe nevoja për miratimin të një ligji adekuat, i cili është në procedurë të rregullt për të cilin shpresoj se do të vazhdojmë me debat të suksesshëm dhe frytdhënës konstruktiv”, tha Xhaferi.
Shpresoj, shtoi, se asnjë prej pjesëmarrësve në këtë situatë nuk do ta shfrytëzojë në qëllimet parazgjedhore dhe në fushatë. Ndërsa këtë më mirë do ta vlerësojnë, do ta tregojnë dhe zgjedhin qytetarët e RM-së, theksoi Xhaferi, i cili njëherit pjesëmarrësve në zgjedhje u dëshiroi fushatë të qetë të suksesshme parazgjedhore.