Shkup, 8 nëntor 2018 – Komisioni për çështje kushtetuese sot pasdite debatoi rreth projekt-amandamentit të dytë me të cilin në Preambulën e Kushtetutës vendimet e KAÇKM-së zëvendësohen me Manifestin e KAÇKM-së dhe shtohet Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Debati rreth këtij projekt-amandamenti do të vazhdojë nesër.
Opozita akuzoi se me këtë amandament dhe ndryshimet që bëhen në Preambulë, fshihen nëntë vendimet e KAÇKM-së, prej të cilave, siç tha deputetja e VMRO-DPMNE-së, Bllagica Llaskovska, katër kanë rëndësi shtetformuese. Zëvendësimi i vendimeve me Manifestin, tha, nuk guxon të bëhet, sepse Manifesti është vetëm njoftim për qytetarët për vendimet e sjellura.
Ndaj kësaj replikoi zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Andrej Zhernovski. Ai e demantoi, siç tha, tezën se vendimet e Manifestit fshihen.
Futja e Marrëveshjes Kornizë, sipas deputetëve të opozitës, është plotësisht problematike dhe kjo hapë mundësi për federalizim dhe shtet të binacionalizuar. Me futjen e Marrëveshjes Kornizë në Preambulë, hapet mundësia gjuha shqipe të shpallet gjuhë zyrtare në tërë territorin e shtetit. Prandaj, tha deputetja Dafina Stojanovska, po hiqen vendimet mes të cilave edhe ai me të cilin gjuhë zyrtare shpallet gjuha maqedonase.
Asaj i replikoi deputetja e PRSD-së, Sonja Mirakovska, sipas së cilës Marrëveshja Kornizë duhet të sendërtohet në Preambulë, mes tjerash, për shkak të faktit se, siç tha, me të thuhet se sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë dhe karakteri unitar i shtetit janë të paprekshëm dhe duhet të ruhen, si dhe se garantohet karakteri multietnik i shtetit.
Nada Cipusheva nga VMRO-DPMNE, konsideron se ekziston mundësia Greqia çdoherë ta bllokojë Maqedoninë, në pajtim me, siç tha, një dispozitë nga Marrëveshja e Prespës.
“Në nenin 2, paragrafi 4 në mënyrë të qartë është cekur se mbështetja e Greqisë për anëtarësimin tonë në NATO është kushtëzuar nga përmbushja e dy kushteve kumulative: së pari nga epilogu i referendumit, i cili duhet të jetë konzistent me marrëveshjen dhe së dyti miratimi i amandamenteve kushtetuese. Kjo do të thotë se pa përmbushje të cilit do nga dy kushtet Greqia nuk do të ketë obligim të na mbështetë për anëtarësim në NATO. Madje edhe ta ratifikojnë marrëveshjen në Parlamentin e tyre, ne do të jemi në mëshirën e tyre nëse do të na lejojnë në NATO. Çdoherë do të mund të thirret në referendumin e pasuksesshëm dhe të refuzojë ta ratifikojë protokollin për anëtarësimin tonë në NATO”, tha ajo.
Zëvendësministri Zhernovski theksoi se Qeveria gjatë negociatave ka mbajtur llogari të mos ndodhin bllokime të këtilla të mundshme.
“Më duhet absolutisht të demantoj se nuk ka kurfarë mbrojtje. Përkundrazi edhe ajo si është mbajtur llogari për një klauzolë të tillë mbrojtëse. Në tekstin e projekt-amandamenteve shkruan “këto amandamente janë pjesë përbërëse të Kushtetutës së Maqedonisë dhe hyjnë në fuqi në ditën e hyrjes në fuqi të marrëveshjes përfundimtare për zgjidhje të dallimeve të përshkruara me rezolutat 817 dhe 845 të vitit 1993 të Këshillit të Sigurimit të KB-së për ndërprerje të validitetit të Marrëveshjes së përkohshme të vitit 1995 dhe vendosjes së partneritetit strategjik mes palëve nga ana e Republikës së Greqisë”. Secili amandament i cili do të publikohet në gazetë zyrtare do të fillojë me këtë pjesë, si klauzolë mbrojtëse”, tha Zhernovski.
Ai shtoi se nuk është korrekte të injorohen as dispozitat përfunduese të marrëveshjes e cila parasheh nëse nuk hyn në fuqi ajo në tërësi dhe secila dispozitë e saj individualisht nuk do të kenë kurfarë ndikimi dhe në cilën do mënyrë ta obligojë cilën do nga palët.
Paradite, Projekt-amandamenti i parë për ndryshim të Kushtetutës kaloi në mbledhjen e këtij Komisioni me nëntë vota “për” dhe pesë “kundër”.
Me këtë projekt-amandament propozohet zëvendësimi i fjalëve Republika e Maqedonisë me Republika e Maqedonisë Veriore çdokund në Kushtetutë, përveç në nenin 36 ku ka aspekt historik.