Shkup, 27 janar – Deputetët sonte nuk votuan për Informacionin për ndotjen enorme të ajrit ambiental në Republikën e Maqedonisë, shtruar nga VMRO-DPMNE. Seanca është ndërprerë dhe siç paralajmëroi nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski, në mënyrë plotësuese do të caktohet, transmeton gazeta KOHA.
Debati edhe në pjesën e pasdites vazhdoi siç filloi paradite me akuza të ndërsjella. Deputetët e shumicës në pushtet e cilësuan Informacionin si manipulim i ashpër dhe dezinformatë, si pamflet politik në të cilin përpos frazave të zbrazëta nuk mund të gjendet asgjë tjetër. Mungojnë numra, thanë, burime të të dhënave dhe analiza krahasuese.
VMRO-DPMNE, nga ana tjetër kërkoi LSDM t’u kërkojë falje qytetarëve sepse nuk e ka përmbushur premtimin, – se menjëherë do ta zgjidhë problemin me ndotjen e ajrit kur të vijë në pushtet.
Qëndrimin e pushtetit e mbrojti zëvendësministri i Mjedisit Jetësor, Jani Makraduli. Ai mbeti me qëndrimin se masat dhe aktivitetet aktuale japin rezultate. I porositi deputetët e VMRO-DPMNE-së se me manipulime dhe ofendime nuk do ta ulin ndotjen e ajrit dhe ju bëri thirrje të bashkohen në luftën e përbashkët e cila është vetmja e mundshme, siç tha, me Planin qeveritar për ajër të pastër.(koha.mk)