Shkup, 21 tetor – Pandemia ka ndryshuar tërë funksionimin e shoqërisë dhe ka zbuluar dobësi në funksionimin e shumë sektorëve. Siguria dhe sektori i sigurisë, përfshirë sistemet e sigurisë publike dhe private, janë bërë jashtëzakonisht të rëndësishme në krijimin e “normalitetit të ri” të nevojshëm për të ecur përpara. Ky është konkluzioni i debatit “Pandemia dhe Siguria: Si do të veprohet më tej? “, në sesionin e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut (KKBE-MK) të përgatitur nga Grupi i Punës – 4, Kapitulli 24 i negociatave për anëtarësimin në BE.
Koordinatorja Kombëtare e KKBE-së dhe Kryetare e Lëvizjes Evropiane, Mileva Gjurovska, theksoi se një nga çështjet është se përkundër urgjencës së masave të mbrojtjes kundër Kovid 19, rreziqet e tjera nuk u zvogëluan, siç është numri i madh i emigrantëve të paligjshëm, trafikimi i qenieve njerëzore, krimi i organizuar dhe ngjarje të tjera të sigurisë së lartë.
“Po bëhen përpjekje për t’u zhvilluar praktikat organizative në mënyrë që të mund të vazhdojmë më tej, respektivisht, si të jetojmë me pandeminë. Masat e marra në fillim të pandemisë, kur analizohen nga kjo distancë, tregojnë se nuk ishte parashikuar që pandemia do të zgjaste shumë, por ajo po zgjat dhe nuk dihet se sa do të zgjasë. Përveç rreziqeve shëndetësore që kanë një rëndësi parësore dhe forcimit të sistemeve shëndetësore, një fushë e veçantë jetike janë rreziqet e sigurisë në kufijtë shtetërorë, sepse shumë vende e kanë vënë theksin në masat e sigurisë në sigurinë e kufirit. Pastaj siguria e vendeve të punës, shkollave, kopshteve, transportit publik dhe sferave të tjera. Analizat në vendet e tjera tregojnë se ekzistojnë ekipe të tëra profesionale në të gjitha këto segmente, të cilat kanë filluar të punojnë në zhvillimin e masave për një siguri më të madhe”, tha Gjurovska.
Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Magdalena Nestorovska, tha se pandemia shkaktoi një rritje të një lloji të caktuar të krimit dhe në analizën e Europolit, por edhe në analizat tona, duket qartë se kriminelët nuk u tërhoqën gjatë pandemisë, por vetëm ndryshuan kursin e tyre të veprimit.
“Krimet më të zakonshme kanë të bëjnë me respektimin e rregullave shëndetësore dhe ndalimet në lidhje me parandalimin e Kovid-19, dhe në intervale të caktuara kohore ka pasur një rritje të vjedhjeve të rënda dhe akteve me elemente të dhunës. Duke pasur parasysh përdorimin e shtuar të internetit, dhe dinamikën në rritje të mediave sociale, në kushtet e distancës sociale, rreziku i krimit kibernetik po rritet dukshëm. Në këtë periudhë, tregtia online dhe pagesat online janë rritur ndjeshëm, gjë që mund të çojë në rreziqe për sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale të përdoruesve, të dhëna nga kartat e tyre të pagesave dhe llogaritë bankare”, tha Nestorovska.
Sipas saj, shqetësues është edhe rritja e shfrytëzimit seksual të fëmijëve përmes internetit në shkallë të Bashkimit Evropian, i cili ka imponuar nevojën për monitorim të vazhdueshëm dhe marrjen e masave parandaluese.
“Kjo rritje është për shkak të izolimit të fëmijëve gjatë pandemisë, me ekspozim më të madh ndaj Internetit, dhe në shumë raste nga mbikëqyrja e pamjaftueshme e prindërve. Zbulimi i tyre në këto kushte është i vështirë, dhe shpesh ato nuk janë të dukshme nga shërbimet”, tha Nestorovska.
Juraj Meshik nga Sllovakia, specialist global i trendeve dhe rreziqeve, ish specialist i lartë i zhvillimit shoqëror në Bankën Botërore, bëri krahasimin e pandemisë në vendet e Evropës.
“Historia juaj në lidhje me trajtimin e Kovid-19 është shumë e ndryshme nga historia në Sllovaki. Historia Sllovake filloi me sukses, deri në dështim. Ne e menaxhuam me sukses valën e pranverës, e përfunduam atë valë me pesë vdekje për milion banorë, e cila ishte shkalla më e ulët në Evropë dhe ne ende kemi nivelin më të ulët të vdekshmërisë. Por jemi në një trajektore të gabuar. Shifrat tregojnë se politikat e duhura janë shumë të rëndësishme në trajtimin e pandemisë. “Fakti që ne arritëm valën e parë të pandemisë nuk është një rastësi, por rezultat i politikave aktive që u mbështetën tek shkenca,” tha Meshik.
Sipas tij, kur qeveria e tyre filloi të besonte se pandemia po zhdukej, ajo zbatoi politika që çuan në një valë më të ashpër vjeshte. “Zhvillime të ngjashme kishte në Çeki, por situata tek ata është më e keqe se sa vala e pranverës. Në Sllovaki pati gjithashtu demonstrata antikovid, me protestues që sulmuna ndërtesën e kryministrisë me gurë, gjë që tregon stresin në shoqëri, edhe pse ne kemi nivelin më të ulët të vdekjeve nga Kovidi në Evropë”, tha eksperti sllovak.
Ai parashikon që në muajt e vjeshtës dhe dimrit situata do të përkeqësohet kudo. “ Detyrimi themelor me të cilin përballen qeveritë në të gjithë botën është të shpëtojnë jetë. Kjo është e mundur në një shkallë të konsiderueshme, por mënyra për ta bërë atë është shumë e politizuar dhe është e nevojshme të ekuilibrohet ruajtja e jetës së qytetarëve dhe të shpëtohet ekonomia”, vlerëson ai.
Ai beson se masat parandaluese në të gjithë Evropën në fazën e parë të pandemisë kanë treguar rezultate.
“Tani ne duam që nxënësit të shkojnë në shkollë dhe njerëzit të kthehen në punë. Është e pakuptimtë të mos mbahen maskat, për shkak të keqinformimit që qarkullon në Internet, kërkohet distancë fizike, kufizim të grupimit, mbrojtje shtesë të grupeve të cenueshme. Nëse ka një mbyllje të plotë, doemethënë karantinë të plotë, ekonomitë duhet të mendojnë një mënyrë tjetër të punës, për shembull, pesë ditë pune nëntë ditë mbyllje. Kjo ka një potencial për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së virusit. Mënyra e dytë është parandalimi aktiv, për të gjithë popullatën, ose të paktën ajo që mund të bëhet për kategoritë e rrezikut dhe profesionet e rëndësishme, thotë Meshik dhe rekomandon që popullata në mënyrë massive të përdorë mineralin Zink dhe vitaminën D, të cilat kanë provuar se janë thelbësore në forcimin e imunitetit.
Ai parashikon që pas pandemisë, respektivisht në vitin 2021, me kusht që epidemia të përfundojë me një vaksinë të suksesshme, nga kriza shëndetësia, bota do të kalojë në një krizë ekonomike dhe politike.
Lidhur me migrimin e mjekëve nga rajoni në Evropën Perëndimore, kryesisht në Gjermani, gjatë pandemisë, ai tha se mjekët nuk mund të ndalohen të lëvizin dhe të punojnë lirshëm në vendet e tjera, por rekomandoi stimuj financiarë tek autoritetet.
“Ajo që mund të merret parasysh është të zhvillojmë një program financiar që do të lejojë kompensimin, personelit mjekësor t’i rriten pagat e tyre, në mënyrë që ata të mos kenë një nxitje të fortë financiare për të migruar,” tha ai.
Tërpe Stojanovski, profesor në Fakultetin e Sigurisë në Manastir, tha se në këto kushte të pandemisë Ballkani paraqitet si një mjedis mjaft i prekshëm, ku numrat tregojnë se po përballemi me një armik të padukshëm, ai është këtu, por nuk mund ta njohim dhe ne nuk mund të pozicionohemi në mënyrë cilësore në drejtim të zvogëlimit të pasojave që vijnë nga kjo situatë.
Magdalena Lembovska nga Eurothink theksoi se tani më shumë se kurrë është e domosdoshme që Qeveria të vendosë politika dhe të zbatojë masa për personat në nevojë dhe të margjinalizuar që të kenë qasje të barabartë në të gjithë mekanizmat për shërbime mjekësore, arsim, ulje të varfërisë, akses në forma të tjera të përfshirjes sociale.